Shpejtim Bulliqi dhe Florim Isufi kanë dhënë dorëheqje nga komisioni për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Në dy vjetorin e ratifikimit të marrëveshjes ”demarkimit” të vijës kufitare të Republikës së Kosovës me Republikën e Malit të Zi, kanë dal në dritë detaje të reja të kësaj marrëveshje.

Anëtari i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit, Florim Isufi, përmes një postimi ne Facebook, ka shkruar se derisa komisioni i autorizuar me vendim të veçantë të qeverisë, mblidhte, sistematizonte, përpunonte dhe analizonte informata të llojeve të ndryshme, ishte ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, ai i cili shkonte në Podgoricë dhe deklaronte se kufiri është “demarkuar” drejt, saktë dhe pa probleme.

“Një jo seriozitet i politikës vendore karshi politikës së shteteve fqinjë, dëmtonte pa masë aktivitetin dhe mundimin e komisionit për përmirësimin e gabimeve të bëra nga komisioni paraprak” ka shkruar Isufi në Facebook.

Tutje, Isufi shton se përkundër vështirësive, komisioni arriti që të sigurojë dhe publikojë në raportin e veçantë materiale me mbi 800 faqe, të cilat ishin zyrtare dhe të krijuara nga institucionet relevante shtetërore dhe politike të Kosovës.

“Raporti në gjuhen angleze tani është i vendosur në të gjitha bibliotekat kryesore të shumicës së shteteve perëndimore, si dhe në bibliotekën e Kongresit Amerikan. Këto dëshmi të cilat në një sistem socialist me një censurë të madhe dhe kontroll të jashtëzakonshëm, dëshmonin dhe dëshmojnë së kush ka administrua me atë territor, kush ka shpenzuar buxhet për zhvillim dhe mbikëqyrje të ati territori etj. Përkundër publikimit të këtyre dokumenteve dhe prezantimit publik, prapë u gjenden disa amator qëllim keq që ende nuk dihet arsye pse u rreshtuan në pjesën antikombëtare dhe u avancuan si avokat të Malit të Zi nga radhët shqip folës të Kosovës. Historia do t’i radhitë në anën e erret kombëtare, sikurse i ka radhitë të gjithë ata deputet të Kuvendit të Shqipërisë së para Luftës së II-të botërore dhe “intelektual” të asaj kohe që kontribuuan pa masë në dhënien e Shën Naumit ish-Jugosllavisë. Çdo kush me vetëdije apo nga lakmia e zgjedhë rrugën e vet, por mjerë ai njeri apo grup njerëzish që rreshtohen kundër popullit dhe vendit të vet.” shton tutje Isufi.

Isufi shton se komisioni duke i parë gjitha këto, dhe jo angazhimin e politikës së jashtme të Kosovës nga qeveria e kaluar për organizimin zyrtarë të takimeve të komisionit të përbashkët, se bashku me Shpejtim Bulliqin, kane paraqitur dorëheqjen nga ky komision pranë kryeministrit të Republikës së Kosovës.

“Dorëheqja është pasojë edhe e koalicionit të ri, ku pjesë e qeverisë është një parti e cila me egërsi të paparë e mbronte delimitimi/”demarkimin” e vijës kufitare sipas marrëveshjes së vitit 2015”, shkruan Isufi.

MUND TË JU PËLQEJNË