Kur e kam takuar për herë të parë Zarifen, nuk kam qenë në gjendje ta kontrolloja veten. Unë bëja pjesë në grupin e atyre meshkujve që kur e pëlqenin një femër, nuk shikonin më as prapa dhe as përpara. Dhe, unë ndryshova gjithçka te vetja vetëm e vetëm për të arritur qëllimin përfundimtar: ta përvetësoja mësuesen Zarife, shkruan “Kosovarja”.

Nuk kam vuajtur shumë për të, sepse kurrë nuk e kam pasur shprehi të bie lehtë në dashuri me ndonjë vajzë dhe, pastaj, të vuaja deri në maksimum për të.

Kam pasur një parim të thjeshtë: sado e bukur që të jetë një femër, nuk e lija kurrë pa ia thënë një fjalë, qoftë edhe nëse ajo nuk më dëgjonte.

Por, më kanë bërë përshtypje gjithnjë ato femra, të cilat vetë më kanë joshur të parat dhe, pastaj, më ka mbetur mua që të udhëheq me ndjenjat.

Mirëpo, dashuria me Zarifen ka qenë krejt ndryshe, sepse ishte e vetmja femër në jetën time, në të cilën rashë në dashuri si i marrë.

Asnjëherë tjetër nuk më kishte ndodhur të më turbulloheshin mendtë para një femre siç ishte Zarifja, ndonëse para saj kisha pasur femra edhe më të bukura se ajo…

E pranoj se për të parën herë në jetën time jam ndier i poshtëruar përpara një femre, e cila ka bërë çfarë ka dashur me mua deri në ditën kur erdhi dhe më gjeti në shtrat mbi një femër tjetër…

Kur shihja femër të bukur më rrëqethej trupi!
Me Zarifen jemi njohur në një vetëshërbim të Prishtinës dhe që nga ajo ditë i jemi afruar njëri-tjetrit.

Njohja ishte krejt e rastësishme: unë kisha mbushur dy qese najloni me gjëra ushqimore, ndërkaq ajo shikonte në raftet e vetëshërbimit në kërkim të një parfumi aromatik.

Kur ia lëshova sytë, e pash se ishte shumë e bukur, ndërkaq veshur kishte një fustan deri në gjunjë dhe një bluzë të kaltër.

Ishte verë, nxehtë, kështu që veshja e saj verore menjëherë më dridhi trupin. Kam pasur një shprehi të keqe: kur shihja një femër të bukur, më rrëqethej trupi dhe nuk dija as vetë si arrija aty për aty të gjeja një mënyrë për ta ngacmuar.

E kthyer me shpinë prej meje, këmbëgjatë dhe biondinë, ajo shikonte herë një parfum e herë një tjetër, ndërkaq unë u ndala pranë saj dhe e kapa një parfum.

“Merre këtë parfum, është më i miri dhe e ke prej meje”, guxova t’i them me një zë që në fillim u dridh.

Ajo më shikoi dhe, pastaj, hijerëndë ma ktheu:
“Jo, s’ka nevojë, faleminderit!”.

Mbeta në një situatë shumë të keqe dhe nuk dija kah t’ia mbaja…
“A do ma blesh ti mua një, atëherë?”, i thashë.

Ajo në atë moment ndryshoi pamjen në fytyrë dhe, sikurse mua, edhe asaj i buzëqeshën buzët.

“Cili të pëlqen?”, më tha dhe këtu e kuptova se ajo ra në grackën time.

Si rrodhi tutje ngjarja?
Sa kanë ndryshuar, o zot, kohëve të fundit vajzat shqiptare, mendoj me vete.

Më përpara ishte dashur që t’i shtjerrësh tri-katër palë këpucë, duke vrapuar pas tyre, tani me një fjalë goje e bën për vete cilëndo femër dhe kjo është shenjë e mirë e emancipimit të tyre.

E pash se si më “hëngri” me sy që nga këmbët deri te flokët dhe prapë rrinte e buzëqeshur. Vetë mënyra se si ishte kthyer kah unë dhe më shikonte me bisht të syrit, tregonte se asaj po i pëlqeja nga çasti në çast.

Edhe pse ishte shumë e bukur, për dallim nga unë, ajo nuk më refuzonte, nuk më injoronte, nuk ikte prej meje… Përkundrazi, dëshironte të komunikonte me mua, aty në vetëshërbimin ku i shikonim parfumet.

Megjithatë, në fund, as unë asaj e as ajo mua nuk i blemë parfum, sepse harruam parfumin shkaku se kishim tjetër hall: Si t’i afroheshim sa më shumë njëri-tjetrit…

Kur dolëm nga vetëshërbimi, unë me dy qese e ajo me një, u drejtuam në të majtë të një rruge kah dëshironte të shkonte. Ndërkaq, unë, po ashtu, i thashë se andej e kisha rrugën…

Në fakt, e gënjeva vetëm e vetëm për të mos u ndarë prej saj, sepse banesa ime ndodhej përballë atij dyqani.

Ndalesha dhe e shikoja dhe nuk më besohej sesi më lejonte ta shoqëroja: Ishte femër ideale ose kështu më dukej mua për momentin?!

Ndoshta më tepër më linte përshtypje stili me të cilin ishte veshur: dukej sikur femër evropiane, e për këtë arsye mua m’i mori mendtë.

Menjëherë mendova me vete se, ndoshta, ajo bën pjesë në grupin e atyre femrave të bukura, të cilat vuajnë më së shumti për mashkull, sepse djemtë kur i shikojnë se janë të bukura, nuk kanë guxim t’u afrohen, sepse kujtojnë se s’kanë shans t’i zënë.

