Populli i Republikës së Kosovës është lodhur me pazaret e partive fituese në zgjedhjet e 6 tetorit, për çka militantët e shumë partive ka gjasa ta rrisin kërcënimin ndaj liderëve të caktuar, të cilët po luajnë me vullnetin e qytetarëve, shkruan “Kosovarja”.

“Ne jemi duke pritur që shteti ynë ta bëjë sa më shpejt qeverinë”, ka thënë një mërgimtar i sapoardhur për pushim në Prishtinë, që nuk deshi të identifikohet pos me inicialet M. M.

Ai shtoi se ka votuar në Frankfurt të Gjermanisë dhe se është i brengosur me këtë zvarritje…

Ai ka thënë tutje se, fillimisht, ka pasur vërejtje në LDK-në që po ngulë këmbë për postin e presidentit, por tani topin e ka VV-ja, e cila, duke e grabitur postin e kryeparlamentarit, e ka ngushtuar hapësirën e veprimit për LDK-në.

“Çka po ndodh kështu me këto dy parti? Nëse këto nuk mund ta bëjnë qeverinë, ka parti të tjera që mund ta formojnë qeverinë e jo shteti të mbetët peng i mosmarrëveshjeve VV-LDK, që po hapin pazare për interesa të veta, derisa populli e ka kryer punën e tij mrekullisht, duke votuar mirë dhe pa probleme.

Pra, po shihet se populli është më i ngritur se politikanët tanë, që janë mësuar të përfitojnë prej pushtetit, andaj po duan ende të ndajnë pozita për vete”, thotë bashkëbiseduesi ynë M. M.

Zvarritja e formimit të qeverisë mund ta bllokojë shtetin!
Alban Behluli, nga komuna e Lipjanit, thotë se zvarritja e formimit të qeverisë mund ta bllokojë shtetin.

“Nëse ka vonesa në formimin e qeverisë, mund të shkojë shteti financiarisht në kolaps, sepse ka për t’u miratuar buxheti për vitin 2020.

Andaj, duhen votua për ta formuar qeverinë, e jo të ndajnë interesa personale e partiake!

Madje, ka edhe parti të tjera që mund ta bëjnë qeverinë. Ka parti që edhe duan ta ndihmojnë Kurtin ta formojë qeverinë.

Por, tash VV-ja dhe LDK-ja janë shumë larg ndërmjet veti. Me zgjedhjen e Glauk Konjufcës kryetar Kuvendi, unë shoh se janë larguar njëra nga tjetra dy partitë e para fituese.

Andaj, kështu, qysh janë kah shkojnë punët, nuk ka bereqet dhe as perspektivë, sepse e kanë bllokuar çdo gjë dhe janë kah i bëjnë nervoz edhe elektoratin e tyre.

Kështu, ka filluar hedhja e fjalëve të militantëve të këtyre dy partive, sepse po i shkelin premtimet gjatë fushatës zgjedhore”, tha Alban Behluli për Portalin tonë “Kosovarja”. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË