Insertet në vazhdim janë shkëputur nga ngjarjet e paharrueshme të luftës së vitit 1999, e që dihen disa, por ka edhe gjëra që nuk janë shkruar deri tash, shkruan “Kosovarja”.

Në Burim të Malishevës traktorit me gra i vunë flakën!
Në Burim të Malishevës banorët ishin renditur në kolonë. Shumica e automjeteve, që e përbënin kolonën, ishin traktorë…

Gratë dhe fëmijët barteshin me qerre të tilla. Dhe, tek bëhej gati të nisej kolona, paramilitarët serbë po e bastisnin popullatën në kolonë, duke plaçkitur çdo gjë që kishin me vlerë.

Por, pasi u plaçkit kolona, iu afruan një qerreje që ishte me gra e plaka dhe i vunë zjarrin qerres!

Në Sllovi të Lipjanit ekzekutohet edhe i plagosuri!
Sllovia, fshat në lindje të Lipjanit, me rreth 500 shtëpi, ka përjetuar tmerr të vërtetë nga paramilitarët serbë.

Ky fshat kishte edhe rreth 30 shtëpi serbe, që kanë jetuar prej kohësh me shqiptarët. Në fund të muajit mars e në fillim të prillit të vitit 1999, kishin hyrë në shtëpinë e Muratit disa paramilitarë serbë. Disa ishin me shami në kokë dhe kishin kërkuar që burrat të dilnin në oborr.

Me të dalë nga shtëpia, i kishin renditur para derës së shtëpisë babanë me dy djem, si dhe nipin që ndodhej mysafir te dajallarët. Në rreshtim e sipër kishin shkrepur breshëri plumbash mbi ta, duke i lënë të vdekur.

Nga plumbat vdekjes i kishte shpëtuar i biri i Muratit, e që pas largimit të forcave paramilitare kishte arritur zhagaz të shkonte në ahurin e bagëtisë.

Serbët, pasi e kishin hetuar se kishte shpëtuar, në ahur e kishin vrarë. Kjo ishte bërë nga fqinji i tij për të mos lënë fakte!

Në Krushë të Vogël 200 të vrarë në stallë
Më 24 mars të vitit 1999, me fillimin e bombardimeve të NAT0-s mbi caqet serbe, forcat paramilitare serbe, së bashku me banorët serbë të fshatit Krushë e Vogël, kishin hyrë shtëpi më shtëpi dhe i kishin marrë të gjithë burrat e fshatit.

Bashkë me ta edhe djemtë që dalloheshin si të rritur, pavarësisht moshës që kishin. I kishin tubuar në oborrin e shkollës e kah mesdita të renditur i kishin nisur jashtë fshatit, në drejtim të lumit Drin.

Dhe, në afërsi të Drinit, ishte një stallë pa shtëpi banimi. I kishin futur në stallë. Para stallës e kishin vendosur një pushkomitraloz të madh, e nga shkrepjet e tij mbesin të vrarë mbi 200 burra e djem, kurse patën fatin të shpëtojnë vetëm tre vetë.

Ata, të plagosur, kishin arritur të largoheshin nga stalla nëpërmjet dritareve të saj në kohën kur stallës i ishte vënë flaka.

Personi i mbijetuar ka dëshmuar në Hagë kundër kriminelit Sllobodan Milosheviq.

Një plakë në Krushë të Vogël – nënë në pleqëri!
Një grua, me të vetmen vajzë që i kishte mbijetuar, me t’u kthyer në fshat pas lufte, po gatuanin bukë në ballkonin e shtëpisë, në lagjen “Hoti”, në Krushë të Vogël, në afërsi të hekurudhës.

Ndërkohë, pjesëtarët e KFOR-it gjerman po e ndihmonin popullatën në ndërtimin e shtëpive përmes donacioneve që kishin arritur.

Zonjës së shtëpisë, 70 vjeçe, i ishin vrarë burri dhe të dy djemtë. Kishte mbetur vetëm me një vajzë. Tha se po bëhej nënë në pleqëri. E kishte marrë një djalë në jetimore dhe e kishte vënë në djep.

Arsyeja që ajo ishte bërë nënë në pleqëri ishte të mos i shuhej tymi shtëpisë. Me atë fëmijë plaka do ta ruante trashëgiminë familjare dhe vajza do të kishte ku të vinte në gjini pasi të martohej.

Nëna nuk dihet nëse do ta priste atë fëmijë që do të bëhej burrë pas 20 vjetësh. Nëse do kishte fatin të jetojë edhe 20 vjet, ajo do ta shihte shtëpinë sërish me zot, me djalë të rritur, që do i jepte shtëpisë sërish gjallëri pas humbjes së burrave.

Më e keqja që e kishte goditur plakën ishte largimi i nuseve nga shtëpia pas vrasjes së djemve.

“Te unë kanë ndodhur dy palë vrasje”, kishte thënë plaka më 1999. “Por, vrasjet më të tmerrshme ishin kur më dolën nuset nga shtëpia!”.

