Nuk u tha se do të shkëmbehet territori! Nuk u tha as se do të ketë korrigjim kufiri! As presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e as presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiçi, të cilët lëshuan dy deklarata që tingëllojnë ndryshe nga ç’u thanë prej tyre më 27 maj, shkruan “Kosovarja”.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se Kosova duhet të bashkohet me Shqipërinë, ndërsa Vuçiçi në Beograd u tha deputetëve serbë në Parlamentin e Serbisë se “Kosova më nuk është Serbi, por Serbia e kontrollon Veriun e Kosovës”.

Dy deklarata që sillen rreth idesë së territoreve u thanë në të njëjtën ditë nga dy ideatorët e ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi, ide që ishte në tregun politik shqiptaro-serb dhe që morti i saj ndodhi në Berlin, para një muaji, por që varrimi i saj nuk ka ndodhur akoma!

Duken si dy deklarata të koordinuara politike që sillen rreth shkëmbimit të territorit të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, me një taktikë të ndryshuar, ka hequr nga fjalori korrigjimin e kufirit me Serbinë, duke e zëvendësuar me kërkesën për territorializimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në shtetin e Republikës së Kosovës!

E, kush është kundër kësaj ideje në Kosovë?
Askush.

Por, a ka mundësi të jetësohet kjo ide sot, në rrethanat që ndodhen në Kosovë? Me siguri, shumë vështirë. Ajo mund të ndodhë vetëm në ndonjë konstalacion marrëveshjeje bilaterale të shkëmbimit të territoreve mes dy shteteve…

Liderët institucionalë të Kosovës duhet të kenë kujdes në fjalorin politik që i referohet bashkimit të Kosovës me Shqipërinë në këtë situatë, sepse i hapë rrugë Serbisë për Serbi të Madhe, madje në emër të mbrojtjes së serbëve të veriut!

Dëshirat për bashkim me Shqipërinë duhet të dallojnë nga mundësitë reale, të cilat i përkasin edhe rajonit, sepse hapin Kutinë e Pandorës në Ballkan, ku Republika Serbe mezi pret bashkim me Serbinë.

Thaçi dhe Vuçiçi është mirë të merren vesh për paqe të përhershme fqinjësore në kufijtë ekzistues, sepse kjo është më e mundshme sesa të arrihet një marrëveshje me Serbinë duke ndërruar territore! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË