Ka qenë dikur adet që nusja të jetë nuse vite me radhë. Vishej, të paktën, pasdite me pamje të nuses, zgjohej herët para se të lindte dielli, e fshinte oborrin, kurse në mbrëmje ua pastronte këmbët tërë familjes. Ka qenë adet që ajo të testohej për vajzëri…

Ka qenë adet që nusja ta mbante mend ditën e nusërisë, si një ditë në të cilën nuk kishte folur asnjë fjalë.
I mbante sytë mbyllur teksa e rrethonin shumë vajza e gra, e që e “shanin”, e “ofendonin” familjen e saj. Ka qenë normale që nuses t’i kenë dal lotët kur e preknin në sedër të familjes, por ajo nuk e kishte të drejtën të fliste…
Tani nusja është nuse vetëm ditën që bëhet nuse, ndërsa prej të nesërmes e gjithmonë vetëm femër.
Femër që do të ketë shoqe dhe shokë, si edhe para se të bëhej nuse. Ta ketë lirinë të pijë kafe në kateteri, e në restorant të shkojë për drekë a darkë; të vesh xhins dhe veshje si në vajzëri dhe të festojë me shokë e shoqe si në kohë të rinisë…

Si lindi biseda për nuset e sotme?

Shiu që binte përplaste xhamat e lokalit të shtëpisë ku bëhej e pamja, me rastin e një vdekjeje. Dhjetëra vetura kaluan pranë lokalit tonë me veturën e nuses në fund të kolonës.

Ishte bërë nuse një vajzë që ata e njihnin më mirë se unë dhe muhabeti ndezi debatin…
Tash nuk është kohë për nuse, sepse dasmat po bëhen, kryesisht, gjatë muajit korrik e gusht, e më pak në muajt tjerë.
Më i moshuari i tubimit, ku edhe ndodheshim, xha

Shyqeriu, merr fjalën për nuset e sotme, por edhe për nuset e dikurshme.

“Po çfarë nuse kjo, bre axhë? Kemi qenë në zor prej saj, mirë që ia mbathi”, thotë ai për vajzën që sot bëhej nuse.

“I paska ardhur puna në zor e po u buaka nuse! Se, tash dasmat po bëhen gjatë verës, kur edhe po vijnë kurbetçarët nga kurbeti, se me ta çdo gjë po bëhet më madhështore.

Kjo burrin e ka në shtëpi, nuk është në kurbet e nuk di pse se paska pritur verën?! Por, nejse, secili i di punët e veta…

E di se janë takuar prindërit e saj me prindërit e djalit, janë miqësuar dhe e paskan lënë shumë shpejt ditën e dasmës!”, thotë xha Shyqeriu.

“Jo, nuk e kanë lënë shpejt, por si të gjithë të tjerët…”, kyçet haxhi Brahimi në bisedë.

“Farë nuse janë këto, aman: sot me fustan nusërie, nesër me xhins në Gërmi?! Jo bre, nuse kanë qenë ato të kohës sonë… Ka qenë kohë më e mirë për gjithçka.

Nuk ka pasur telefona, e as mobila, siç po u thonë tash. Na e kanë prishur muhabetin, na i kanë prishur shtëpitë, he moza më keq! S’e sheh njeriu asnjë fëmijë duke mësuar, po secilin në dorë me telefon… Na i prishi shtëpitë biberi!”, thotë haxhi Brahimi.

“Jo biberi, por viberi”, ndërhynë një djalosh, e që në atë çast ishte duke na shërbyer me nga një gotë ujë.

“Nuk di biber a ç’biber, por nuk i ka hije nuses me telefon në dorë tërë ditën… dhe një Zot e di me kë shkruan: me të afërm a me të largët, me naj të vetin a të huajin…”.

“Jo, jo, haxhi, nuk është koha e para 100 vjetëve, kur nusja rrinte pas dere me duar të lidhura!”, ia kthen po i njëjti djalosh, e që tash veç i mblidhte gotat e zbrazura.

“Ka ndërruar koha, o haxhi, nuk është koha me vajtua se a ka dal nusja çikë a jo, me rëndësi është me u desh çika me djalin e jo a po del e qysh po del, a pe lëshojnë a po e mbajnë… A po t’i lanë këmbët a jo…”.

“Po, po, veç që nuk po dihet kush janë nuset e sotme, po ndodhin edhe ndarjet. Po martohen hala pa u njohur mirë e pas dy a tre muajsh po del se edhe dikush prej të afërmve e ka pas dashnore atë femër dhe po shkatërrohet martesa”, ndërhyn haxhiu tjetër, që ishte në ndejë.

“Dikur, në kohët tona, para 60 vjetësh, kohë kur mua edhe ma “gjetën” nusen, siç thuhej atëherë, baba jem, rahmet i pastë shpirti, pyeti se nga i kishte nusja edhe dajat, sepse donte ta dinte mirë se kë do e ketë më vonë në shtëpi… Bile, nëse ajo nuk i kishte dajallarët e ndershëm, të moralshëm, nuk zgjatej biseda më shumë”, flet haxhi Brahimi.

“Po, pse ishte ashtu?”, pyet një djalosh tjetër.

“Duheni me ditë pse ishte ashtu, sepse tash, ju, të rinjtë, po shiteni më të mençur se ne pleqtë! Kur shkova para do kohe te mjeku, mbasi e pa se e kisha tensionin të lartë, më tha:

“A e ka pas në familje dikush këtë sëmundje?”.

I thashë – po, baba.

Tha: “E ke trashëgim prej tij”.

Pra, gjërat po u trashëguakan”.

“Por, ne bisedën e patëm për nuset, o haxhi, e jo për

“Pse me pyet kë e ka dajë vajza që do të bëhet nuse?”.

“Duhet me pyet, sepse femra e familjes së mirë edhe vetë do jetë e mirë. Nëse e ka nusja nënën soj të mirë, nga një familje e mirë, ia vlen ta kesh në shtëpi se edhe fëmijën ta bën të mirë. Ta bën fëmijën që mundet me qenë i mençur… Por, me qëllua nëna e nuses nga një familje e keqe, ajo nuse kurrë nuk ka për t’u bërë nuse e mirë e as grua e mirë”, i tha shkurt haxhiu, kur pa se djali nuk po kupton apo edhe nuk deshi të kuptonte…

“Kur bëhej dasma vinin nipat e dajallarët me desh, e në brirë vendosnin nga një mollë të madhe. Por, në atë kohë, edhe deshët kanë qenë të mëdhenj, tamam si duhet, e sot nuk ka më as asi desh të mëdhenj…

Binin tupanët dhe sa vallja e gëzimi bëhej. Mendjes zarar i bën me mendua si ka qenë aq bukur…
Në odën me burra, në mes tyre, këngëtarët me çifteli e sharki ia merrnin këngës… Këndonin këngë për burrat e pushkës dhe të historisë… Për trimëritë e

Mujit e Halilit. Se, kush ishte Mic Sokoli e Sefë Kosharja…

E, sot kush s’e ka dert me i mësua më ato histori! Sepse, sot askush nuk e njeh askënd… Sot nuk e di njeriu kë e ka mik e kënd armik”, flet haxhi Brahimi.

“Po, pra, nuse kanë qenë ato që dikur i merrnim me qerre kuajsh. Qerren e nuses e mbështillnim me qilima… Në qerren e grave ishte adet me pas edhe një djalë.

Djali i qerres, i thoshin. Pastaj, plaka e qerres dhe gra e vajza të tjera… Me t’u rritë zemra ka qenë ajo kohë, kur i kemi marrë nuset me qerre kuajsh…

Ka qenë kohë kur ia ke njohur nuses gjithë familjen, kur ja ke njohur gjithë sebepet… Nusja ka pasur turp, është skuqur kur i ka folur dikujt.

Ka qenë mirë dikur të hysh dhëndër, sepse e ke parë nusen po atë natë për të parë të herë dhe mezi ke pritur ta shohësh e të të sheh…

Ta shtronin çarçafin e bardhë ku do mbesnin gjurmët… që dëshmonin se me të po fle për herë të parë…”, ndërhynë në bisedë haxhiu tjetër, paksa me nervozizëm, se djaloshi edhe i provokonte nga pak me fjalë…

Kundërshtime e mospajtime me brezin e ri

Dhe, derisa haxhijtë i tregonin adetet për nuset dhe kohën e para 60 vjetëve, i riu ndërhyn:

“Lëre aga haxhi atë punë, se krejt mbrapsht ka qenë dikur! Për të dëshmuar se nusja ishte e pastër kam dëgjuar nga disa se ajo e ka gërvisht gishtin që t’i pikonin dy-tri pika gjaku… Dhe, kështu e ka arsyetuar pastërtinë e saj… Mirë, a?!

Pastaj, nuk pajtohem me adetet e kohës tënde që i keni detyruar nuset me ua la këmbët tërë familjes! A ka qenë ky adet në rregull, a? Nuk ka aty gjë të mirë, ama bash fare!

Pastaj, me e vesh nusen me rroba të ndryshme nga disa herë në ditë e me e palu pas dere… Me e kaluar derën duke ecur prapa!

I keni pas, o haxhi, adetet e Sulltan Sylejmanit, që i kemi pa në film… A e ka lënë Zoti me ec para a mbrapa?

Pra, lëreni atë punë se çka keni bërë dikur ka qenë krim ndaj femrës! E, tash nuk u duket gjë mirë ngase e keni pjekur atë traditë dhe çdo gjë e sodit u duket keq…

A më mirë me u ulë nusja në veturë ku ka klimë e nxehje, apo kur është ulur në qerre të kuajve me kashtë? Cila është më mirë?

I keni ble nuset me pare! E keni ngushtuar mikun me ble dukat! I keni vënë edhe kushte të tjera… E keni dënuar mikun kur ka bërë ndonjë gabim…
A ka qenë e mirë edhe kjo punë, a?!

Nuk them se tash çdo gjë është mirë, por më mirë se dikur po.. Nuset tona, o haxhi, tash po kënaqen në dasmën e tyre…

Kërcejnë e vallëzojnë sa t’ua do qejfi…”, tha me njëfarë krenarie djaloshi, e që iu duk vetja se triumfoi karshi dy hanxhinjve që i kishte përballë, në kohën kur nuk kishte të tjerë në ndejë veç atyre që ishin tërë kohën të pranishëm në pamje.

Safet Krivaça (“Kosovarja”)

MUND TË JU PËLQEJNË