Republika e Kosovës udhëhiqet në të gjitha nivelet e shtetit nga njerëz të spektrit politik që s’kanë lidhje me profesionalizëm, shkruan “Kosovarja”.

Spektri politik i Kosovës, duke mos qenë unik në vendime dhe veprime, e dëmton shtetin e Kosovës sa në marrëdhëniet ndërkombëtare, po aq në jetën publike dhe shtetërore të vendit. Në vend se interesat e shtetit të rrahin në një pikë shtetërore, jo në pak raste ka ndodhur që të tre liderët e parë shtetërorë, të jenë kundër njëri-tjetrit!

Presidenti përfaqëson zërin e shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi, kryeministri të kundërtën, kryeparlamentari në mes, për të mos e kundërshtuar presidentin që vjen nga partia e tij!

Andaj, Kosova ka një spektër politik, i cili e dëmton shtetin në masë tepër të madhe. Ky spektër i skenës politike kosovare i jep imazh të keq Republikës së Kosovës.

Ka kohë që në Kosovë kanë nisur aktivitetet për zgjedhjet në degë e nëndegë të partive. Brezi i ri, assesi, nuk lejohet të ngjitet në nivel të marrjes së përgjegjësive partiake.

Madje, për ta penguar ngjitjen e të rinjve në skenën politike, si mjet për kusuritjeje fizike, përdoren edhe karriget!

Lufta për ruajtjen e pushtetit partiak disa parti i ka quar te klanizimi i partive për të monopolizuar interesin dhe ndikimin në institucionin publik.

Në Kosovë mjafton të jesh në kreun e një partie për të realizuar dobi materiale dhe nepotizëm, sepse është krijuar ideja se partiakët e lartë edhe vijnë në qeveri!

Kryetarët e partive promovojnë qindra e mijëra adhurues përmes kamerave televizive dhe rrjeteve sociale, por kur ndodhin zgjedhjet, në krye janë të njëjtat fytyra partiake, e që i njehë publiku qe 20 vjet!

Në BE dhe SHBA, si dy organizmat e rendit botëror ku Kosova rezervon interesin e ekzistencës shtetërore, e dinë se politikanët shqiptarë nga Kosova kanë dallime të thella mes vete, qoftë edhe kur e përfaqësojnë shtetin.

Qendrat diplomatike, gjithashtu, dinë se liderët shtetërorë jo që nuk kanë komunikim të rregullt për funksionim të shtetit, por ata as nuk flasin ndërmjet veti, pos kur u vjen rreziku nga trenat e Beogradit apo kur forcat ROSU duhet të arrijnë në veri!

Ambasadorët dhe konsullët, gjithashtu, akreditohen nga sistemi kryekëput partiak, e jo nga profesionistë politikë, e që kanë bërë shkolla adekuate politike brenda apo jashtë Kosovës. Sidoqoftë, nuk ndodh asnjëherë që të tre përfaqësuesit e shtetit të koordinohen për ndonjë veprim apo qëndrim në forumet e relacioneve ndërkombëtare apo vendore, madje as kur është interesi i shtetit për vetëm një qëndrim. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË