Më poshtë po ju listojmë disa nga të pavërtetat që qarkullojnë në internet:

Tharëset e duarve mund të vrasin virusin e ri Corona
Kjo nuk është e vërtetë. Ekspertët mjekësorë thonë se tharëset e duarve nuk janë efektive në shkatërrimin e virusit të ri Corona. Në vend që t’i ekspozoni duart tuaja në ajër të ngrohtë, mënyra më e mirë për të mbrojtur veten nga Corona është që t’i lani duart shpesh (ose t’i pastroni me produkte me bazë alkooli) dhe më pas t’i fshini mirë.

Një llambë dezinfektimi ultravjollcë mund të vrasë virusin e ri Corona
Është e vërtetë që disa spitale përdorin dritë ultraviolet për të vrarë mikrobet në sipërfaqe – në dhomat e operimit ose laboratorë – por, siç rekomandohet nga ekspertët, llambat UV nuk duhet të përdoren kurrë për të sterilizuar duart ose lëkurën, pasi ato mund të shkaktojnë acarim.

Spërkatja e trupit me alkool ose klor mund të vrasë virusin e ri Corona
Edhe pse spërkatja me alkool dhe klor është një metodëshumë e mirë për dezinfektimin e sipërfaqeve, përdorimi i kimikateve në të gjithë trupin tuaj nuk do ta shkatërrojë virusin nëse tashmë jeni të infektuar. “Spërkatja e substancave të tilla mund të jetë e dëmshme për mukozën dhe membranën (d.m.th. sytë, gojën)”, thotë Organizata Botërore e Shëndetit.

Kafshët shtëpiake mund të përhapin virusin e ri Corona
Megjithëse kafshët shtëpiake mund të përhapin forma të caktuara të virusit Corona, aktualisht nuk ka asnjë dëshmi që kafshët tuaja shtëpiake mund të infektohen ose të përhapin virusin e ri, Covid-19. Dhe në këtë rast, rekomandimi kryesor është që t’i lani duart me ujë dhe sapun, kryesisht për t’u mbrojtur nga bakteret e zakonshme si EscherichiaCollie dhe Salmonella, të cilat mund të transmetohen nga kafshët shtëpiake tek njerëzit.

Përdorimi i cigareve elektronike ndikon në përparimin e Corona virusit
Edhe pse nuk ka dëshmi që Covid-19 është i lidhur me pirjen e duhanit, fakti që është një virus që sulmon organet e frymëmarrjes është arsye e mjaftueshme për të rekomanduar që të hiqni dorë nga duhanpirja. Sidoqoftë është e papërgjegjshme përhapja e pretendimit se përdoruesit e cigareve elektronike janë më shumë në rrezik, sepse një keqinformim i tillë mund të shkaktojë një kundër-efekt.

Vaksinat e pneumonisë mund t’ju mbrojnë nga virusi i ri Corona
Aktualisht nuk ka vaksinë që ju mbron nga virusi COVID-19, përfshirë vaksinat e pneumonisë. Virusi është aq i ri dhe i ndryshëm sa që ka nevojë për vaksinën e vet. Studiuesit janë duke punuar shumë për të gjetur një vaksinë për virusin e ri Corona dhe mjekët rekomandojnë vaksinimin kundër sëmundjeve të frymëmarrjes, kryesisht si mbrojtje kundër sëmundjeve për të cilat janë krijuar.

Hudhra mund të parandalojë infektimin me virusin Corona
Nëse ndonjëherë keni ngrënë një copë hudhër të pa gatuar, ju e njihni shijen dhe aromën e fortë që lë më pas – por kjo nuk do t’ju mbrojë nga sëmundja. Edhe pse ka disa veti antimikrobike, bazuar në epideminë aktuale, “nuk ka prova” që një bimë e fuqishme të mund t’ju mbrojë nga virusi Corona.

Kokaina vret virusin e Coronës
Ky informacion i pavërtetë së pari “sulmoi” rrjetet sociale, dhe Ministria Franceze e Solidaritetit dhe Shëndetit iu përgjigj lajmeve të rreme në Twitter. “Jo, kokaina nuk mbron kundër Covid-19. Është një drogë që krijon varësi dhe që shkakton pasoja të rënda e të dëmshme,” thanë zyrtarët francezë dhe ministria gjithashtu iu drejtua edukimit të qytetarëve që virusi Corona nuk transmetohet as nga pickimet e mushkonjave.

MUND TË JU PËLQEJNË