Dje në Rahovec u përurua shtatorja e Sheh Myhedinit, i vrarë më 1998 nga forcat serbe në tyrben e tij. Kush ishte sheh Myhedini, shkruan “Kosovarja”.

Dy herë i burgosur politik me burg të rëndë në burgjet serbe dhe i vrarë në Tyrben e njohur në Rahovec, sheh Myhedini ka mbetur figura më e respektuar në Rahovec me rrethinë.

Sheh Myhedini ka qenë figura më e rrezikshme kundër pushtetit serb në Kosovë. Ekzistimi dhe gjetja e një letre zyrtare në ish-zyrat e komitetit menjëherë pas lufte, për diferencimin e gjithë atyre njerëzve që do ta vizitonin Tyrben e sheh Myhedinit, flet se sa ka qenë pushteti i regjimit serb i frikësuar nga ndikimi i Tyrbes së sheh Myhedinit në Rahovec.

Kush ishte sheh Myhedini?
Sheh Myhedini është lindur më 19. III. 1920, sipas shënimeve të pasaportës së tij diplomatike, nga babai Jonuz dhe e ëma Qelebija. Ka qenë i dymbëdhjeti sheh në kuadër të posneshit (postit) të sheh Sylejmanit. Babai i tij, Jonuzi, ishte i biri i sheh Rexhepit.

Sheh Jonuzi e kishte marrë postin e teqesë më 1936, në prag të Luftës së Dytë Botërore. Kur mbreti Aleksandër e sheh rrezikun nga komunizmi, lejon në atë kohë që në Kosovë të bëhen zgjedhjet “e lira”, në mënyrë që, sipas bindjes tradicionale, populli të mund të deklarohet për deputetët që do ta sfidonin këtë ideologji.

Në ato vite nga Rahoveci ishte deputet prifti, i cili edhe më tutje mbante bindjen se do t’i fitonte votat në Rahovec me rrethinë. Dhe, përgatit votimin me krerët eminentë të bashkisë.

Por, zgjedhjet i fiton sheh Jonuzi, me sakrifica të mëdha, i cili për deputet të Mbretërisë zgjedh Mustafë Dërgutin, nga Rahoveci, së bashku me klanin e vet shqiptar, të cilët, për herë të parë në Rahovec me rrethinë, bëjnë kthesë politike falë ndikimit të Tyrbes.

“Deputeti kishte të drejtën e posedimit të xhandarmërisë”, thotë sheh Ilvija, zëdhënës i Tyrbes, i përcaktuari i Tyrbes për media dhe çështje historike.
Dhe, me mposhtjen e priftit në Rahovec, serbët krijojnë mllef të madh ndaj sheh Jonuzit, babait të sheh Myhedinit të ardhshëm dhe filluan ta quanin “shehu i madh”. Serbët e mllefosur në sheh Jonuzin i përgatitën atentat Baba Musës, por atentati në oborrin e Tyrbes dështon.

Dhe, pasi serbët nuk mundën të realizojnë atentatin në oborrin e Teqesë dhe pas vdekjes së sheh Jonuzit jetëshkurtër, i cili vdes në moshën 43 vjeç, postneshin e Tyrbes e merr sheh Myhedini, medresant i Medresesë së Gjakovës, në përfundim të vitit të katërt, më 12 gusht 1940.

Sheh Myhedini aso kohe ishte 20-vjeçar. Emërohet në postin e lartpërmendur zyrtarisht nga sheh Hasani, sheh i Teqesë së Saraçanës Hasitare për rendin Helveti. Emërohet dhe i jepet hilafetname (autorizimi) të kryejë teqenë e Rahovecit, për të kryer detyrën e babait, sheh Jonuzit.

Sheh Myhedini, pasi merr postin në krye të teqesë, në kohën e fillimit të Luftës së Dytë Botërore, si personalitet i besueshëm, fiton privilegjin dhe respektin e popullit në kohën e viteve të ashtuquajtura “Vitet e Shqipërisë”.

Në vitin 1942 sheh Hasani bashkë me sheh Myhedinin, u gjenden në Tiranë, në Teqenë e Ali Pazarit, sheh i teqesë dhe i postave të Tiranës. Kjo strukturë e shehëve, përfshirë edhe sheh Myhedinin, mori pjesë në Kongresin e Alevive, ku, ndër të tjerash, ishte temë edhe bashkimi kombëtar.

“Unë, Ilvija, mbaj mend tregimin e baba sheh Myhedinit, ku ata kanë qëndruar te kryebashkiaku i Tiranës, në kohën e italianëve dhe te sheh Alikarabunari”, thekson zëdhënësi i Teqesë, Ilvija.

Kush e dënoi së pari sheh Myhedinin?
Më 1945, sheh Myhedini, si mik i shtëpisë së Kajtaz Ramadanit të Kijevës, hyn në grupin e patriotit Halim Spahija, si grup i njohur kundër depërtimit të komunizmit, për t’i bërë rezistencë idesë politike të kësaj rryme sllave.

Në Prizren, për herë të parë kundër këtij grupi, mbahet gjykimi në shtëpinë e njohur “Sokolov dom”, ku gjyqi civil, nën patronatin e Ali Shukrisë dhe Hivzi Sylejmanit, grupi i rezistencës dënohet rëndë.

Sheh Myhedini dënohet me 4 vjet burg të rëndë dhe dërgohet në burgun e Nishit. Ndërkaq, pesë anëtarë të tjerë të grupit i pushkatojnë në Prishtinë.

Sheh Myhedini gjatë mbajtjes së burgut sëmurët nga TBC-ja, sëmundje e rrezikshme për kohën. Dhe, me mendimin e mjekut të burgut se ai do të vdiste brenda muajit dhe që të mos sëmureshin të burgosurit e tjerë, e lëshojnë në shtëpi.

Sheh Myhedinin e thërrasin në drejtorinë e burgut dhe ia bëjnë me dije se do e lëshojnë në shtëpi, por edhe ia bëjnë me dije se nuk do të jetojë më gjatë se një muaj.
Pra, e lëshojnë për të vdekur!

Por, mendimi i mjekut nuk u realizua dhe sheh Myhedini filloi punën dhe veprimtarinë e tij, duke fituar një respekt dhe besim të jashtëzakonshëm në popull.

Dhe, me krijimin e besimit edhe më të madh në popull, sheh Myhedini u bë therë në sy të regjimit sllavo-komunist, aq më shumë kur doli në shesh se edhe shehu aktual, pra sheh Myhedini, ishte i rrezikshëm, madje më shumë se i ati, Jonuzi, në vazhdimin e traditës patriotike dhe rezistencës sllave.

Kush ishin servilët e regjimit sllav?
Në një mbledhje të Xhamisë së Kadirit, servilët e politikës serbe, njerëz të pashkolluar, organizojnë një tubim në të cilin marrin vendim se në Rahovec gjuhë zyrtare duhet të jetë serbishtja dhe një version i gjuhës bullgare!

Dhe, ky vendim i servilëve në xhaminë e Kadirit i jep motiv sheh Myhedinit ta mposhtë iniciativën e mbrapshtë, duke nënkuptuar një luftë sakrificash për t’i vënë gjërat në vendin e duhur. Nëpërmjet njerëzve përparimtarë, sheh Myhedini i kundërvihet kësaj ideje dhe bëhet një polemikë e ashpër sa për pak shpëtohet pa i qëruar llogaritë fizikisht.

Vëllai i shehut, Zylfiu, i ashtuquajturi “Baba Zylfi”, duke kuptuar se nga po “fryjnë shtrëngatat” që duan t’ia ndërrojnë gjuhën Rahovecit, thotë publikisht se në shtëpitë e tyre flitet dhe do të flitet vetëm shqipja, dhe, falë organizatorëve të përfaqësuesve të Tyrbes, iniciativa serbe me servilët e saj, për t’i serbizuar rahovecianët, dështon dhe vazhdojnë tutje punën shkollat shqipe. Mësimin në serbisht mbetën ta ndjekin vetëm fëmijët e 10-12 familjeve.

Sheh Myhedini në NDSH dhe burgosja e dytë e tij
Rreth vitit 1950 sheh Myhedini fillon veprimtarinë e tij politike dhe kombëtare në NDSH, grup politik, i cili punoi për 5 vjet me radhë, deri në vitin 1955. Më 25 maj 1955 sheh Myhedini burgoset bashkë me Ibrahim Mullalinë në Prizren.

Burgosën edhe pjesëtarë të tjerë në Gjakovë dhe si rrjedhojë sheh Myhedini dënohet me 9 vjet burg të rëndë dhe dërgohet në burgun e Mitrovicës së Sremit, më vonë në Nish, Prizren, Gjakovë etj.

Në atë kohë vdes sheh Hasani. Sheh Ilvija, i biri i sheh Myhdinit, citon të atin të ketë thënë se në ato vite burgjet serbe po mbusheshin me njerëz të autoritetshëm shqiptarë nga Rrafshi i Dukagjinit.

Dhe, prej 9 vjet burg sa ishte i dënuar, sheh Myhedini i mbajti tre vjet e gjysmë burg të rëndë në qelinë e vetmisë. Dhe, pikërisht në ato vite, familjes së shehut i humbën shpresat se ai ishte në mesin e të gjallëve.
“Një vit nuk patëm letër prej tij e as kontakt tjetër!

Dhe, pas një gjendje të tillë, atë e kishin sjell në Prizren. Sheh Myhedini, e që zakonisht peshonte 85 kg, në burgun e Prizrenit kishte rënë në peshë dukshëm, në 40 kg dhe vështirë dallohej në pamje.

E njohëm vetëm nëpërmjet nofullave. E pamë shehun në burgun e Prizrenit. Ishte njeri me afro 40 kg peshë! Po mos ta njihnin nga nofullat vështirë ishte të identifikoj se ishte ai!”, pohoi për Revistën tonë, “Kosovarja”, sheh Ilvija.

Sheh Muhedini është mbajtur në burgun e vetmisë më të rëndë në “CZ7”, shtatë kat nën dhe. Kur ishte paraqitur me një rast te mjeku i burgut, ai e kishte pyetur se ku e mbante burgun, në cilin kat. Dhe, kur sheh Myhedini i thotë në “CZ7” (centralni zatvor), pra “Burgu qendror”, mjeku i thotë: “E, çka po pret më mirë, pra?!”.

Në kohën e burgosjes së sheh Myhedinit, rolin e njeriut të parë të Tyrbes e kishte ushtruar Baba Zylfiu. Ushtruesi i postneshit, Zylfiu, në kohën e shërbimit në tyrbe, bëhet njeriu më i izoluar që njihej në këtë anë, tre muaj pa dal fare nga tyrbja. Atij i binin thonjtë e këmbëve dhe i ishte rritur lëkura sa duhej të hiqej me brisk!

Regjimi nuk e lejonte të dilte askund, sepse tyrbja u vu nën rrethim të hekurt të përcjelljes së vrazhdë serbe. Ishte e ndaluar që në teqenë e sheh Myhedinit të mund të hynte kushdo qoftë, për shkak të qëndrimit të regjimit se aty motivoheshin kombëtarisht.

Dhe, për ta dobësuar ndikimin e Tyrbes, pushteti aktual i vuri asaj tatime të llojllojshme, që ajo të mos mund të funksiononte dhe ta shuante veprimtarinë e vet fetare, me aludim në dobësimin e saj politik.

Vazhdimi i aktivitetit kombëtar dhe vrasja e sheh Myhedinit
Sheh Myhedini gëzonte respekt të madh në Rahovec dhe më gjerë. Atë e nderonin, sepse ishte personalitet i korrektësisë dhe humanizmit.

Rreth shehut të “Teqesë së Madhe” në Rahovec, sillej çdo veprim qytetar. Gëzonte besimin e masës qytetare, ashtu sikur që vetë qytetarët e Rahovecit kërkuan strehim dhe shpëtim te sheh Myhedini, i cili u doli në mbrojtje me të gjitha mundësitë që kishte.

Më 19 korrik të vitit 1998 forcat serbe masakruan gra e fëmijë në Rahovec dhe shumë trupa qytetarësh të djegur u karbonizuan. Ata trupa u morën për të mos u identifikuar e gjetur ndonjëherë…

“Teqeja e Madhe” në Rahovec mbeti fortesë mbrojtjeje për popullatën e atjeshme dhe, duke parë masakrimin e qytetarëve të pafajshëm, të fëmijëve e grave, masa prej qindra banorësh rahovecian kërkuan ndihmë dhe strehim te sheh Myhedini.

Dhe, duke përcjellë gjendjen në Rahovec dhe lëvizjet e popullatës, policia serbe futet edhe në “Teqenë e Madhe”, duke bërë ekzekutimin e civilëve të strehuar te sheh Myhedini.

Në atë dhunë, më 22 korrik të vitit 1998, sheh Myhedini, duke dal në ballë të masës së strehuar në Tyrbe, u ekzekutua nga forcat serbe brenda tyrbes.

Për fund
Sidoqoftë, sheh Myhedini mbetët figura më brilante e patriotizmit në Rahovec dhe në mbarë kombin shqiptar. Figurën e tij e kanë promovuar politikisht të gjithë kryeministrat e Republikës së Kosovës, si dhe është shkruar për të në mënyrën më reale.

Andaj, figura e sheh Myhedinit në Rahovec paraqet njeriun më patriotik të identitetit shqiptar në Kosovë, e veçanërisht në Rahovec. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË