E diel. Ditë pushimi. Ariana dhe Linda më thirrën në telefon dhe më thanë se duan të takohen me mua. “Pse, moj, çka ka krisur?!”, u thashë, shkruan “Kosovarja”.

“Ani, si i ke punët me Blerimin? A po del me të? Me na dëgjuar neve largohesh sa më parë prej tij, sepse nuk është për ty. Ti meriton dikë më të mirë”, më thanë.

Mbeta e shtangur nga fjalët që dëgjova…
Dhe, ato filluan të tregojnë se si e kishin parë Blerimin ditëve të fundit me një vajzë tjetër. Madje, më thanë se ajo vajzë është bijë e një politikani.
E unë, si u ndjeva në ato çaste?

M’u copëtua zemra! Mu rrënuan ëndrrat që kishim thurur së bashku…

Si lindi dashuria e re?
Nga zemërimi që më kishte kapluar, mora telefonin ta thërrisja, por zemra më rrihte fort dhe u ndala.

Pas pak, kur mendova se sadopak u qetësova, i shkrova mesazhin: “I poshtër! I pabesë! Të janë zbuluar dredhitë! Më tradhtove! I di të gjitha!”.

Pas pak më erdhi një mesazh. “Nuk të kam tradhtuar, por do të doja të tradhtoja!”.

E lexova një herë, dy herë, tri herë… Dhe, në leximin e fundit sytë më shkuan në numrin e telefonit nga më vinte mesazhi. Numrin e fundit që është dashur të jetë 2 e kisha shkruar 3. E, mesazhi i kishte shkuar dikujt tjetër!

Dhe, u solla e u pështolla dhe vendosa t’i kërkoj falje… I thashë se mesazhin e kam dërguar gabim, kurse ai menjëherë ma ktheu se s’ka nevojë të brengoset, sepse Zoti na e dha mundësinë të njihemi rastësisht…

Një vit vetëm me mesazhe!
Është e pabesueshme për shumëkënd, por me mesazhe, pa u takuar asnjëherë, vazhduam rrafsh një vit! Në fillim as emrin nuk ia dija…

Pas nja 8 muajsh lindi diçka e re në mua… U ringjallë çdo pjesë e trupit tim, e që kishte pushuar që nga ndarja me Blerimin.

Në këtë kohë i shkrova dhe i thashë t’më tregonte drejt si quhej dhe sa vjeç është. Më tha se quhej Bedri dhe se ishte 40 vjeç.

S’kishte ditë të mos m’i dërgonte nga disa mesazhe. Nganjëherë më shkonte mendja mos ishte Bedriu poet, sepse më shkruante edhe mesazhe me përmbajtje poetike!

Në një mesazh, që më erdhi një mesditë, teksa isha në zyrë, më shkruante: “E dashur, tash ka ardhur koha edhe të njihemi!”. Ia ktheva shpejt e shpejt: “Po, do të shihemi, së shpejti!”.

Por, pas dy minutash, më erdhi një mesazh tjetër, këtë herë më i gjati. Në të shkruante se si një shkrimtar i njohur ishte dashuruar në një femër vetëm me anë të letërkëmbimit.

Dhe, kur e lanë të takoheshin në stacionin e trenit, e dashura e tij rrinte pak më larg dhe shikonte se cili do jetë shkrimtari. Kur e sheh një njeri të shëmtuar duke pritur, thotë: “Oh, Zot, ishalla veç ai nuk është!”.

E, mua, mendja m’u turbullua nga ai tregim i shkurtër dhe e solla në mendje – pse Bedriu ma tregoi atë ngjarje…

Ishalla veç ai nuk është!
Kurrë në jetën time nuk kam menduar se do të vinte aq ngadalë dita që do të takohem me Bedriun. Ai më kishte thënë se do qëndronte ulur në stacionin e autobusëve dhe me një gazetë në dorë, shkruan “Kosovarja”.

Në stacion dola gati një orë para kohe, meqë ndjenjat për atë takim më kishin pushuar të tërën, kurse në fytyrën e gjithsecilit mundohesha të krijoja imazhin e fytyrës së Bedriut.

Dhe, kur erdhi koha, erdhi edhe ai. I shkurt me shtat, i moshuar mbi të 50-at, i shëmtuar. Nuk u besoja syve të mi se mu ai ishte Bedriu!

E, ai ishte një plak i shumtuar dhe hiçgjë më shumë!
Dhe, bota sërish u shemb mbi mua… Për të dytën herë përjetoja zhgënjimin…

U largova me vrap nga stacioni dhe nuk dija as vetë kah t’ia mbaja… P. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË