Ishte një kohë kur koka më ishte varur deri në gjoks dhe njëri sy më ishte mbyllur. Në njërën vetull më ishte bërë një prerje, sepse njëri prej atyre që më rrahën e kishte në dorë një unazë të madhe, tehu i së cilës më kishte prerë fytyrën, shkruan “Kosovarja”.

Ishte muaji gusht i vitit 1981. Babai ishte lodhur, sepse i lodhur edhe ishte rritur…

Qemë grindur me babanë për Enver Hoxhën. Një muaj para asaj nate ai kishte folur për Kosovën si nëna për djalin, kur i thurë lëvdata. E kisha hapur dritaren e vogël, me pamje kah dyert e oborrit, më shumë për të depërtuar ajri i pastër.

Nga trarët e kulmit të dyerve u ngrit një hut i natës dhe krahët e tij u rrahën mes vete.
Dhe, pas pak ramë me fjetur…

Herët në mëngjesin e atij gushti, dyert i kishte hapur policia, duke u futur brenda në oborr me mjete motorike të luftës. Shtëpia ishte rrethuar dhe rrugët që lidheshin me vajtje-ardhjet ishin mbyllur nga prania e policëve.

U dëgjua një trokitje në xhamin e odës. Pastaj, edhe një trokitje më e fortë…
Nuk ishte shenjë e mirë…
“Hape derën!”, ua dëgjua një zë i ashpër.

Pas pak e hapa derën. Makina e shkrimit ishte në dollapin e odës dhe sapo kisha shtypur poezinë që i kushtohej brezit kryengritës të vitit 1981. Por, e kisha maskuar pak a shumë me simbolikë metaforike…

Babai ishte zgjuar nga shtëpia ku flinte. Niset drejt odës, por ndalet nga një polic, e që ishte blinduar te dera e shtëpisë.

E shihja nëpër dritaren e odës se si ai dëshironte të vinte në odë, aty ku ishte vendi i tij.

Njëri prej tyre e shtyu, duke mos e lejuar të ecte kah oda. Ishte një rrethim i jashtëzakonshëm.
“Ulu në trapazan!”, më tha Ademi, posa hyri brenda në odë.

Ademin e njihja mirë. Ishte një udhëheqës skuadre i asaj kohe, për të mos thënë spiun. Ademi fliste ashpër dhe qortueshëm. Erdh një polic dhe e pyeti Ademin diçka, kurse ai, në vend të përgjigjes, vetëm e tundi kokën.

Pas pak erdhi edhe babai. Më shikoi mua dhe shikimi i tij sikur më thoshte: A të kam thënë mbrëmë se këta ta zënë derën e shtëpisë, ashtu qysh kanë bërë qe njëqind vjet rresht…

Ofendimet që babai ia bëri Ademit…
Babai u futë në odë.
“Eja mixhë!”, i tha Ademi.

Por, Ademi dukej sikur ia kishte frikën babait. Me mua fliste thekshëm, e më babanë tim fliste but.

Babai i tha Ademit “jezit”, që e kisha dëgjuar vetëm si i vogël, e që ai ishte ofendimi më i rëndë që ia thoshte dikujt.

Ai e shikoi babanë tim dhe i tha se ishte urdhër…
“Dije, po i ndodhi gjë djalit, unë të kërkoj ty!”, i tha Ademit.
Ai nuk foli.

Dy fqinjë, moshatarë të babait, ishin dëshmitarë gjatë kontrollit që bëhej atë mëngjes, sepse në prani të tyre edhe do të nënshkruhej raporti i bastisjes…

Librat që i kisha në rafte, shfletoheshin pa asnjë kujdes dhe hidheshin në shiltet e odës. U mbush oda me libra të hedhur nga raftet. Edhe paketat e letrave të bardha të makinës zunë të fluturonin nëpër odë…

Oda e madhe, në mesin e të cilit ishte stufa, përshkohej nga katër qilima me ngjyrë kuqezi, e që babai i kishte blerë në Pejë, enkas për odë.

Ademi e kapi një cep të qilimit dhe e ngriti. Nën të ishin tri letra që nuk mbaj mend se i kisha futur ndonjëherë. I mori letrat dhe i hodhi në paketën që e kishin ndarë ta merrnin me vete, si dëshmi për dënimin eventual timin…

Zyra e hetimit
Kur mbaruan bastisjen, e cila zgjati nja gjysmë ore, më prangosën. Babai u revoltua.

Ademi i tha babait:
“Djalin do e marrim me vete!”.
“Unë e kërkoj djalin prej teje! Ty ta kërkoj ballin herë do kur!”, i tha Ademit.

Vetura e gjelbër atë mëngjes u nis drejt qendrës së dhunës, ku ishin rrahur, e madje, edhe mbytur dajak qindra djem të rinj. U futëm në objektin, e që edhe sot ndodhet një rrugë më poshtë sheshit kryesor të Prishtinës.

“Lehtë hyn, vështirë del prej këtu!”, foli Ademi.
E, unë, ç’të thosha? Më mirë të heshtja…
Mendoja se do më pyesnin, e pastaj do më lironin…

Para syve më rrinte pamja e babait, i cili kishte kohë që ishte dobët me shëndet.

Mu kujtuan edhe fjalët e tij se ishte rritur jetim në gjirin e tezes Halise. Ajo e kishte rritur që nga dita kur i kishte vdekur nëna. E, ajo ditë kishte qenë teksa ai u lindë…

Kur babai i kishte pasur vetëm tri javë, djepi ishte përmbysur në oxhak dhe babai ishte djegur në shpinë.
Më rrinte para syve edhe pamja e tij me plis dhe sytë ngulitur në Ademin.

Dhe, mendimet mu ndërprenë në çastin kur e hapën derën e zyrës. Posa bëra hapin e parë, një burrë i gjatë më goditi në bark me grusht. Unë mbeta gjysmë i kërrusur…

Pas pak erdhi një burrë i shkurtër, rreth 50 vjeç, i cili më gjeti duke u përpëlitur ta ktheja frymëmarrjen.
“A të ka rrahë kush, a?”, më pyeti.

Unë ia tunda kokën në shenjën po. Ai doli nga zyra shpejt, sikur donte ta gjente atë që më rrahu dhe t’ma sillte para meje e t’më thoshte a është ky apo jo…

Pas një kohe në zyrën ku qëndroja unë, erdhi po i njëjti dhe më tha:
“A je për kafe?”.
“Jo”, ia bëra me kokë.

“Eh, ti je i ri, andaj nuk duhet ta ndjekësh rrugën e babait tënd, sepse babai yt është kokëfortë! Ka të kaluar kriminale për vendin. Edhe babai i tij kishte qenë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë!”, më tha ai dhe vazhdoi: “Ti po lexojshe gjithçka! Shumëçka kishin gjetur në shtëpinë tuaj!”.

Dhe, pas nja një orë marrje në pyetje, doli ai dhe erdhi tjetri… Menjëherë më goditi me grusht në kokë.
“Ti nuk po pranon asgjë, a?!”, më tha ai.

E, unë nuk kisha çka të pranoja… Rrija i kërrusur në këmbë dhe prisja t’më rrihte përsëri…

Por, edhe ai dikur doli dhe mbeta vetëm në atë zyrën famëkeqe… Në ato çaste hetova se fytyra veç sa vinte e fryhej nga shuplakat e forta që m’i dha ai i fundit, para se të dilte nga zyra ndëshkuese…

Kah mbrëmja erdhi po ai i pari dhe, kur më pa se në çfarë gjendje isha, shprehu habinë se kush më kishte rrahur aq shumë…
“Cili ta bëri këtë?!”, më tha pas pak.

Unë vetëm i rrudha krahët dhe heshta… Ai e bëri një telefonatë dhe pas pak, në zyrën ku ndodhesha unë, erdhi një njeri, i cili u prezantua si mjek. Pasi më kontrolloi, më tha:
“Pusho pak se gjithçka të kalon!”.

Kah mbrëmja më dërguan në një dhomë burgu. Dhoma ishte me numrin 15. Në po atë dhomë ishin edhe tre të burgosur të tjerë. Kur më panë se në çfarë gjendje isha, më dhanë vullnet se do të bëhet mirë…

Në çast ndjeva se syri i majtë gjithnjë e më shumë më mbyllej.

Por, nuk kaloi as një orë, erdhi roja e burgut dhe më nxori nga aty. Më dërgoi në një dhomë të errët, pa numër.

“Paska pas qenë lule dhoma e mëparshme!”, thash me vete.
Përsëri në mendje më rrinte pamja e fytyrës së babait para se t’më merrnin… Më dukej sikur më thoshte se nuk do të ishte asgjë më njëjtë për mua si më parë…
Dhe, çka nuk mu kujtua ato ditë të qëndrimit tim në burg?!

Por, deshi Zoti dhe nuk më mbajtën më gjatë se një javë dhe më liruan me kërcënimin se po nuk u largova nga udha e babait tim, do ma bëjnë edhe më zi… Sokol Murturi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË