Kanë kaluar kohët e arta kur në Kosovë, me anë të mesitit, ka mundur ta gjejë fatin e saj çdo vajzë, madje edhe kur nuk ka qenë e bukur apo ka pasur edhe ndonjë të metë. Tash njohjet bëhen, kryesisht, nëpërmjet internetit, por martesat e tilla nuk po kanë shumë fat. Këtë e dëshmojnë edhe të anketuarat tona, shkruan “Kosovarja”.

Vasfije Jonuzi, 37 vjeçe, nga Mitrovica:

– Ne, femrat, duhet t’i bëjmë punët, pa dallim a je vajzë a grua, kurse vëllezërit e mi tërë ditën shëtisin poshtë e lart, pinë kafe në restorante, kurse mua më thonë të jem e ndershme!

Andaj, si të mos zhgënjehet njeriu?

Por, zhgënjimit tim i është shtuar edhe një ngarkesë, e cila një kohë më la si pulën pa kokë!

Para dy vjetësh e njoha një njeri nëpërmjet internetit. Në fillim gjithçka ishte mirë, por me kohë disi fillova të dyshoj në të. Sa më thoshte se kurrë nuk ka pasur femër, sa më thoshte se edhe ti je si të tjerat…

Pra, sa kështu e sa ashtu… Kjo bëri që të dyshoj në të dhe kërkova me ngulm që të vinte në Mitrovicë dhe të takoheshim. Kur erdhi – çka me pa?!

Një zinxhir të trashë e kishte në fyt, e që dukej më i trashë se zinxhiri i qenit që e kemi pasur dikur. Njërin krah krejt të vizatuar dhe atë një fytyrë femre!
Dhe, çka jo tjetër?!

Që në takimin e parë nuk e lash as t’më prekte dhe i thashë shkurt e shqip: Nuk qenkemi për njëri-tjetrin!

Por, as ai nuk u dha pas meje, kështu që me atë takim, që zgjati një orë, filloi dhe mbaroi gjithçka…

Atifete Beqa, 33 vjeçe, nga Ferizaj:

– Nuk ka më mesitni në stilin e dikurshëm. Martesat tash janë avancuar. Kanë kaluar kohët kur burri i bukur e ka marrë gruan të çalë. Apo një femër e bukur e ka marrë burrin çalaman.

Kam pasur disa njohje nëpërmjet internetit, por kur kam kërkuar të takoheshim, sikur kishin dilema, ndoshta edhe frikë. E, kjo me jepte të kuptoja se ata janë të martuar dhe nuk dëshirojnë të zbulohet lidhja jonë.

Dhe, kam ardhur në përfundim se lidhjet nëpërmjet internetit nuk janë jetëgjata. Ato gjithmonë fshehin diçka në brendi.

Se është kështu flet më së miri rasti i shoqes sime më të ngushtë, Hedijes, e cila u njohë me një djalë në Holandë dhe bëri gjithçka që të shkojë atje.

E, kur arriti te ai, pas një muaji u kthye përsëri në Ferizaj, sepse, siç më pat thënë, nuk mund ta gjente veten në atë mes.

Denisa Dalipi, 29 vjeçe, nga Gjilani:

– Mesitnitë i urrej prej kohës kur ndodhi një problem në familjen tonë. E fejuam motrën me mesit dhe ata na tradhtuan. Kur doli motra ime të takohet me personin që ia kishin përcaktuar për burrë, e kanë paraqitur vëllanë e tij!

Në natën e martesës nuk ishte ai me të cilin ishte takuar! Dhe, për të mos e shqetësuar familjen, pranon të rrijë dhe me kohë ka krijuar familje, por asnjëherë nuk është e lumtur, sepse tradhtia që ia ka bërë burri i rri gjithnjë në kokë…

Përfundim

Sidoqoftë, martesat me mesitni nuk mund të themi se kanë përfunduar plotësisht, por me kohë kanë ardhur duke u zvogëluar, aq sa sot rrallë ndodh të dëgjosh për ndonjë martesë të tillë.

Tash “dyert” i janë hapur internetit, por edhe ky lloj njohjeje nuk di të ketë dhënë deri tash rezultate. Diturie Haxhaj /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË