Drejtori komunal për Shëndetësi në Prizren, Visar Shehu ka thënë për KALLXO se prej datës 27 shkurt deri më 5 mars, se në Kosovë kanë hyrë 485 persona nga Italia përmes pikës kufitare në Vërmicë.

Drejtori Shehu ka thënë se 35 prej tyre janë nga Prizreni kurse të tjerët nga komunat e tjera të Kosovës.Italia bën pjesë te vendet me më së shumti persona të prekur me coronavirus në botë.

“Prej datës 27 shkurt deri më datën 5 mars kanë hyrë në pikën kufitare në Vërmicë nga Italia 485 persona e prej tyre 35 janë nga Prizreni ndërsa të tjerët nga komunat e tjera”, ka thënë Shehu.

Më tej, ai ka thënë se deri në këto momente në Prizren nuk ka rast të konfirmuar me COVID- 19 por është një person i cili vullnetarisht është vetë-izoluar pasi ka pasur shenja të gripit sezonal.“Por mjekët nuk i kanë rekomanduar testim se kanë qenë shenja të vogla”, ka shtuar Shehu.

Në Kosovë janë konfirmuar 5 raste me Coronavirus, tri raste në Viti, një në Malishevë dhe një në Klinë. Personat e parë të prekur kishin ardhur nga Italia në Kosovë.Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e hyrje daljeve nga tri komunat ku janë shënuar rastet e para me coronavirus ndërsa janë izoluar të gjithë personat të cilët kanë pasur kontakt me personat e prekur me coronavirus.

Si masa parandaluese, Qeveria e Kosovës ka mbyllur të gjitha restorantet, pubet, qendrat tregtare, kafiteritë, ka pezulluar aktivitetet kulturore, ka ndaluar transportit tokësor dhe ndërkombëtar për të gjithë personat që hyjnë në Kosovë, ka ndaluar transportin ndër-urban, etj.Gjatë ditës së djeshme, BIK-u ka ndaluar faljen e namazit ditor dhe xhumasë në xhami.

MUND TË JU PËLQEJNË