Universi është spektakolar! Universi, apo gjithësia, e posedon flamurin dhe himnin e vet! Latinisht “riga veda” – himni i gjithësisë, është i shenjtë për shumëçka që nuk e ka askush në botë, shkruan “Kosovarja”.
Hapa dritaren e dhomës në mëngjes dhe pash ngjyrat e gjetheve në lisat e gjatë dhe murrizat e terrinës me aq shumë bukuri gjethesh dhe të gjitha ngjyrat.
Pash si shkëputeshin gjethet shumëngjyrëshe dhe binin në tokë…
Por, koloritin e aq shumë ngjyrave të një bote në zhdukje, nuk mund ta reflektojë asnjë zonjë që ecë me dy këmbë!
Himni i Gjithësisë e nisë kështu fillimin e botës:
“Në fillim nuk kishte asgjë! Çdo gjë nisi nga një farë që erdhi derisa mjegullat e zjarrta e lindnin gjithësinë …”.
A i mungon diçka Himnit të Gjithësisë? Po. I mungon një e dhënë që nuk e di askush. Pra, kush e solli farën?
Ta sjellësh farën, nga e cila erdhi krejt universi, përfshirë edhe qenien e sotme njerëzore, edhe pse njeriu i sotëm vjen pas dy milionë vjetësh transformim nga një homosapiens, që biologjia moderne e quan “majmuni kushëri i njeriut”, është e pakapshme.
Pra, diçka e solli farën e jetës, derisa bota e sotme ishte një mjegull zjarri, që bëhej lëmsh për ta lindur tokën tonë…
Tutje, bukuria i lindi lakmitë njerëzore, por pakkush e di se lakmitë janë epiqendra magnetike e syrit. Kur ngulet syri, lind mësyshi!
I patëm blerë para nja pesë vjetësh tre vetë nga një stabilizator, aparat që e mbanë rrymën stabil në televizor. Erdhi miku im nga jashtë dhe më pyeti si punon stabilizatori…
Mirë, i thashë. Qe pesë vjet asnjë problem me të nuk e kam pasur. Por, ai ma tregon të kundërtën e kualitetit të aparatit të vet dhe më thotë: “Unë qe pesë vjet i kam ndërruar pesë stabilizatora!”.
Dhe, për çudi, nuk shkoi as dhjetë minuta dhe një tym doli nga stabilizatori im dhe shpejt e shpejt e fika, që të mos i dilte flaka…
A thua, i mori mësysh miku im?!
Aksidenti i djaloshit të hasretit…
Ishte një djalë në lagjen time, të cilin e donin të gjithë. Ishte djali i axhës Lutë. Axha Lutë kishte shumë vajza dhe vetëm një djalë. Djalin e axhës Lutë e donin e gjithë lagjja, se ishte djali i një burri që kishte nisur të plakej.
Djalit i vënin në flokë rruaza të kaltra, që të mos i binin mësysh.
Por, si fëmijë i vogël, rruazat nuk i duronte dot mbi flokë dhe i këpuste. E, posa i këpuste sëmurej…
Prindërit përsëri i venin rruaza mbi flokë…
Ai u rritë, i bëri 11 vjet dhe më nuk barte rruaza për mësysh.
Por, teksa kalon rrugën në magjistralen Shkup-Prishtinë, e goditë një veturë, e më pas edhe vdesë.
U bë vuajtje e madhe për të… u bë vaj i madh jo vetëm në shtëpinë e axhës Lutë, por edhe në tërë lagjen tonë…
Dhe, koha ecte… Vajzat u martuan, prindërit vdiqën, shtëpia u rrënua vetvetiu dhe mbeti oborri nën mëshirën e një mallkimi të mësyshit, që ishte hequr nga floku!
Sikur t’i kishte mbajtur rruazat mbi flokë, thoshin, ai nuk do të vdiste…
Bagëtia me tufa të kuqe
Njeriu ynë jetonte, kryesisht, i ndërlidhur me bagëtinë, prej nga vinte ekzistenca. Pak para se të vinte Shëngjergji, bagëtive u viheshin në ballë rruaza dhe tufa të kuqe.
Thoshin se ato i mbronin nga mësysh! E, mësyshi i kohës së Shëngjergjit ishte tepër i fortë, sillte edhe vdekjen…
Andaj, të gjitha bagëtitë ishin me rruaza. Vetëm një mështjerrë aso kohe ishte pa rruaza. Xha Raifi i tha pronarit të saj pse mështjerra e tij nuk kishte rruaza…
Në mbrëmje, teksa kthehej në shtëpi, mështjerra ngordhë gjatë rrugës…
Vajza që vdiq në prag të martesës…
Ishte një vajzë e bukur në mëhallën tonë! E quanin Ada. Ishte e bardhë si bora. Nëna e saj i jepte qumësht me borë! Donte t’ia skuqte faqet vajzës, sepse ishte tepër e bardhë.
E kërkonin shumë familje. I vinin mesitët çdo ditë dhe, më në fund, e fejuan dhe së shpejti do të bëhej nuse.
Gratë thoshin se nëse do martohej në kohën e Shëngjergjit, zor që do i shpëtonte syrit të keq…
Ashtu edhe ndodhi. Ajo u martua po në atë kohë…
Siç ishte adet, vinin gra e miq ta uronin në shtëpi, por një grua nuk ia ndante sytë!
Dhe, pas dy ditësh, u sëmurë dhe rrugës për në spital vdes… Safet Krivaça /Kosovarja/