Çfarë bëjnë nënat kur fëmija qanë se nuk dëshiron të rrijë në çerdhe?

Ikin.

Unë jam edukatore në çerdhe dhe çdo ditë merrem me lotët e fëmijëve, dhe ju siguroj që, në të shumtën e rasteve koha sa fëmija do të qajë pas largimit, është e barabartë me kohën që ju kaloni duke mos mundur të largoheni. E di që për nënat është e vështirë ta lënë fëmijën duke qarë, por nëse ndarja bëhet në mënyrën e duhur, fëmija nuk do të qajë gjatë.

Atëherë, cila është mënyra e duhur? Çka duhet të bëjmë e çka jo?

Të ikni kur fëmija nuk e ka vëmendjen te ju është mënyrë e lehtë që t’mos e shihni fëmijën tuaj të dashur duke qarë pas jush, por kjo nuk e zgjidh problemin. Fëmija qan sepse i frikësohet braktisjes, e kur shohin që nëna është zhdukur fshehtazi, kjo frikë veç rritet më shumë.

PËRSHËNDETUNI DHE THUANI FËMIJËS QË E KENI PATJETËR TË SHKONI

Përqafojeni fëmijën, putheni apo çfarëdo forme tjetër të përkëdheljes që e keni zakon ta praktikoni.

MOS U DUKNI E FRIKËSUAR DHE E MËRZITUR

Fëmija e vlerëson situatën duke lexuar fytyrën tuaj. Nëse dukeni që jeni e frikësuar ose gati për të qarë, kjo e bën fëmijën të mendojë se nuk është i sigurt dhe e rrit shqetësimin e tij.

BUZËQESHNI DHE THUANI FËMIJËS SE DO TË ARGËTOHET SHUMË NË ÇERDHE

Bëni që fëmija të shohë se është i sigurt dhe nuk ka asgjë për t’u brengosur. Kjo ndoshta kërkon pak aktrim nga ana juaj, veçanërisht nëse e keni të parin fëmijë dhe ndaheni për herë të parë. E di sa të mërzitur janë nënat në këto raste. Në çerdhen ku punoj unë, më shumë qajnë nënat sesa fëmijët. E di që prindërimi nuk është i lehtë, por duhet të jeni e fortë për fëmijën tuaj. Buzëqeshni plot siguri dhe vetëbesim përderisa largoheni, pastaj mund të shkoni e të qani.

MOS U TREGONI INDIFERENTE NDAJ LOTËVE TË FËMIJËS

Është e rëndësishme që fëmija ta dijë se ju brengoseni kur ajo/ai është i mërzitur. Mos i qortoni pse qajnë.

BËJINI TË NDIHET I SIGURTË

Thuani fëmijës se do të kalojë shumë bukur në çerdhe, edhe pse tani është i pikëlluar. Përkujtoja se ju (ose dikush tjetër) do të ktheheni për ta marrë. Nëse doni, mund të bëni plan për ndonjë aktivitet që do ta bëni sëbashku pas orarit të çerdhes. Kjo do t’i përkujtojë për kthimin tuaj, dhe do t’jua mundosojë edukatoreve ta ngushëllojnë fëmijën.

Kur fëmija qan, është shumë ngushëlluese të mund t’i thuash: “Dëgjova se me nënën do të shkoni të hani akullore. Sa mirë! Cila është shija jote e preferuar?” Përnjëherë, fëmija buzëqeshë dhe mendon për të ardhmen. Veç para një minuti, ajo/ai po qante dhe s’mendonte tjetër pos se sa i vetmuar dhe i mërzitur është. Tani është i emocionuar si do të argëtohet me nënën. Kështu pastaj është shumë më e lehtë për fëmijën të nis të luajë me shoqet e shokët.

Ja një shembull si do të funksiononte në praktikë:

Ju: N’rregull Agim, tani nana do t’shkojë në punë. Të dua shumë!

Agimi: *bërtet*

Ju: *e përqfoni, e puthni* Zemër, mos u brengos. Do t’kalosh shumë mirë në çerdhe. Unë vij t’marr në (kohën kur e merrni) dhe pastaj do t’bëjmë (diçka) sëbashku.

Agimi: *vazhdon t’qajë dhe nuk ju lëshon* Jo, mam. Mos shko.

Ju: *Ia jepni edukatores*. Unë duhet t’shkoj në punë, shpirt. Shihemi më vonë. Mezi po pres t’më tregosh si ke kaluar. Të dua shumë. Shihemi.

Dhe largoheni.

E di se është e vështirë të ikni kur fëmija është duke qarë, por nëse e aplikoni këtë qëndrim ju siguroj se kur të ktheheni do të gjeni një fëmijë të buzëqeshur, të lumtur që do t’nis t’ju tregojë si i ka kaluar dita në çerdhe.

E kam parë mijëra herë, dhe ju premtoj se funksionon.

MUND TË JU PËLQEJNË