Nesër pritet që të fillojë mbajtja e testimit praktik për patentë shofer, pasi që për më shumë se dy javë ky testim nuk është mbajtur për shkak të skadimit të vendimeve të ekzaminerëve.

KosovaPress mëson nga burime të saj brenda Ministrisë së Infrastrukturës, se janë duke i analizuar ndryshimet ligjore pas hyrjes në fuqi të ligjit për zyrtarët publik dhe se brenda javës do të gjejnë një zgjidhje.Por se testimi do të fillojë të mbahet qysh nga nesër për KosovaPress e ka konfirmuar kryetari i Federatës së Autoshkollave të Kosovës, Xhemshit Cakolli, i cili ditën e premte kishte pasur një takim me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës.

Cakolli thotë se pas takimit që ka pasur, është informuar se disa ekzaminerë të cilët kanë kontratë do mbajnë testimin praktik.Ai deklaroi se mungesa e ekzaminerëve ka ardhur pasi disave u ka skaduar kontrata, ndërsa sipas tij, disave iu ka skaduar licenca.

Cakolli shprehet se as ai nuk e ka të qartë se pse Ministria e Infrastrukturës nuk ka organizuar testimin e ekzaminerëve për rilicencim, por që thotë se mund të jetë për shkak se ministri dhe qeveria është në largim.Ndërkaq, Bashkim Jetullahu, pronar i autoshkollës “8 Marsi”, thotë për KosovaPress, se nga kjo gjendje më së shumti po dëmtohen kandidatët.

KosovaPress ka provuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës, por zyra për media e kësaj ministrie përkundër premtimit se do të kthejë përgjigje brenda ditës nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Në një komunikatë për media të lëshuar ditë më parë, kjo ministri kishte thënë se janë duke punuar në zgjidhjen e çështjes së mbajtjes së testimit praktik për patentë shofer, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Zyrtarët Publik me numër 06/L-114

MUND TË JU PËLQEJNË