Nuk di se çka ndodhte me mua në ato çaste, ecja rrugës me qese në dorë, krah një femre që deri atëherë as emrin nuk ia dija, as adresën dhe asgjë tjetër…

E pyeta, sepse nuk u durova më dhe ajo më tha se i kishte 24 vjet, se banonte në lagjen “Ulpiana” në një banesë.

Dhe, nuk mund ta përshkruaj momentin kur ajo u kthye prej meje dhe më pyeti: “Ej, kush je ti, more?!”.

As unë nuk e gënjeva, por me sinqeritetin më të madh i thashë se punoj dhe jetoj në Prishtinë, se i kam 26 vjet, se kam banesë dhe pagë të mirë, se familjen e kam në fshat, se jam i pamartuar, i pafejuar dhe i pa dashuruar.

Kur ia thashë këtë të fundit, ajo qeshi dhe më ndërpreu: “Edhe ti si unë qenke, a?!”.

Për të parën herë mësova se ç’është vuajtja!
Ia dhashë numrin e telefonit të banesës sime, kurse në atë kohë pakkush kishte telefon në banesë. E, ajo më premtoi se do më thërriste dhe, në këtë mënyrë, u ndamë për t’u takuar sërish.

Tërë atë pasdite dhe as natën nuk më është hequr nga mendja pamja e saj madhështore dhe ashtu në largësi fillova të ndieja diçka që s’kisha ndier asnjëherë në jetën time për asnjë femër tjetër: vuajtjen.

Të gjitha femrat që kisha njohur para Zarifes nuk më kanë ngazëllyer aq shumë si ajo dhe nuk ma kishin rrëmbyer zemrën, sepse gjithnjë femrat i kam dashuruar me kokë, por jo edhe me zemër.

Me Zarifen ndodhte diçka krejt tjetër që nuk e kisha provuar më parë, aq më tepër kur tërë atë ditë dhe tërë atë natë nuk e di sa herë isha shikuar në pasqyrë dhe nuk më besohej se ajo femër kishte folur me mua.

Kur shikohesha në pasqyrë më dukej vetja i shëmtuar karshi Zarifes!
E shikoja veten në pasqyrë dhe më dukej vetja i shëmtuar, sa herë përfytyroja fizionominë e Zarifes. Megjithëse, të gjitha femrat që më kanë dashuruar më kanë quajtur “facë”, “simpatik”, “bukurosh”.

Më e keqja ishte se të nesërmen ajo nuk ma cingëroi fare telefonin, e unë s’kisha ku ta thërrisja, meqë ajo nuk ma dha numrin e telefonit të saj.

E pranoj një gjë: e kam inatin e madh dhe kurrë nuk kam pranuar të gjunjëzohem para një femre.

Dhe, kur mendova se çdo gjë kishte mbaruar me Zarifen dhe kur në vend të saj ftova në banesën time një femër tjetër, por jo të bukur si Zarifja, për t’mi “qetësuar nervat”, në telefonin tim dëgjova zërin e ëmbël të Zarifes. “Alo! Izet, a je ti?”.

Çfarë gëzimi ishte për mua ai moment, ndoshta s’do të mund ta harroja përjetë.

U pajtuam që të shihemi në mbrëmje, ndërkaq femrës që e kisha atë ditë në vend të saj, m’u desh t’ia ndryshoja realitetin që më lidhte me Zarifen, sepse të rralla janë ato femra që dëshirojnë të të shohin me një femër të dytë.

Ç’është e vërteta, nuk dëshiroja ta humbja as Eminen, e cila, po ashtu, ishte vajzë që m’i “kuronte plagët” në trupin tim të shkallmuar: ajo ishte gjithnjë e etshme për seks.

Më gjeti me tjetrën dhe më la!
Kur dola me Zarifen, as nuk u vesha më mirë, siç bëja nganjëherë dhe as nuk ndryshova gjë në pamjen time, sepse e dija se edhe ajo tashmë dukej të ishte e dashuruar në mua.

Ashtu edhe ndodhi: sapo u ulëm në “Arabeskë”, që ndodhej në afërsi të hotelit të tashëm “Swiss Diamand”, ajo zgjati buzët drejt meje dhe më puthi.

Nuk e di as vetë si e ndjeva veten në atë moment, por prapë e stopova veten dhe vetëm shikoja fytyrën e saj gazmore.

Në atë takim vetëm u puthëm, ndërkaq pas dy ditësh, kur u takuam, ajo më ftoi në banesën e saj, ku edhe e kalova një natë me të.

Nuk mund ta përshkruaj me fjalë se çfarë ka ndodhur midis meje dhe asaj, por mund të them se i kam pasur disa femra, mirëpo kënaqësinë më të madhe seksuale deri atëherë ma pat dhuruar Zarifja.

Nuk e kam pyetur se a kishte pasur dikë tjetër para meje dhe në cilën moshë e kishte humbur virgjërinë, sepse, thjesht, nuk më dukej normale ta pyesja…

Shtatë muaj e gjysmë kemi qenë bashkë dhe kushedi sa do të ishim sikur të mos ndodhte e papritura: ajo erdhi një natë në banesën time dhe më gjeti me një femër tjetër…

Dhe, që nga ai moment kurrë më nuk më ka dal në takim Zarifja…

Tani, në këtë moshë që kam, shpesh i them vetes: Asgjë në këtë jetë nuk po t’u kujtuaka përveç femrave që i ke pasur… Izeti /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË