Për të dëshmuar burrëri nuk mjafton vetëm të jesh trim dhe të vrasësh.

Nuk mjafton të të frikësohen të tjerët në mënyrë jomeritore. Për të qenë burrë nuk mjaftojnë vetëm mustaqet deri te veshët, as shqiponja në ballë në plis, siç është mbushur sheshi i Prishtinës me ta!
Për të qenë burrë më shumë duhet të falësh dhe të tolerosh. Për të qenë burrë lypset sakrificë dhe mund.
Burrë të madh e të mirë të bën vepra, e jo veshja e as mustaqet…

Linkoln, për të cilin do flas në këtë shkrim, nuk ishte ish-presidenti amerikan. Ai ishte një zezak skllav, që e shfrytëzonin mizorisht klasa e bardhë borgjeze në Amerikë, më 1865.

E morën dhe e shitën bashkë me gruan dhe vajzën e tij, por tregu i shitjes e kishte ndarë familjen në dysh.

Linkoln ishte shitur nga pronari për ta larë një borxh të majmë, meqë zezaku skllav kishte zotësi dhe inteligjencë të lartë, edhe pse nuk kishte shkollë. Klasa borgjeze, e që përbëhej nga raca e bardhë, nuk i lente të shkonin në shkollë, sepse ata mund ta lexonin Biblën dhe aty të demistifikonin kamuflimin borgjez se zezakët i kishte lindur Zoti për të qenë robër të të bardhëve dhe se ata kishin ardhur në jetë për të bërë punë të rënda.

Linkoln, që e shitën te një pasanik, mori detyrën të ndërtonte një barakë prej dërrase dhe tek e shikonte pronari i bëri vërejtje që dërrasat duhej të gozhdoheshin, duke mos u dalluar se ishin ngjitur njëra pranë tjetrës.

Kur Linkoln e bëri barakën me dërrasa, erdhi padroni dhe, duke qenë i etur për ta rrahur, i vuri lakun në fyt për ta varur dhe e la me litar në fyt një ditë e një natë, në majë të gishtërinjve të këmbëve, si dënim.

Ditëve të tjera ai qante vazhdimisht… Një ditë një i bardhë, shpirtmirë, e pyeti:

“Pse qan çdo ditë?”.

Linkolni i tha:

“Do isha njeriu më i lumturi në botë sikur ta shihja gruan dhe fëmijën edhe një herë, sepse kanë kaluar më shumë se 20 vjet pa i parë!”.

Njeriu i bardhë u ndie keq. Dhe, duke ndjerë shpirtin lotues të zezakut, u interesua të dinte për familjen e tij.

Gruan ia kishin vrarë, kurse vajzën e kishin martuar për një shërbëtor të zi, që ishte në grupin e të besuarve të bardhë.

I bardhi, kur mësoi për gjendjen e familjes së Linkolnit, nisi ta kërkonte atë dhe e gjeti duke punuar në arë, me skllevër të tjerë. Kur e gjet, e nxori nga puna dhe e qoi në shtëpi, ku edhe ndodhej vajza e tij me djalin e sapolindur.

Por, para se ta qonte në shtëpi, Linkolin e kishte veshur me rroba të mira, për ta prezantuar para vajzës së tij tashmë grua.

Kur hyri zezaku në sallonin e shtëpisë së bukur, në këmbë qëndronin tri zonja, padroni i bardhë dhe një fëmijë i mbështjellë me batanije. Zezaku bëri ca hapa dhe u ndal, duke hequr borsalinën nga koka.

Vajza e tij, e që nuk e njihte, kishte pasur privilegjin të shërbente brenda shtëpive të pasanikëve dhe ajo klasë gëzonte më shumë respekt se skllevërit që jetonin në ara, kryesisht në fushat me pambuk. Zezaku i shikonte shërbëtoret, me shpresë se njëra nga to do jetë gruaja, por asnjëra nuk ngjasonte në gruan e tij… Dhe, kur pa se asnjëra nuk ishte gruaja e tij, nisën t’i bien lotët nga sytë…

Por, në çast iu ofrua vajza dhe i tha:

“Ky fëmijë, i mbështjellë me batanije, është nipi yt!”.
Dhe, në ato çaste, Linkolni filloi të qajë edhe me zë…

Mirëpo, për fat të mirë, nuk zgjati shumë e ra aparteidi dhe erdhi liria për zezakët në Amerikë. Ndërkohë, Linkolni ngriti padi ndaj borgjezëve për vdekjen e dhunshme të gruas së tij dhe në po atë vit doli para gjyqit me të akuzuarit.

Padronët e bardhë u shpallën fajtorë për akt dhune ndaj gruas, por Linkolni hoqi dorë nga burgosja e tyre me nga 20 vjet burg.

Ai i kërkoi gjyqit t’ua ndërronte vendbanimin racistëve gjakpirës, e që ia kishin zhdukur familjen dhe vazhdoi jetën i qetë, duke mos dashur të dënohej askush për familjen e tij!

Sidoqoftë, vazhdoi ta jetojë jetën me lot, por nuk pranoi të shkonin të bardhët në burg për vrasjen e gruas së tij…
E, kësaj i thonë burrëri se jo mahi!

“Burrëria” nën plis dhe mustaqet e frikshme!
Në popullin tonë mustaqet e gjatë dhe plisi janë konsideruar veprime të shenjta, që përfaqësojnë burrëri dhe dinjitet.

Janë të paktë ata që i kanë mbajtur origjinal dhe janë të shumtë që kanë mbajtur dhe i mbajnë fals.
Hyn një burrë te berberi, në Prishtinë.

Sheh në pasqyrë një burrë teksa berberi ia rregullonte mustaqet e gjatë. Ai kishte jelek me qostek dhe pasqyronte burrin e fortë.

Edhe burri që hyri te berberi dukej njëjtë. Në çast, ai, duke menduar se mustaqet nuk hiqen për gazep të madh, i tha:

“Ti, bre burrë, a po i heqë mustaqet apo po i heq unë?!”.

“Po i heq unë!”, ia ktheu ai.

Burri, në çast, shau mustaqet, duke ia kujtuar atij se nuk ia kishte zënë rrugën mustaku i tij, por se gjeti, më në fund, një burrë që e pranon të vërtetën…
E sot, te ne, në sheshin e Prishtinës, sheh “burra” me mustakë të gjatë e mjekra që nuk u vlejnë për asgjë!

Sheh burra me plis, në ballë shqiponjën! E, në fakt, janë burra falas, si ai që ka pranuar t’i heqë mustakët te berberi…

Sido që të jetë, mustaku në të kaluarën tregonte njëfarë burrërie. Në fakt, kemi kaluar një shekull në luftë me Serbinë dhe, qoftë me fe e me realitet, mjekra e mustaku janë mbajtur për ta tmerruar armikun…

E, pse mbahen sot?!

Vdekja e burrërisë…

Nuk ka pasur kurrë më shumë ndarje të çifteve bashkëshortore në Kosovë se sa që ka sot! Kjo që sot po ndodh në Kosovë është një turp që nuk justifikohet me fjalë…

Mund të tingëllojë utopike e vërteta se në fshat kanë qarë i madh e i vogël kur është ndarë një çift…

“Pse dhe si erdhi te ndarja?”, ka pyetur i madh e i vogël, duke qarë edhe nëse nuk e ka lidhur asgjë me çiftin familjarisht. Sepse, ka pasur vlerë jeta, ka pasur solidaritet. Ka pasur fytyrë e burrëri…

Nuk ke mundur t’ia përzësh askujt vajzën pasi të jesh fejuar.

Burrat dikur thoshin: “Gruaja dihet për çka lëshohet. Dhe, kur lëshohet – kërcet pushka!”.

Kur ka ndodhur një ndarje është marrë burrëria me të dhe e kanë shtruar problemin në odë, duke pleqëruar burrat.

E, sot?!

Fill pasi fejohen e merr me vete i fejuari të fejuarën në shtëpi dhe e mbanë me javë të tëra, kurse pas një zënke të vogël ndahen, kinse nuk qenkan për njëri-tjetrin!

Dhe, askush nuk merret me ta!
Pra, e mbanë të fejuarën sa të dojë dhe e lë kur ia do
qejfi!

Keq, a?

A ka këtu burrëri?
Pa dyshim, jo. Sepse, po të kishte burrëri si dikur, nuk do të ndodhnin gjëra të tilla…

Dikur kanë pyetur nga i ka dajallarët djali a vajza, kurse sot as që pyet kush për këto gjëra!

Kush pyet sot nga i ka dajallarët vajza a djali?! Nuk pyet askush, sepse është krijuar vetëdija se mjafton të duhen ata dhe të shpallen burrë e grua…

Ahmet Delia u flijua për fqinjin në Prekaz
Burrëri ka pasur dhe burrat janë flijuar për shumëçka që i ka takuar kodit moral dhe etikës njerëzore.

Në Prekaz të Drenicës kishin pas hyrë harambashët serbë dhe i kishin maltretuar e plaçkitur shqiptarët nëpër shtëpia. Kishin hyrë edhe në një shtëpi që ishte fqinje me shtëpinë e Ahmet Delisë, që i këndohet kënga.

Ahmet Delia i dëgjon britmat e fqinjave dhe i urdhëron djemtë t’i kapin sëpatat dhe ta mbrojnë fqinjin. Kështu, kishte pësuar edhe vetë familja e Ahmet Delisë, duke u pajtuar me flijim, por duke mos u pajtuar me nënshtrim, edhe pse dhuna nuk kishte ndodhur në familjen e tij.
Burrëri kishte pas lënë edhe Selman Kadria, që e ka përmendoren në hyrje të fshatit Cërcë të Istogut, kur e kishte vrarë Miliç Kërstën, i cili i maltretonte banorët shqiptarë në fshat dhe në fshatrat përreth.

Ai kishte shtënë me manzere në Miliçin, duke e lënë të vdekur në vend dhe duke pësuar dhe vetë nga daja i tij, që kishte pasur marrëveshje me çetnikët në Istog.

Sot devijimi i burrërisë nis nga lindja e fëmijës!

Sot ende pa nisur fazën e shkollimit, fëmijët dinë të shajnë dhe të ofendojnë me të gjitha format ofenduese.

Por, edhe ata që shkojnë në shkollë shajnë! E, sharja nuk i bën përshtypje palës tjetër që i drejtohet!
Shtrohet pyetja: Pse sot nuk qon peshë sharja?!

Sepse, nuk i qon shumë peshë as nëna as motra atij që i shahet dhe se ka degraduar jeta familjare aq shumë sa shaje kë të duash dhe si të duash…

Flisnin ndërmjet veti katër gra në fitnesin ku ushtroj unë çdo ditë. Njëra u tregonte shoqeve se si burrin e saj e pengon nëse del në qytet pa u grimuar…
Tjetra thoshte pse të kallaitej kur del me burrë…
Tjetra thoshte se burrin e saj e pengon nëse rrugës nuk shikon askush në të, kinse nuk paska vlerë…

E, ec e biri në fije kësaj pune?!

As dreqi s’i bie në fije e jo unë!

Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË