Te ne hasë në gjithçka: në njerëz të varfër e të pasur, në të zhurmshëm e të heshtur, në njerëz që derdhin lot dhe në të tillë që janë në qejf nga rakia, në shtëpi kasolle e në pallate shumëkatëshe, shkruan “Kosovarja”.

Prishtina është bërë vend i zhurmshëm. Kushdo që vjen nga jashtë thotë se këtu ka zhurmë, ka jetë. Se atje ku jetojnë e punojnë nuk dëgjohet kush për së gjalli, secili shikon punën e vet, rrugën e vet.

Te ne kafenetë janë plot me njerëz. Zhurmë sa të duash. Tym duhani si mjegulla e dendur dimrit kur e përfshin Aeroportin e Prishtinës.

Thënë shkurt, vetëm një orë para se t’i qes në letër këta pak rreshta, isha në kafenenë përballë Redaksisë. Aty pi kafenë e mëngjesit me shokët e punës. Por, përballë kafenesë ndodhet shkolla “Elena Gjika” dhe po qëllove në kohën kur nxënësit dhe arsimtarët ndodhen në pushim, zhurma shkon deri në kupë të qiellit! Kështu ishte sot, por ishte edhe dje…

Syzet mbi flokë!
Te ne, si çdo herë, tejet në modë janë syzet. Të rralla janë femrat pa syze. Madje, edhe meshkujt! Por, pakkush i mbanë në sy. Pjesa dërmuese i mbajnë mbi flokë!
I mbrojnë flokët nga dielli pranveror, apo?

Ndoshta e dinë se syzet jo origjinale i dëmtojnë sytë dhe mu për këtë i mbajnë mbi flokë, që të tregojnë se kanë syze, se janë në trend me kohën…

A mos kënaqemi sa për sy e faqe?
A jemi ne, kosovarët, në rrugë të Zotit apo këtë e bëjmë sa për sy e faqe? Në këtë pyetje përgjigjen mund ta gjej më së miri te njëri që e njoh mirë, i cili tërë vitin pinë raki, kurse në Ramazan agjëron!

“Po i bëjnë njëmijë të zeza dhe po shkojnë në xhami”. Këto fjalë i dëgjova nga një shitës në “Tregun e Gjelbër” në Prishtinë, javën që shkoi, teksa bisedonte me një blerës, e që biseda e tyre vazhdoi edhe tutje, kryesisht rreth fesë…

Dhe, nganjëherë, si duket, “fjalët e çarshisë” janë të vërteta, janë për t’u besuar…

Veturat luksoze
Të gjithë jemi dëshmitarë të një sërë ngjarjesh interesante nga jeta e përditshme. Ngjarje që lidhen me njerëz të ndryshëm, me të atillë që ecin në këmbë dhe në të atillë që nuk zbresin nga vetura veçse kur hyjnë në shtëpi. Madje, edhe bukë kur shkojnë me ble shkojnë me veturë!

Edhe për këtë kam një fakt. Një shok imi, i cili, shyqyr Zotit i ka punët mirë, ka veturë luksoze. Por, apetitet i ka të mëdha: do e ndërrojë veturën që e ka me një edhe më luks!
E pse, e di ai! Isa ILAZI /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË