Sot janë bërë 10 ditë nga momenti kur Hetem Dedaj, doli nga banesa e tij në Podujevë, për t’u zhdukur pa gjurmë.

Gjatë këtyre ditëve, as Policia e Kosovës, e as familjarët e Dedajt, nuk kanë arritur që të marrin as të vetmen shenjë, se ku mund të ndodhet 45 vjeçari nga fshati Buricë, por që jeton në qendër të qytetit të Podujevës.

Hetem Dedaj, të enjten e 16 majit, ishte nisur si zakonisht për në Prishtinë, ku tek vendi “Xhamia e Llapit”, së bashku me shumë persona tjerë, kërkonin punë ditore – si punëtorë fizikë.

Pamjet që janë siguruar nga kamerat e një biznesi në Podujevë, shihet Hetemi, teksa hip në autobusin e linjës Podujevë-Prishtinë.

Ky është edhe momenti i fundit, kur atij i dihet tashmë vendndodhja dhe drejtimi se nga është nisur.

Hetem Dedaj, duke hipur në autobusin e linjës Podujevë-Prishtinë, në ditën e 16 majit 2019

Vëllai i Hetemit, Mehdi Dedaj, në një bisedë , ka rrëfyer për kërkimet 10 ditore për gjetjen e familjarit të tij.

Mehdi Dedaj,  thënë , se nga hetimet që janë bërë nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Postën, kanë rezultuar që sinjali i fundit i telefonit të vëllait të zhdukur, kanë qenë saktësisht në ditën e 16 majit, në lagjen “Tokbahçe”, në Prishtinë.

Që nga ajo ditë, rrëfen Mehdiu, nuk kanë arritur që të sigurojnë asnjë pistë se ku mund të ndodhet vëllau i tij.

“Kur i kemi kontrollu valët e telefonit përmes Postës, për herë të fundit, ai është lajmëruar dmth valët e tij, kanë qenë ditën kur është zhduk, në Lagjen “Tokbahçe” në Prishtinë. Prej asaj dite, nuk kemi asnjë pistë në të cilën do të mund të dyshonim”, ka thënë Mehdi Dedaj.

Mehdi Dedaj, tregon se si Hetemi nuk ka pasur problem me asnjë person, dhe thotë se kjo e bënë shumë më të vështirë hetimin për gjetjen e tij.

Ai shton se dyshimet e familjes tashmë janë në shumë pista, të cilat ai i quan si “gjëra të këqija”.

“Më e keqja është që nuk kemi asnjë dyshim. Asnjë problem ai me askënd nuk e ka pasur. Dyshimi i jonë tashmë është përzier. Njëri dyshim ka qenë që atë e ka lëshuar shpirti në ndonjë vend dhe tani deri të qëllojmë në të. Po tani problemi është që kaluan aq kohë dhe është problem edhe të kemi dyshime. Ne si familje kemi pasur shumë pista dhe të gjitha kanë qenë shumë të këqija, në kuptimin që në këso rastesh, njeriu vetëm keq mendon – që nga privimi jetës nga ndokush, e deri tek gjërat më të këqija që mendojmë që mund t’i ketë ndodhur”, rrëfen vëllau i Hetem Dedajt.

“Problemin më të madh e kemi, që nuk mund të nisemi tek askush. Sepse, po ta kishim një dyshim, atëherë do të ishte e lehtë. Po të kishte probleme me ndonjë person, apo dicka tjetër, e kishim pasur një pistë të hetimeve”.

Mehdiu shton se shpresat e familjarëve për gjetjen e anëtarit të tyre, kanë qenë tek gjurmët e telefonit, por që edhe kjo shpresë iu shua.“Tek gjurmët e telefonit unë i kam pasur shpresat më të mëdha. Por, që valët e telefonit tashmë nuk mund të identifikohen sepse si duket i është ndalur telefoni, dhe për herë të fundit, sic e thashë valët janë identifikuar në një lagje në Prishtinë”.

Ai gjithashtu ka thënë se mundësia që vëllai i tij, Hetem Dedaj, ta ketë lëshuar Kosovën, është e pamundur.Kjo për faktin, se siç ka thënë ai, pasaportën e tij e ka pasur në shtëpi dhe se nuk ka ndonjë regjistrim të tij, në asnjë nga pikat kufitare të Kosovës me vendet fqinje.

Mehdiu shton se vëllai i zhdukur, nuk ka pasur para të mjaftueshme, me të cilat do të mund të dilte jashtë Kosovës. Thotë se maksimalisht ai ka mundur të posedonte para në ditën e zhdukjes, nga 70 deri në 100.

“Nuk ka mundur të dalë jashtë vendit. Për shkak, se sic e thashë dokumentet e identifikimit i ka në banesë. Por, edhe mjete financiare nuk ka pasur të mjaftueshme gjatë asaj dite, për të mundur të dilte në ndonjë vend evropian, ose diku. Ai ka mundur t’i ketë maksimalisht 70 deri në 100 euro”, ka thënë Mehdi Dedaj.Mehdiu tregon se i zhdukuri, Hetem Dedaj, është baba i dy fëmijëve – njëri 13 e tjetri 11 vjeç.

Thotë se çdo ditë ka udhëtuar nga Podujeva në Prishtinë, ku ka kërkuar punë tek vendi i njohur si “Xhamia e Llapit” – vend në të cilin dalin punëtorët fizik për të kërkuar punë ditore të ndryshme.
“Baba i dy djemëve, njëri 13 vjet dhe tjetri 11 vjeçar”.

Familja e Hetem Dedajt, ani pse ende shpresojnë që anëtari i tyre të kthehet i gjallë – shpresë e cila sipas tyre, dita ditës po iu zhduket, dëshirojnë që rasti i tij të zbardhet sa më parë.

Vëllai i Hetemit, Mehdiu, ka një lutje të përgjithshme. Thotë se e di që nuk është rasti i parë, ku zhduken personat pa asnjë fije gjurme, por shpreson që të jetë i fundit.
Kurse, gjatë këtyre 10 ditëve, Policia e Kosovës, tri herë radhazi, ka dalur me kërkesë publike për ndihmë nga qytetarët e vendit.

“Ju njoftojmë se më datë 16.05.2019, në polici është raportuar për një person të zhdukur. Që nga kjo datë deri më tani, nuk ka asnjë rezultat për zbardhjen e rastit, prandaj kërkojmë edhe ndihmën e qytetarëve. Bëhet fjalë për Hetem Dedaj, i lindur në vitin 1975, banues në rrugën 19 Qershori në Podujevë. Në lidhje me këtë person, kërkimet e deritanishme policore, nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, andaj kërkojmë nga të gjithë ata që mund të ndihmojnë në identifikimin e vendndodhjes së tij, të informojnë policinë në linjën emergjente 192”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, të lëshuar në tri ditë radhazi.

Gazeta Blic, ka provuar që të kontaktojë me zyrtarë të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, dhe ata të Policisë së Kosovës, por që kontakti me ta ka qenë i pamundur.
Historia e Hetem Dedajt, është i treti radhazi që ka ndodhur brenda këtyre dy javëve të fundit në Kosovë.

Më 21 maj të këtij viti, ishte zhdukur Rrustë (Halil) Rexhepaj i lindur me 08.12.1972 ne fsh.Raushiq- Pejës.47 vjeçari është gjetur sot pa shenja jete në parkun e Pejës, trupi i tij është dërguar për obduksion.

“Sot me datë 26.05.2019 rreth orës 11:25, pas një pune intensive operativo –hetimore dhe një bashkëpunimi shembullorë me qytetarë, Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë nëPejë, ka arritur që ta gjejë viktimën ne afërsi të parkut të qytetit në Pejës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Po ashtu, edhe mbrëmë Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se është raportuar zhdukja e një personi tjetër në qytetin e Pejës.Edhe pse nuk kanë dhënë ende detaje të tjera, në njoftimin e Policisë, thuhej se një person ka raportuar në Policinë e Kosovës se daja i tij është larguar nga shtëpia e tij në Pejsë dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij.

Pasaporta e Hetem Dedajt, të cilën nuk e kishte pasur me vete

MUND TË JU PËLQEJNË