Pas 19 rasteve të identifikuara me pandeminë, i njohur si koronavirus, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka propozuar Kuvendit të Kosovës dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend.Ai tha se është i detyruar që të veprojë kështu pas gjendjes në vend. Kështu është shprehur presidenti i Kosovës pas mbledhjes së këshillit të Sigurisë, i cili filloi në orën 20:00. Sipas tij për të gjitha masat në kuadër të këtij dekreti qytetarët do informohet nesër, në ditën kur ky dokument do i procedohet edhe Kuvendit të Kosovës.

“Nuk kam menduar kurrë që me përgjegjësitë e mija kushtetuese, ligjore por edhe politike të mund të vije ky moment që të deklaroj, sonte jemi të detyruar të deklarojmë, por edhe propozojmë duke respektuar Kushtetutën e vendit në mbështetje të nenit 84. Pika 22 dhe neni 131 paragrafi 13, paragrafi 3, dhe 7 të Kushtetutës së Kosovës, neni 11 dhe 16, 2 dhe ligji 06L-123 do t’i propozoj Kuvendit të Kosovës dekretin për gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë.

Gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë përfshinë edhe mobilizimin e tërësishëm dhe maksimal të Forcës së Sigurisë së Kosovës në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ky dekret po ndodh për shkak të fatkeqësisë natyrore të përhapjes së koronavirusit COVID19”, tha Thaçi.

Por me këtë vendim nuk u pajtua kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi ka treguar që shefi i ekzekutivit Albin Kurti e ka kundërshtuar propozimin e presidentit të Kosovës, për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, si shkak i koronavirusit.

Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, mbledhje kjo e kërkuar nga Presidenti Hashim Thaçi, Haki Abazi tha se vendosja e një gjendje të jashtëzakonshme është masë ekstreme.“Ajo që është propozuar nga presidenti si gjendje e jashtëzakonshme, është konsideruar si masë ekstreme që është e panevojshme, që mund të interferojë me masat adekuate që ka marrë Qeveria e Kosovës. Kemi marrë lëvdatë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasada e Britanisë, për veprimet e duhura adekuate. Me këtë formë të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me partnerë ndërkombëtarë, do të vazhdojmë tutje.

Kryeministri ka shprehur qëndrimin se nuk është në pajtueshmëri me masën ekstreme që e ka propozuar Presidenti. Mendojmë që për një gjendje të tillë duhet të përcillet situata dhe të veprohet kur e kërkon nevoja, por tani për tani është i panevojshëm dhe nuk do të duhej të merrnim një vendim të tillë tani”, tha Abazi.

MUND TË JU PËLQEJNË