Edhe pse me probleme shëndetësore dhe në karrocë, Enver Jashari më me qejf do të punonte, sesa të përfitojë afro 300 euro në muaj nga shteti.

Paga që e merr nuk i mjafton për t’i kryer obligimet familjare. 38-vjeçari thotë se s’po gjen punë të përshtatshme, sepse shteti s’po bën asgjë për këtë kategori të shoqërisë.

“Nëse na ofrohet punë në bazë të aftësive që kemi, jemi të gatshëm të punojmë”, tha ai.

Për shkak të ballafaqimit me probleme shëndetësore, Jashari për çdo muaj merr 150 dhe po aq para edhe kujdestari i tij, si dhe 75 euro për barna.

Këtë shumë prej 75 eurosh e marrin vetëm personat me aftësi të kufizuar që u takojnë grupeve paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

Mirëpo, nga kjo e drejtë e kësaj shume janë të privuar personat që marrin vetëm 150 euro.

Me probleme shëndetësore dhe me nevoja të veçanta në Podujevë janë edhe rreth 900 persona të tjerë, por vetëm gjashtë prej tyre punojnë.

Çdo i pesëdhjeti person i punësuar në institucione publike ose private i takon kësaj kategorie. Mirëpo, ligji nuk po gjen zbatim.

Veç kësaj, personat me aftësi të kufizuara posedojnë një librezë me të cilën lirohen nga disa detyrime; nuk paguajnë mbeturina, kanë shërbime shëndetësore pa pagesë, energjinë elektrike e kanë të paguar deri në vlerën 120 euro për një vit, si dhe janë të liruar nga dogana për automjet si dhe regjistrimin e tyre.

Kjo librezë është e lëshuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me Shoqatën “HANDIKOS”, organizatë joqeveritare që shërben për rehabilitimin e personave me nevoja ndryshe.

Koordinatori i kësaj organizate në Komunën e Podujevës, Idriz Hoxha, tha se në kuadër të personave me nevoja të veçanta, nga afro 900 persona të regjistruar, vetëm gjashtë prej tyre janë të punësuar.

“Megjithatë, jemi duke punuar në këtë drejtim”, shtoi ai.

Komuna e Podujevës këtyre personave ua ka caktuar tri vendparkime në tërë qytetin.

Megjithatë, ky nuk është problemi i vetëm që i shqetëson personat e këtij grupi të shoqërisë.

Është edhe pamundësia për t’u qasur në çdo institucion të vendit.

Enver Jashari si qytetar i komunës së Podujevës thotë se gjithmonë ka nevojë për dikë prapa vetes dhe se asnjë shërbim nuk mund ta kryejë i vetëm.

Ai tregon se gjithmonë dikush nga familja i ndihmon për të shkuar në cilindo institucion për të kryer shërbime.

Pothuajse asnjë institucion nuk iu ofron kushte që pa ndihmën e ndonjë personi të dytë të kenë mundësi inkuadrimi.

E një gjë të tillë nuk ua ofrojnë as komunat e në veçanti as spitalet. Pjerrtore (staza) ka, por nuk janë të përshtatshme për përdoruesit e karrocës.

Ndonëse nuk ka statistika të sakta, në Kosovë llogaritet se afër 15% e popullatës janë persona me aftësi ndryshe.

Këtyre personave u mohohen të drejtat më elementare, përfshirë edhe të drejtën në punësim.

Bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 10 deri 15 për qind e popullatës në botë e përbëjnë personat me nevoja të veçanta.

Data 3 dhjetor është shpallur nga OKB-ja si Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi Ndryshe(PAN).

Për nder të kësaj dite, në Kosovë, Shoqatat e personave me Sindromën Down, ajo e Autizmit,dhe e të Verbërve i kërkuan të drejtat e tyre, disa të tjerë organizuan ekspozita dhe lojëra të ndryshme./Express

MUND TË JU PËLQEJNË