Asnjë qeveri deri më tash nuk ka qenë e përgjegjshme ndaj gabimeve dhe lëshimeve zyrtare. Andaj, ata që ende janë në pushtet dhe kanë gabuar, duhet të japin dorëheqje, shkruan “Kosovarja”.

Vetëm një ministër e ka bërë një gjë të tillë, pas vrasjes së dy personave në një protestë të VV-së, në Prishtinë. Ai ishte Fatmir Rexhepi, ministër i MPB-së.

Në nivele të shumta zyrtare të qeverisë dhe ministrive janë bërë shkelje ligjore, tejkalime të autorizimeve, punësime jashtëligjore, keqpërdorime financiare dhe çka jo tjetër!

Por, askush nuk ka ofruar dorëheqje, si akt përgjegjësie ndaj gabimit!

Ndodhi vjedhja e drogës në dhomën dëshmive në Prishtinë dhe askush nuk dha dorëheqje!

Një skandal i tillë, në të gjitha shtetet ligjore, do të bartte pas vetes rënien e gjithë qeverisë. E, në Kosovë askush nuk u ndie fajtor për një gjë të tillë!

Kanë ndodhur vrasje në burgjet e Kosovës së pasluftës dhe askush nuk ka ofruar dorëheqje si akt përgjegjësie! Apo, të paktën, në shenjë ndërgjegjeje morale.

Janë nën akuza për korrupsion dhe abuzime të detyrës zyrtare disa kryetarë komunash, por askush prej tyre nuk ka ofruar dorëheqje për t’i lënë rrugë të lirë hetimeve!

Ka ndodhur “Afera Pronto”, në të cilën ishin përfshirë shumë politikanë tanë, por askush nuk ka dhënë dorëheqje!

Djem të deputetëve, që kanë pasur edhe funksione të ndryshme në shtet, kanë përdorur dhunë ndaj zyrtarëve policorë dhe askush nuk ka dhënë dorëheqje!

Janë arrestuar dhe dëbuar nga Kosova shtetasit e huaj turq, të akuzuar si Gylenistë, e askush nuk ka dhënë llogari!

Pra, në qeverinë e Kosovës dhe në sistemin lokal të qeverisjes, jo që nuk kanë dhënë kush dorëheqje për gabimet dhe shkeljet ligjore, por, madje, shteti u ka mundësuar të marrin edhe detyra të reja, të rëndësishme!

Sidoqoftë, shembujt e shteteve ligjore na mësojnë se dorëheqja është akti më simbolik, pas një gabimi apo lëshimi.

Kryeministra me famë kanë dhënë dorëheqje për një shishe verë të keqpërdorur, për një udhëtim vetëm pse është shmangur nga vija ajrore, qoftë edhe për shkaqe klimatike!

Ka dhënë dorëheqje ministri holandez vetëm për 5 euro tatim të vonuar.

Në Kroaci, arrestimi dhe dënimi i Sanaderit, jep shembullin më të mirë ballkanik si duhet reaguar ligji ndaj një të korruptuari.

E, a do të nisë qeveria e ardhshme me llogaridhënie të tillë, si masë vetëdijesuese qeverisëse dhe institucionale, mbetët të shihet?

Dorëheqjet e personave zyrtarë, në raport me shkeljet ligjore, duhet të fillojnë si masë ligjore në Kosovë dhe mund të bëhet ligjore edhe me dispozita të caktuara.

Kështu, në rast shkeljeje apo abuzimi ligjor, personi përgjegjës zyrtar të ofrojë dorëheqje nga detyra, në mënyrë që t’i hapet rrugë e lirë hetimit. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË