Bukuria e saj, në sallën e mbushur me njerëz, nuk linte femër pa ia kaluar për hijeshinë që ia kishte dhuruar natyra, shkruan “Kosovarja”.

Disa të ftuar, e që ishin vonuar, me nguti zinin vendet e tyre. Ahengu që kishte nisur, i gjallëronte njerëzit e ulur pranë tavolinave. Ata sikur prisnin shfaqjen e një spektakli, i cili u paralajmërua në ndërkohë, kur ndërroi edhe ritmi i muzikës, që argëtonte të pranishmit.

Ato momente, në shkallët në formë të spirales dyfishe, ata të dy, po zbritnin nga kati i dytë. Ecnin ndaras në dy krahët e shkallëve, me hap të ngadaltë drejt podiumit ku do të takoheshin, e ku do të bashkoheshin përjetësisht, për të ecur bashkë shtigjeve të jetës.

Të kapur dorë për dorë, e të shoqëruar nga duartrokitjet frenetike, e që përziheshin me tingujt e muzikës, po ecnin drejt fronit të tyre në mënyrë ceremoniale…

Ia kishte dhënë besën
Ajo ndodhej në krahun e djathtë të shkallëve, e veshur me vello të bardhë, e që i jepte pamje madhështore. Në dorë mbante buqetën me lule, ndërsa mbi flokët valëzore korb të zi, mbante kurorën plot shkëlqim, e që vezullonte si rreze drite.

Edhe veli i bardhë mbi shpinë i jepte pamje artistike, e që bukuria e saj në sallën e mbushur me njerëz nuk linte femër pa ia kaluar për hijeshinë që ia kishte dhuruar natyra, perëndia.

Sytë e bukur, si kokrra ulliri të zi, i kishte drejtuar kah Besniku, i cili e kishte mbajtur fjalën, besën se një ditë do i bashkonin zemrat përgjithmonë…

Besniku, me hapin e ngadaltë, ecte në krahun e majtë të shkallëve, për t’u bashkuar me Aidën, e cila ngadalë, me ecje mbretërore, zbriste shkallëve.

Ecja e tyre ndaras, në shkallët që ndriçoheshin nga dritë e kuqe, ishte spektakulare. Kulmi i atij spektakli do të arrijë kur të dy do të bashkohen në fund të shkallëve, pas të cilit bashkim, që është më tepër se simbolik, të kapur dorë për dorë, mes brohoritjesh e duartrokitjeve, do nisen drejt fronit të tyre.

Zemrat u rrihnin furishëm
Kur u ulën në karriget e tyre, pranë tavolinës solemne, Aida mori frymë thellë, shikoi rreth e rrotull të pranishmit, e që akoma u duartrokisnin dhe, duke e shikuar me butësi Besnikun, i pëshpëriti me zë të ulët: “Jam e emocionuar tej mase. Zemra më rrah shpejt!”.

Besniku, që, po ashtu, ishte i emocionuar, por që i fshihte emocionet, ia ktheu:

“Ç’ke ti me zemër, ajo tani rrahë në kraharorin tim?! Ma dhurove për ta bashkuar me zemrën time, e që po e shkundin gjoksin tim!”.

Pas këtyre fjalëve, ajo e shikoi me dashuri si asnjëherë më parë. Duke i dhuruar një buzëqeshje të ëmbël ia shtrëngoi dorën.

Dhe, pasi mori frymë thellë, nuk u durua pa i pëshpëritur: “E, si t’ia bëj, pra, pa zemër?!”.

Besniku qeshi me butësinë e tij karakteristike, pa e fshehur lumturinë që ndjente, e cila e kishte kapluar të tërin.
“Unë jam zemra jote!”, i tha.

Dhurata befasuese
Në ato çaste shikimet e tyre u ndeshën siç ndeshën luftëtarët në fushën e mejdanit.

E, derisa këngëtari këndonte këngë që i kushtoheshin dashurisë, shikimet e të pranishmëve ishin kthyer kah çifti, sidomos në momentin kur atyre u arriti një dhuratë e papritur. Atyre u dhurua një djep i vogël, suvenir.

“Zemër, një ditë do përkundim në djep frytin e dashurisë sonë”, i tha Besnikut, derisa ajo e mbante në duar dhuratën simbolike.

Besniku, e që atë natë assesi nuk mund ta fshihte lumturinë, mori Aidën për dore dhe filluan të vallëzonin.

“Dashuria ime, të dua më shumë se asnjëherë më parë”, i tha ai gjatë vallëzimit.

“Unë të dua më shumë!”, ia ktheu ajo.
“Jo, unë të dua më shumë, më shumë se që ti mendon!”, i tha prerazi, thuajse bënin garë cili më shumë.

“Dashuria ime për ty është e madhe, më e madhe se maja e Lubotenit!”, ia ktheu ajo, duke i dhënë pikë këtij muhabeti. P. Kalaja /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË