Gjatë gjithë jetës sime dhe përvojës si gjykatës, kam përjetuar dhe kam qenë pjesë e shumë rasteve nga më të ndryshmet, e që kanë të bëjnë me shkurorëzimet e çifteve. Dhe, përvoja imja ka qenë edhe një shtysë më shumë për t’u marrë me profesionin që zgjodha. Këto raste, edhe pse jo të këndshme, megjithatë, janë raste që ndodhin. Por, ka edhe raste të veçanta, e që marrin kah tjetër nga ai që synon çifti, për të cilin rast edhe do bëjmë fjalë në këtë shkrim, shkruan “Kosovarja”.

Si filloi?
Ishin vitet 70, kohë kur edhe mentaliteti i njerëzve, qasja e tyre ndaj jetës, ishte shumë më ndryshe.

Në Klinë aso kohe nisi të flitej për një lidhje të veçantë, në shkollën e mesme të qytetit, ku jetoja dhe punoja unë, sepse në atë kohë, një lidhje e tillë e bërë publike ishte habi për të gjithë.

Madje, për lidhjen e tyre dinin edhe profesorët e tyre, e që filluan t’i shikonin me sy paksa ndryshe…

Pikëtakimi i tyre ishte lugina rreth Drinit, e që kalonte rreth qytezës.

Dhe, menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme Fahria dhe Saliu u fejuan. E, një muaj pas fejesës, po atë verë edhe u martuan.

Por, pas martesës rrallëherë i shihja, meqë unë ndërkohë kalova me punë në Pejë dhe vizitat e mia në Klinë rralloheshin, meqë obligimet tashmë më lidhnin me Pejën.

Si ndodhi kërkesa për shkurorëzim?
Një ditë, teksa punoja në zyrë dhe i shikoja kërkesat për shkurorëzim, hasa në një kërkesë që nuk më pëlqeu fare. Kërkesën e kishte paraqitur Fahria dhe kërkonte shkurorëzim nga Saliu…

Ditën tjetër ua nisa ftesat për seancë: Fahries dhe Saliut.

Në ditën e caktuar, në orën 13, ata ishin në gjykatë, para derës sime të punës. Në zyrë, së pari, e ftova Fahrien dhe e pyeta për shkaqet e ndarjes, të shkurorëzimit.

Dhe, pasi e dëgjova Fahrien, i thashë të priste pak jashtë, ndërkohë që e ftova të hynte brenda Saliun.

E, pasi e dëgjova, kuptova se ishin “rrokur për një fije kashte”, siç thuhet në popull, e nuk dëshironin më të ishin bashkë.

Unë isha kategorikisht kundër ndarjes së tyre, në radhë të parë, kur konstatova se nuk kishin arsye për ndarje, e, në anën tjetër, ishin shembull se si në atë kohë dashurinë e tyre e kurorëzuan me martesë, e që do ndikonte negativisht te të tjerët po qe se do të ndaheshin.

U dhashë një javë afat të mendonin dhe do i merrnin ftesat për seancën tjetër…

Ndërkohë, një i afërm imi, e që i njihte mirë, ma mundësoi të kontaktoja me të dy në Klinë, në një kafeteri të asaj kohe, e që ndodhej jo larg vendit ku ata shëtisnin në ditët e rinisë, në livadhet afër Drinit.

Dhe, pasi pimë nga një kafe, Fahria ishte kategorikisht që të ndahej, kurse Saliu sadopak ndërroi mendjen.

Ndërkohë, i lus të ngrihemi dhe të ecim pak. Ecja na qonte drejt livadheve, ku ata dikur shëtisnin dorë për dore.

Fahria u ndal në rrugë dhe nuk donte të vazhdonte tutje. Por, me lutjet e mia bëri që të ecim dhe arritëm në vendin ku ata dikur uleshin dhe kalonin çaste bashkë.

Në atë çast unë ua ktheva shpinën dhe u nisa kah qyteza, kurse ata i lash vetëm.

Pas pak, kur ktheva kokën pas, nga larg shoh se ecnin dorë për dorë…

Pse e bëra atë?
Qëllimi im ishte t’i shpija mu në atë vend, pa marrë parasysh se çfarë mund të ndodhte, sepse gjatë përvojës sime pata lexuar përvojën e një gjykatësi të njohur amerikan, i cili kishte arritur ta shpëtojë një martesë vetëm atëherë kur çiftin që kërkonte shkurorëzim kishte arritur ta dërgonte në pikën ku ata i kishin kujtimet e paharrueshme.

Dy ditë më vonë, të dy bashkë, më morën në telefon. “Faleminderit, e shpëtove një martesë!”, më thanë. Diturie Haxhaj /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË