Thaçi e Kurti janë duke u bërë përrallë, me ftesa e letra në rrjete sociale, për takime në zyrat e tyre me njëri-tjetrin, shkruan “Kosovarja”.

Me Kushtetutë bie mbi presidentin krijimi i frymës së unitetit politik e nacional. Por, kështu sikur janë duke shkuar gjërat, me inate politike, Hashim Thaçi e Albin Kurti zor se do t’i shkojnë njëri-tjetrit në zyrë!

Në fakt, problemet e Thaçit me Kurtin janë të vjetra. Derisa Albin Kurti ishte në opozitë, ka shprehur gjuhë urrejtjeje enorme ndaj Thaçit.

Por, as Thaçi nuk e ka lënë keq Albin Kurtin. Me sa duket, aktualisht inati i tyre ka kaluar në rrafshin tjetër, që tash ka ngjyrë të politikës zyrtare të shtetit të Kosovës.

Albin Kurti është i motivuar të bëjë gjithçka për ta shkarkuar Hashim Thaçin nga pozita e presidentit të shtetit.

Mirëpo, edhe Hashim Thaçi është i predispozuar të jetë në krye të shtetit, duke u marrë me bisedimet me Serbinë dhe të jetë ai faktori numër një në dialogun Prishtinë-Beograd.

Sidoqoftë, lufta politike mes Thaçit e Kurtit është duke i kushtuar shtetit të Republikës së Kosovës. Andaj, duhet të heqin sa më shpejtë dorë nga ambiciet personale.

Thaçi e Kurti nuk duhet të bëjnë gjë më shumë sesa ta respektojnë dhe zbatojnë kushtetutën e shtetit. Kështu, secili të merret me punët që ua përcakton kushtetuta.

Andaj, tejkalimi i kompetencave të çdonjërit është dëmtim i shtetit të Kosovës.

E, problemet e fundit me SHBA-në, ka mundësi t’i ketë prodhuar fryma e tillë politike e urrejtjes Thaçi –Kurti.

Në fakt, ajo që dihet është se dialogu Kosovë-Serbi ka kaluar në Uashington. Por, klima e tillë që u krijua ditëve të fundit në Kosovë se SHBA-ja do e tërheqë ushtrinë e vet nga Kosova nëse nuk hiqet taksa, është vetëm një manovër politike e Hashim Thaçit, që sapo u kthye nga Amerika.

Mendja e shëndoshë njerëzore nuk lë vend për dyshim se SHBA-ja tallet dhe ia bën qefin Thaçit kundër Kurtit.

Megjithatë, Kosova ka shumë partnerë përkrahës, por SHBA-të janë sponsor i shtetit të Kosovës.

Andaj, qytetarët e Kosovës nuk kanë shtet tjetër te i cili e gjejnë mbështetjen pa rezervë si te Amerika.

Sepse, Evropa nuk ka mundësi ta çojë Kosovën në rrugën drejt OKB-së, për t’u valëvitur flamuri i Kosovës.

Dhe, nëse SHBA-të thonë se i japin fund pranisë ushtarake në Kosovë, kjo duhet ta frikësojë popullin, pa dyshim.

Nëse emisarët e Trampit thonë se Kosova nuk po e përfillë Amerikën dhe do i tërheqin ushtarët nga Kosova, kjo nuk guxon të nënvlerësohet.

Sepse, presidenti i SHBA-ve, Tramp, dallon prej presidentëve të tjerë amerikanë.

E dimë se i ka tërhequr trupat amerikane në Siri, duke ua lëshuar kurdëve ushtrinë turke!

E dimë se po i tërheqë mbi 20 mijë trupa ushtarake nga Afganistani, duke e lënë Afganistanin në luftë civile.

E dimë se Trampi nuk e ka pasur prioritet praninë ushtarake në Ballkan.

Andaj, ftesa e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dërguar Kurtit, si dhe refuzimi i kryeministrit për ta takuar presidentin, janë tallje me popullin!

Iniciativa e presidentit për të krijuar unitet në vend, ka mundur të bëhet jo duke i thirr liderët politikë ndaras, por të gjithë së bashku.

E, Kosova ka shumë nevojë për një unifikim real, që bashkërisht të flasin dhe mendojnë me një gjuhë dhe mendësi në raport me Amerikën dhe Beogradin.

Dhe, këtë unitet, siç po shihet, nuk mund ta bëjnë institucionet dhe liderët e partive.

Vetëm Jasharajt e Prekazit kanë kredibilitet moralo-kombëtar ta bëjnë një gjë të tillë.

Kështu, nëse ata marrin një hap të tillë, për ta unifikuar politikën e vendit, shpresohet se do të jep rezultate. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË