Partnerët e koalicionit kanë kundërthënie për heqjen e taksës 100% për Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën, shkruan “Kosovarja”.

Iniciativa e AAK-së ka tubuar nënshkrime për mbajtjen e taksës në fuqi. Por, edhe SHBA-ja e BE-ja janë të ndarë rreth taksës.

Dhe, kjo thyerje shtizash për taksën ka relativizuar shumë probleme, si brenda Kosovës ashtu edhe jashtë saj në skenën ndërkombëtare.

Amerika kërkon me urgjencë heqjen e taksës, për ta sjellë Serbinë në pozicion ta njohë shtetin e Kosovës.

Ndërkaq, Evropa, me BE-në në krye, duke e parë se Amerika e ka përnjëmend këtë herë, si duket, po dëshiron ta lërë Kosovën të vendnumërojë me një status cuo politik!

Sidoqoftë, skena e brendshme politike e Kosovës e mbanë përgjegjësinë e plotë për problemet që mund ta godasin Kosovën në të ardhmen, nëse SHBA-ja heqë dorë nga iniciativa e njohjes reciproke Prishtinë-Beograd.

Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, po kërkon heqjen e taksës në tërësi dhe pa zëvendësimin e saj me reciprocitet.

E, kryeministri Kurti e ka thelluar edhe më shumë krizën rreth taksës, duke shpikur teza gjysmake që as nuk e heqin e as nuk e mbajnë taksën në fuqi!

Ndërkaq, AAK-ja është kundër heqjes së taksës. Dhe, krejt këto probleme që i ka bërë spektri politik kosovar, tani i kanë ndarë SHBA-të dhe BE-në në dysh rreth taksës.

Dhe, ky taborizim në kampe të ndryshme politike, do të sjellë pasoja për Kosovën.

E, se Kosova duhet ta heqë taksën, më nuk ka dilema. Arsyeja është e thjeshtë: Amerika e ka hapur rrugën që të ndodhë një normalizim ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Andaj, duhet të analizohet mirë se kush po e saboton marrëveshjen – Prishtina a Beogradi?

Sepse, SHBA-ja do ta definojë fajtorin. E, Prishtina sikur nuk po e dëshiron marrëveshjen, madje edhe duke e kundërshtuar Amerikën!

Prandaj, partneriteti Kosovë-SHBA mund të vihet në pikëpyetje me zvarritjen e taksës, që është bërë mollë sherri për normalizimin Prishtinë-Beograd.

E, nëse qeveria Kurti, apo liderët politikë kosovarë, dinë diçka më shumë rreth nevojës për mbajtjen e taksës në fuqi, le ta thonë.

Në një gjendje të tillë, me taksën në fuqi, populli duhet ta tejkalojë politikën. Jo pak raste është dëshmuar se populli ka treguar më shumë pjekuri politike dhe vigjilencë ndaj zhvillimeve sesa partitë politike.

Populli dhe shoqëria civile duhet të organizohen dhe ta prezantojnë qëndrimin e popullit se a janë për heqjen e taksës apo jo.

Bojkotimi i Serbisë në Kosovë duhet të ndodhë me masa vetëdijesimi ndaj produkteve të Serbisë. Sepse, kur populli të mos e blejë mallin e Serbisë, atëherë Serbia do të largohet vetë nga tregu kosovar.

E, politikanët duhet të mësojnë nga një leksion i një deputeteje holandeze, kur tha: “Nga Serbia nuk e kisha marrë as ajrin!”. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË