Një iniciativë e tre burrave të pamatur, për një “Mini Shengen ballkanik”, e që shtiren se janë dikush në politikë, ka nisur nga një tresh-përshesh: Rama-Vuçiç-Zajev, shkruan “Kosovarja”.

Së fundi, Samiti i Ohrit e ka përplasur Edi Ramën me lidershipin kosovar, por as reagimet e shteteve të tjera të rajonit, që prodhoi dezintegrimi i Jugosllavisë, nuk e mbështetën këtë nismë.

Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, e që kjo e fundit nga Presidenti i Francës u cilësua si “bombë e kurdisur”, por as Republika e Kosovës, e anashkaluar qëllimshëm në samitin e parë në Novi Sad, nuk e shohin me sy të progresit këtë “krijesë eventuale” në krye të së cilës është Serbia!

Në fakt, çka fshihet pas këtij projekti?
“Mini-shengeni ballkanik”, e që po proklamohet, do të ishte një entitet i ri tregtar dhe biznesi, që do i përbashkonte produktet rajonale të ish-republikave të Jugosllavisë.

Risi është Shqipëria! De fakto, ky entitet do të ishte një Jugosllavi e re, e dalë nga një ide ruso-serbe, në të cilin dominuese do të ishte Serbia.

Ndërkaq, përfshirja e Shqipërisë në të do të përngjante në aspiratat ish-jugosllave për aneksimin e Shqipërisë, për ta bashkuar me Jugosllavinë, si republikë e shtatë!

Ky projekt është shfaqur disa herë me emra të ndryshëm, ndërsa ideja ishte që në vitet 90, që të arrihej një marrëveshje ndër-republikane në ish- Jugosllavi, në mënyrë që të shmangej lufta e përgjakshme.

Por, atëherë nuk u arrit marrëveshja që do e shmangte luftën. E, tani Serbia dëshiron që t’i shmangë një varg obligimesh ndërkombëtare në rrugën e saj drejt BE-së.

Serbia ka pasur privilegje deri te hapja e negociatave me BE-në, por kapitulli 35 është pengesa kryesore e Beogradit drejt BE-së.

Dhe, një sajesë e një “Jugosllavie të re”, do të dukej si shpëtim për Serbinë që të arrinte më shpejt në finale.

Ideja e këtij entiteti ekonomiko-tregtar do të merrte edhe përmasa juridike, në të cilën do të anashkalohej Kosova.

Vuçiçi me qëllim nuk i bëri ftesë Kosovës në samitin e parë në Novi Sad, ndërkaq Kosova e refuzoi pjesëmarrjen e saj në samitin e dytë, në Ohër.

Edi Rama u shprehë plot shpresë se në samitin e tretë në Durrës, i cili do të organizohet gjatë muajit dhjetor, do të merr pjesë edhe Kosova.

Qëllimi i Serbisë është i qartë: duke e përjashtuar Republikën e Kosovës, do ta impononte kontestimin e pavarësisë së saj!

E, Edi Rama nuk do të duhej ta pranonte asnjë pjesëmarrje në asnjërin samit, pa praninë e Republikës së Kosovës!

Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiçi, qëllimisht, nuk e kanë ftuar Kosovën, sepse të dyja do e vilnin sistemin doganor të Kosovës, duke i marrë përgjegjësitë legjislative në mohimin e gjithë mallit dhe dokumenteve, që tranzitojnë nëpër territorin e Kosovës.

Mëkati i Edi Ramës është shumë më i madh sesa i Vuçiçit në përjashtimin e Kosovës nga samiti, ku nuk e kishte vendin as Shqipëria.

Dhe, me këtë rast, lidershipi kosovar ka reaguar ashpër për pjesëmarrjen e Edi Ramës në këtë samit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se synimi i Kosovës është anëtarësimi në BE.

Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, ka thënë se nuk do ia dëshironte askujt një Jugosllavi të re.

E, për habi, Rama e Vuçiçi e kanë lartësuar samitin e një “Mini-shengeni të mundshëm”!

Sidoqoftë, Republika e Kosovës, edhe pse e anëtarësuar në CEFTA, përkundër faktit se është nënshkruese e barabartë me shtetet e tjera të rajonit, nuk ka marrë pjesë në asnjë takim të saj, pa e braktisur Serbia takimin!

Kush duhet ta ndalë Edi Ramën?
Shqiptarët duhet ta ndalin Edi Ramën, që po bën përpjekje për “mini-shengen ballkanik” dhe “mini- hamame” të tjera!

Edi Rama duhet ta di se “një zonë mini-shengeni”, si një entitet prej disa shteteve në Ballkanin Perëndimor, nuk është asgjë më shumë se një bllok shtetesh, e që do ishte në shërbimin rus. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË