Shqiptarët andej lumit Ibër jetojnë në ankth. Megjithatë, banorët thonë se viteve të fundit ka pak përmirësim të sigurisë. Por, ata i kujtojnë “Rojat e urës”, serbë të akredituar për dhunë ndaj cilitdo shqiptar që e kalonte urën për në pjesën veriore të Mitrovicës, shkruan “Kosovarja”.

Kanë pësuar shumë shqiptarë andej Ibrit, madje kanë pësuar edhe në prani të ndërkombëtarëve, por edhe të policëve të UNMIK-ut e KFOR-it. Shqiptarët andej lumit Ibër kanë qenë cak i sulmeve serbe në çdo kohë dhe në çdo shtëpi e banesë.

Sidoqoftë, shumica e shqiptarëve janë larguar prej atje, duke i shitur banesat dhe shtëpitë, e disa duke i humbur ato me dhunë pa asnjë metelik! Shqiptarët e mbetur atje shpresojnë të bëhet mirë, ndërsa ata që kanë oborre e tokë shpresojnë të ndërtojnë në të ardhmen, edhe pse Qeveria e Republikës së Kosovës atje nuk e shtrinë dorën e as ndikimin e shtetit…

Ç’thotë banorja shqiptare që banon në veri e punon në jug?
Duke e përshkruar situatën andej Ibrit, bashkëbiseduesja e Revistës sonë, në ditën që e takuam, Besa Ahmeti, e që punon në “Call center”, ka thënë se në veri të Mitrovicës nuk ndjehet fryma e shtetit të Kosovës.

“Nuk ka dorë shteti ynë andej lumit fare. Jetohet sikur të ishte një shtet tjetër. Atje nuk ndjehet fryma e shtetit të Kosovës. As nuk mund të krahasohet jeta andej me këndej lumit. Krejt këtë frymë të të jetuarit në dy shtete njeriu e ndjen në një hapësirë që e ndanë lumi Ibër.

Nuk na ka dalë në mbrojtje askush. Ne, shqiptarët, në Veri jemi minoritet, sa rreziku ndaj përkatësisë shqiptare ndjehet si në gojë të ujkut.

Unë, e që jetoj afër tri ndërtesave afër spitalit të Mitrovicës Veriore, por edhe të tjerët, jetojmë me frikë natë e ditë. Frika është e pranishme te shqiptarët, sepse serbët lëvizin të organizuar për kriminalitet dhe për vrasje, me qëllim të bëjnë presion që ne, shqiptarët, të largohemi prej pronave tona.

Ka pasur edhe shumë detonime, qëllimisht që të ndjehet pasiguria… net të tëra pa gjumë, duke jetuar në ankth… Na kanë trokitur shpesh në dyer dhe kanë shpërndarë afishe që krijojnë pasiguri.

Nëse flasim të vërtetën, frikë kemi pasur shumë, por jemi imunizuar disi nga frika, sepse duke jetuar me frikën edhe njeriu po u bëka imun ndaj saj”, thotë Besa.

Në Veri pas lufte ka pasur më shumë shqiptarë se që ka sot!
“Frikë kemi pasur në çdo kohë. Sidoqoftë, menjëherë paslufte ka pasur më shumë shqiptarë se që ka sot, në këtë pjesë ku jemi tash, por gradualisht janë shpërngulur prej këtu.

Presioni paramilitar serb, por edhe ai shtetëror nga Serbia, kanë bërë që shqiptarët të mos mund ta durojnë më presionin dhe janë larguar. Dikush i ka shitur pronat, dikush i ka lëshuar, duke mos parë siguri, sepse ka qenë një dhunë aq e orkestruar sa nuk ka pasur njeriu asnjë moment mundësie të jetojë pa iu nënshtruar aksidenteve ndëretnike.

Nuk di me numër, por di se kemi mbetur shumë pak, krahasuar me numrin që kishte ky lokalitet para dhe menjëherë pas lufte.

Megjithatë, kohëve të fundit gjendja është përmirësuar pak, edhe pse nuk mund të thuhet se ka siguri, meqë rreziku është i pranishëm, varësisht nga situata që ndryshon”.

Andej urës njeriu e përjeton ndryshe lirinë!
Pas lufte serbët kanë penguar ndërtimin e çdo shtëpie shqiptare. Ata janë organizuar me detyra të caktuara dhe e njohin çdo shqiptar dhe banor që jeton andej urës. Dhe, duke i përshkruar detajet, Besa thotë:

“Serbët lokalë na njohin të gjithëve që jetojmë në pjesën veriore. Nëse dikush vjen me ne, ata e dinë se mund të jenë mysafirë. Në fakt, nuk e kemi lehtë as ashtu e as kështu, sepse do të duhej të ishte ndierë ndikimi i shtetit dhe fuqia e tij edhe në këtë pjesë të shtetit tonë, por andej urës njeriu e përjeton ndryshe lirinë dhe sigurinë…

Gjatë periudhës së vitit 2000 deri më 2009, mbi shtëpinë tonë janë hedhur nëntë predha (granata)!
Megjithatë, kemi vendosur të jetojmë këtu, në shtëpitë tona, sepse e duam Kosovën dhe tokën tonë, ani pse jam e lindur në Suedi, në qytetin Sundsvall, para lufte. Por, me familje kemi vendosur të vijmë këtu ku edhe jetojmë tash…

Nuk di ç’të them më tepër, por pa i sjellë këtu ata të qeverisë që të jetojnë si popull i thjeshtë, nuk e dinë rëndësinë e investimit këndej urës…

Realiteti për momentin është pa perspektivë e pa punë! Nuk di si mendon qeveria ta mbajë veriun me shqiptarë, kur serbët janë avancuar çdo kund: edhe në ndërtime, edhe në kriminalitet, edhe në presion”.

Ç’thotë Adelina Emini, banore e Suhadollit?
Po atë ditë që e vizituam pjesën veriore të Mitrovicës, takuama edhe bashkëbiseduesen, Adelina Emini, banore e rrugës “7 shtatori” në Suhadollin e Poshtëm.

“Nga mosha tetëvjeçare jetoj këtu, në këtë shtëpi, në Suhadoll. Dhe, nuk kam frikë, sepse jetojmë në shtëpinë tonë, edhe pse ka rreziqe.

Jetojmë me të drejtën juridike se liria nuk duhet cenuar për askënd. Për dallim nga shumëkush tjetër në veri, neve nuk na ka trokitur në derë askush, prandaj edhe nuk di për rreziqe, sepse veriu dallon varësisht ku jeton, kurse kjo pjesë jona ka më pak rreziqe dhe nuk krahasohet me Zveçanin, për shembull.

Këtu luan rol edhe numri i madh i popullatës shqiptare që jeton numerikisht shumë më shumë se serbët dhe ata, me siguri, kanë frikë të shfaqen këndej. Unë i njoh serbët e këtushëm, por edhe ata na njohin neve”, thotë Adelina.

Valdete Idrizi, nga organizatat joqeveritare
Njëra ndër femrat që guximshëm flet lidhur me problemet ndëretnike në veri të Mitrovicës, Valdete Idrizi, e angazhuar në organizatat joqeveritare, thotë:

“Edhe andej jetohet, ani pse jo normalisht si në pjesët e tjetra të Kosovës. Më vështirë e kanë të rinjtë, e që detyrohen të dalin në jug, qoftë për të shkuar në shkollë (nxënësit e shkollave të mesme apo studentët), qoftë për t’u argëtuar në ndonjë kafene apo park, sepse në veri këto gjëra mungojnë…

Problem tjetër është papunësia, sepse është vështirë të merresh me ndonjë biznes, ani pse ka edhe të tillë që kanë arritur të bashkëpunojnë e zhvillojnë ndonjë biznes, por më shumë në “Lagjen e Boshnjakëve”.

Shpesh jam në veri, sepse atje jetojnë pjesa më e madhe e familjarëve të mi, marrë pjesë në takime apo aktivitete të organizatave të shoqërisë civile me të cilat bashkëpunoj.

E kemi banesën tonë në veri dhe planifikojmë të kthehemi, sepse atje e kemi vendin tonë.

Tash, kur kalojmë në veri, nuk i heqim tabelat e veturës RKS, siç bënim më përpara, sepse edhe në atë pjesë tashmë është shpeshtuar qarkullimi”, thotë ajo.

E pyetëm Valdeten nëse ka pasur raste kërcënimi, e ajo u përgjigj:

“Raste kur jam frikësuar kam pasur shumë, jam sulmuar para banesës sime, më sulmuan gjashtë gra dhe nuk di se si kam arritur të shpëtoj. Ishte një trishtim që kurrë nuk më largohet nga mendja…

Nga njerëz të ndryshëm kam dëgjuar rrëfime të ndryshme, por kanë arritur të qëndrojnë atje dhe të mos i braktisin vatrat e tyre… Për mu ata janë heronj të ditëve tona, sepse institucionet tona nuk kanë bërë asgjë për ta…

E, në anën tjetër, familjet serbe sistemohen në ndërtesa kolektive që i ndërton Serbia, kurse për neve nuk kujdeset askush!

Por, shyqyr Zotit, gjërat kanë filluar të përmirësohen në raportet ndëretnike, sepse njerëzit janë lodhur prej politikës dhe tensioneve”, thotë ë fund të bisedës bashkëbiseduesja jonë.

Hana Zatriqi-Rama, banore e Lagjes “Kroi i Vitakut”
Hana Zatriqi-Rama jeton në pjesën veriore të Mitrovicës, në Lagjen “Kroi i Vitakut”. Ajo për revistën tonë, “Kosovarja”, tha se në veri mungon siguria e të jetuarit.

“Në pjesën jugore të Mitrovicës ka me shumë siguri, edhe pse nuk mund të them se në veri kemi probleme me serbë. Ndonëse nuk kemi probleme, ne, banorët e Lagjes “Kroi i Vitakut”, nuk mund të themi se nuk e ndjejmë frikën.

Serbët shpesh kah mesnata lëshojnë muzikë me zë të lartë, qëllimisht të dëgjohet në tërë lokacionin, që të krijojnë panik te banorët shqiptarë.

Deri më tani nuk kemi pasur raste të trokitjes natën në dyer, siç ka pasur në disa familje të shqiptarëve të pjesës veriore të Mitrovicës, varësisht nga vendi ku jetojnë ata.

Prandaj, shpresojmë se e ardhmja do të jetë më e sigurt, më e mirë dhe një ditë të mos flasim vetëm për siguri, por për punësim dhe perspektiva të reja…

Thënë të vërtetën, ka edhe propagandë shumë në të dy taborët ndëretnikë, se si, kinse, kush – kujt i bën presion, por nuk janë të vërteta, ndonëse ka raste kur cenohet siguria.

Ne udhëtojmë përditë andej lumit, në jug, dalim sa herë kemi nevojë, por nuk dalim edhe pa nevojë, sepse e dimë problemin ku jetojmë, prandaj mundohemi të mos bëhemi cak i ndonjë problemi.

Megjithatë, shpresojmë të bëhet mirë për të gjithë dhe të jetojmë pa frikë e pa presione”, thotë Hana.

Duke folur për interesimin e qeverisë së Kosovës për shqiptarët e veriut të Mitrovicës, ajo flet me zhgënjim, duke apostrofuar qeverinë dhe zyrtarët se nuk janë interesuar për shqiptarët që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës.

“Asnjëherë askujt nuk i ka interesuar për qytetarët e veriut, sidomos qeverisë sonë, por shpresojmë se ndonjëherë dikush të kujtohet me vizituar veriun”, thotë Hana.

Hana thotë se nëse bëhet mirë në veriun e Mitrovicës nuk do e lëshojë vendin, por nëse përkeqësohet gjendja do të jetë e detyruar të largohet prej aty.

E, si Hana mendojnë edhe shumë bashkëbisedues të tjerë, e që kërkuan të mos u publikohen emrat shkaku i sigurisë.

Andaj, shpresojmë se në një të ardhme të afërt edhe në këtë pjesë të Kosovës të ketë qetësi e liri të plotë të lëvizjes së qytetarëve, të cilitdo nacionalitet qofshin ata… D. M. “Kosovarja”.

MUND TË JU PËLQEJNË