Nënës ia morën tri vajzat që i ishte me to…
Një grua nuk zinte vend në çadrën e vet në Kukës, meqë paramilitarët serbë gjatë luftës ia kishin ndaluar rrugës për në Shqipëri tri vajza.

Në rrugë e sipër për në Shqipëri, pak më larg Prizrenit, ajo kishte rënë në duart e paramilitarëve serbë. Më e madhja ishte 26 vjeçe e më e vogla 17.

Nënës i kishin thënë të vazhdonte rrugën e vajzat ia kishin ndalur. Nëna kishte kundërshtuar, kishte qarë e bërtitur, por paramilitarët e kishin larguar me dhunë, duke i ndalur vajzat për qëllimet e veta.

Ajo, duke mos pasur zgjidhje tjetër, e kishte vazhduar rrugën me kolonën që ecte drejt kodrave të larta të Kukësit.

Dhe, kur arrin në Kukës, e kishin vendosur në kampin italian numër 2. Por, nuk i zihej vendi vend, sepse vajzat kishin mbetur në duart e paramilitarëve…

Ajo gjatë ditës dilte buzë rrugës, afër kampit, në pritje të ardhjes së vajzave…

Në Gallap Agimin e qëllojnë me 18 plumba dhe mbetet gjallë!
Tek ishte ndaluar kolona që zbriste nga malet e Gallapit, paramilitarët e Arkanit, që kishin zënë pusinë mbi fshatin Grashticë, para turmës i kishin nxjerrë dy vajza: njëra bionde e tjetra zeshkane.

Në një moment, gjatë ecjes, asaj që do t’i binte numri 10 në numërimin e paramilitarëve, do të vritej në sytë e masës së traumatizuar.

Biondinës i kishte rënë numri 10 dhe e kishin qëlluar për vdekje para turmës.

Një plak kishte dal nga kolona dhe me qyrkun e tij e mbulon vajzën e vdekur, por edhe atë e qëllojnë me automatik dhe mbetet në vend…

Por, ndryshe ishte rasti tjetër, po në këtë vend. Me 18 plumba në trup mbetët gjallë! Kjo i ka ndodhur një burri, të cilin e kishte ndaluar kolona serbe, e që kishte synim ta ekzekutonte te përroska.

Me 18 plumba e qëllojnë personin me emrin Agim, por kishte mbetur gjallë! Ai edhe para lufte kishte punuar llamarinëpunues dhe të njëjtën punë vazhdon ta bëjë ende në Prishtinë.

Femrat e ngujuara në Shkollën teknike në Prishtinë
Në bodrumin e Shkollës së mesme teknike, paramilitarët serbë kishin ngujuar dhjetëra vajza, të cilat mbaheshin për qëllime shkëmbimi apo përfitimi tjetër.

Thuhej, madje, se ato do të viheshin para eskadrilave të makinerisë tokësore të NATO-s, nëse do të hynin ata në Kosovë për t’u përballur me ushtrinë serbe nëse dështonte desanti ajror mbi caqet serbe.

Janë mbajtur me javë, për të cilat atëbotë, më 1999-2000, janë dhënë disa detaje faktike, por që më tej për shkak të mbylljes së informatave nuk janë dhënë detaje të tjera…

Në Gjakovë nënës ia vranë të vetmin djalë
Në Gjakovë, më 1999, ka ndodhur krimi më i madh sa u përket civilëve të vrarë në shtëpia. Ishin futur paramilitarët serbë shtëpi më shtëpi në lagjen që më parë e kishin bllokuar forcat serbe.

Në shtëpinë e parë që kishin trokitur paramilitarët, derën ua kishte hapur e zonja e shtëpisë. Kishin kërkuar që meshkujt të dilnin në oborr. Ajo u kishte thënë se në shtëpi nuk ka burra, por e kishte vetëm djalin, të vetmin.

“Pse nuk ke bërë më shumë fëmijë?”, i kishin thënë asaj.

Pas kësaj pyetje nëna e ka kuptuar se ata do ia vrasin djalin dhe i kishte lutur të mos i bënin keq djalit të saj.

“Nëse ma vrisni djalin, më vritni së pari mua!”, u kishte thënë ajo.

Por, paramilitarët e kishin vrarë djalin para syve të saj, duke i thënë se ty po të lëmë ta kesh dënim jetën dhe të jetosh me vuajtje…

Në Izbicë i zhvarrosin kufomat
Pasi i kishin vrarë e masakruar civilët shqiptarë në Izbicë, e që ishin popullatë e paarmatosur, i kishin varrosur në varrezat e fshatit.

Dhe, kur të gjithë prisnin se trupat e tyre do të pushonin në amshim, forcat serbe me bolduzher i kishin zhvarrosur dhe i kishin transportuar në drejtim të panjohur…

Të nesërmen, në mëngjes, varret ishin të zbrazëta! Në to më nuk kishte trupa të varrosur… Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË