Ndoshta e keni përjetu ndjenjën. Ndalesh e mendon: kjo shpi është llugë!

Sikur t’kishim qenë ma të organizum, ma pak të lodhur, ma pak përtacë, ma shpesh bashkë, ma kreativë, ndoshta t’kishim pasë ma shumë para ose ma shumë ndihmë – e kishim rregullu ma mirë.

Ka aq shume sende për me bë, thjesht nuk di nga me fillu. Ndonjëherë lodhemi hala pa nis. Në vend të ndjenjës së qetësisë që e duam në zemër për me qenë nana që duam për familjen tonë, na kaplon një ndjenjë e rëndë që na e shterr krejt energjinë, e na mbush me faj e turp.

E fajësojmë veten kur shohim tollovi në shpi, e kur kjo bëhet e tepërt, nisim t’i fajësojmë të tjerët. Edhe na vjen turp kur të tjerët e shohin efektin e pamundësisë sonë me ia dalë çdo ditë.

Kjo mundet me qenë paralizuese. Por kur e dimë se çfarë tollovie kemi në të vërtetë dhe i japim vetes një grimcë vetëdije dhe pak vet-mëshirë, atëherë mundemi me nis një “dietë” të sendeve dhe ta largojmë tepricën e gjërave që na konsumojnë ne, trurin, trupin dhe shpirtin tonë.

Tollovia shkakton stres

“Tollovia është në sytë e atij që shikon”, thotë Margit Novack. “Njerëz të ndryshëm kanë nivele të ndryshme të tollovisë”, kështu që nëse një fletore, një laps, ose një fotografi mbi tavolinë nuk të duket si tollovi, atëherë nuk është.

Thonë se Steve Jobs ka jetuar në një shtëpi shumë strikte, por fotot e zyrës së tij shpalosin se ai kishte një anë të tollovitur. Julie Morgenstern, autore e librit “Organizimi nga jashtë brenda” beson se “nëse mund të gjesh diçka kur të duhet, je e lumtur në hapësirën tënde dhe nuk ndihesh sikur tollovia po ta zë rrugën, atëherë je mjaftueshëm mirë e organizuar.”

Ka dy lloje të mosorganizimit që çojnë në tollovi. Ka periudha kur e gjejmë veten në tollovi e që janë krejt normale. Kjo vlen për momente tranzicioni ose ngjarje të jetës, si martesa, lindja e fëmijës, zhvendosja në tjetër shtëpi, rastet e vdekjes, etj. Krejt këto krijojnë një sasi të caktuar kaosi, tollovie e mosorganizimi. Kjo është tollovia e rastit.

Kur nuk e marrim veten e nuk krijojmë rregull pas këtyre ngjarjeve jetësore, e gjejmë veten në tollovi të vazhdueshme. Rregulli jonë nuk përmirësohet, bile mund të përkeqësohet dhe tollovia shkon duke u rrit.

Kemi të bëjmë me tollovi të vazhdueshme atëherë kur:

– Mosorganizimi dhe tollovia na pengojnë në martesë, marrëdhënie, punë ose shëndet

– Nuk mundemi me heq dorë prej sendeve, edhe atëherë kur nuk na duhen më

– Prej tollovisë nuk mundemi me i përdorë hapësirat në shtëpi

– Jemi mundu të organizohemi disa herë, por nuk ia kemi dalë

– Ndihemi sikur ka diçka që nuk shkon me ne, sepse nuk arrijmë të organizohemi

Kjo është një rrugë e rrezikshme. Mund të na ndikohet gjendja emocionale dhe mund ta gjejmë veten të mposhtur dhe të dëshpëruar saqë nuk gjejmë forcë për ta nisur procesin e largimit të tollovisë. Mund të arrijmë në një pikë kur jeta jonë e përditshme bëhet stresuese dhe motra e gërditshme e tollovisë, përtacia e vazhdueshme, shfaqet për të na e bërë barrën edhe më të rëndë.

Një nga arsyet pse kemi tollovi në shtëpi është se nuk mundemi të heqim dorë nga sendet. Na duket e vështirë t’i hudhim gjërat për të cilat nuk kemi nevojë reale. Të gjithë ndjejmë një lloj dhimbje kur duhet ta hudhim atë bluzën e vjetër që më nuk na hyn në punë, ose biçikletën e thyer në garazhë. Arsyeja për këtë është se këto sende kanë vlera emocionale, kanë kujtime që lidhen me to dhe janë pjesë e identiteti tonë.

6 këshilla si ta largojmë tollovinë

1. Vendos me hudh ose dhuru gjithçka që nuk e përdor, nuk e do, ose nuk të nevojitet

2. Angazhoji të gjithë anëtarët e familjes të kujdesen për rregullin në shtëpi

3. Shiti të gjitha gjërat që nuk i përdor asnjëherë (Këtu bëjnë pjesë edhe dhuratat që t’i kanë pru e nuk të hyn në punë, ose i ke bë dy sende të njejta, etj.

4. Nëse një palë këpucë ose rroba nuk i ke veshur qe nji vjet, dhuroji! Nëse 1 vjet nuk e ke veshur, s’ke për ta veshur asnjiherë.

5. Cakto një vend për secilin send dhe pas përdorimit ktheje menjëherë në vendin e duhur.

6. Bëje rregullimin e shtëpisë shprehi. Ndaj nga pak kohë çdo ditë për ta rregulluar shtëpinë, në mënyrë që ajo që duken pak, të mos shndërrohet në tollovi pas disa ditësh.

Një shtëpi me pak sende është më e bukur dhe më e rehatshme. Ajo të jep qetësinë dhe rehatinë që të duhet për ta ushqyer shpirtin dhe marrëdhëniet me familjarët.

MUND TË JU PËLQEJNË