Ndërtimi i vazhdueshëm i autostradave në Kosovë, si kjo e Dukagjinit tani, nuk ka dilemë se po i shkatërrojnë tokat e bukës, shkruan “Kosovarja”.

Tokën e bukës nuk e ka zënë vetëm autostrada e Pal Lekajt, si krahu i djathtë i shpenzimeve te Ramushi, por tokat e bukës që nga paslufta i kanë shkatërruar edhe ndërtimet e egra me e pa leje, me e pa arsye përreth magjistrales Prishtinë-Shkup, veçmas nga Prishtina për në Ferizaj dhe kurrë askush nuk ka dhënë llogari!

Qeveritë e Thaçit kanë lejuar që komunat të pajisin me leje ndërtimi dhe pune të gjithë blerësit dhe afaristët.

Të gjithë blerësit kanë qenë të rretheve politiko-partiake të njerëzve në pushtet. Kështu, është lejuar që në parcelat kadastrale të komunave përkatëse të ndërtojnë çka të duan dhe ta zënë tokën e bukës!

Në këtë aspekt, pa dyshim, prin Lipjani, me mbi tetë mijë hektarë toke të transaksionuar përmes këtyre ligjeve, duke u ndërruar pronarët!

Kjo komunë, me ish-kooperativën bujqësore më të pasur në Kosovë, të gjithë sipërfaqen e tokës së bukës ua ka bartur ish-pronarëve titullarë nga ish-Jugosllavia, shumica absolute e të cilëve janë serbë.

Procesi i transaksionimit të tokave ka kaluar tërësisht nëpër gjykata, duke ua legjitimuar serbëve tokat si prona të tyre, me një ligj të vitit 1996-1997, që kishte mbetur në fuqi edhe paslufte, sepse kështu u konvenonte qeverive!

Si pasojë janë shndërruar mijëra hektarë tokë buke në zona ndërtimore, duke krijuar afera të tokës dhe shitjes nga njerëzit e qeverive Thaçi, për të ardhur deri këtu që sot shteti të mos ketë më toka të bukës e as prona shoqërore!

Puna ka ardhur deri në atë pikë sa përfitimet personale janë shumëfishuar, duke shkuar edhe te shpronësimet për autostrada dhe ndërtimet e lagjeve të reja.

Dhe, aq shumë është katandisur qeveria me përfitime me tokat e bukës, sa nuk e kanë parë se si Beogradi në tokë të Kosovës, në veri, po e ndërton lagjen “Lugina e Diellit”, me mijëra shtëpi, e që është një kolonizim në sytë e qeverisë dhe, për më keq, shteti ynë as që ka statistikë se kush jeton në veriun e Kosovës!

Sidoqoftë, shitja dhe stërshitja e tokave të bukës, kryesisht në komunat Lipjan e Ferizaj, ka krijuar edhe skandale dhe afera, e që juridiksioni nuk i ka vënë në vend.

Andaj, të mos harrojmë se gjithë ato toka janë shitur e stërshitur me ligjet e Serbisë në shtetin e ri të Kosovës, e përfitimet janë bërë për korrupsion.

E, në këtë rast, ka humbur më së shumti shteti. Janë pasuruar individët dhe klanet, kurse është dobësuar shteti, e që më nuk ka pronë shoqërore! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË