“Oj Shqipëri, e mjera Shqipëri…”, më vjen në mendje ky varg, e që e mësova dikur teksa e qanim Shqipërinë, pas atyre që e kishin qarë para nesh.

Se duhet njeriu të ketë sekrete në jetë dhe se duhet të di të flas tinëz, e mësova qysh në fëmijëri të hershme. Nuk di sa kam qenë i madh kur babai fliste tinëz nesh, fëmijëve, për Shqipërinë. Vinin e shkonin njerëz nga shtëpia jonë dhe flisnin vetëm me babanë.

Pastaj, babai trette diku për disa ditë, duke na lënë vetëm, me fjalët e tmerrshme se do na vriste pushteti i asaj kohe, shkaku i Shqipërisë.

Erdhi një natë një burrë dhe i tha babait të mos flinte në shtëpi, por të ikte në mal, e ku kishte siguri, sepse do ta vrisnin do njerëz që e mbronin shtetin nga Shqipëria.

Ata, korbat e zi, sikur quheshin me simbolikë, do ta merrnin babanë e do ta dërgonin në kufirin e Shqipërisë dhe to ta vrisnin, duke e justifikuar vrasjen e tij me synim ikjeje në Shqipëri. Aty pash për të parën herë tytën e një arme të tij, teksa e hodhi në krah dhe i tha nënës të mos frikësohej, sepse ai ishte roje nate për të gjithë ata që mësynin shtëpinë tonë që ta sulmonin.

Rreth nesh kishte edhe të tjerë si babai që kishin bërë marrëveshje se po krisi pushka te ne, do të na vinin në ndihmë. Kuptimi i gjithë kësaj lufte ishte: Shqipëria është vendi ynë, e që na kishin ndarë gjatë historisë…

Vuajtja e dënimit për Shqipërinë

Por, nuk zgjati shumë dhe babanë e burgosën dhe e vuajti dënimin për Shqipërinë.

E vuajti dënimin, kurse Shqipëria u bë edhe më e fortë në zemrat tona. Dhe, pas kthimit nga burgu, kur i thashë babait pse e donte aq shumë Shqipërinë, i tha nënës të ma veshte këmishën e re dhe pantallonat e ri, sepse do të shkonim në Prizren.

E kisha dëgjuar emrin e këtij qyteti më shumë në librin e historisë. Babai më tha se kur të shkojmë në Prizren do të shohim gjëra të bukura. Dhe, kaluam male e male, lugina e gryka derisa arritëm në Prizren…

Me të arritur në qytet, babai më tha:

“E para gjë që duhet të kuptosh është të mos bësh me dorë kah ato kodra, sepse andej është Shqipëria! Nuk duhet të ndalesh dhe të shikosh andej, sepse pas nesh mund të ketë njerëz që na përcjellin!”.
Unë i pohova me kokë, por rreth nesh kishte aq shumë njerëz sa nuk mund ta besoja se të gjithë na përcillnin!

Pastaj, hyri në një qebaptore dhe bleu bukë e qebapë dhe u ulëm në karrige pranë lumit, me shikim kah kodrat e Shqipërisë. Larg nesh ishin ca kodra të larta, që unë aso kohe mendoja se i kishin ngritur njerëzit për ta fshehur Shqipërinë nga Kosova.

Tërë ditën bredhëm nëpër Prizren me babanë, vetëm e vetëm që t’i shihnim sa më gjatë kodrat e Shqipërisë.

Më pas babai më tregoi edhe qëllimin pse më kishte pru në Prizren dhe pse ishte i rëndësishëm Prizreni për mua…

“Ti do të rritesh me këtë kujtim të kësaj dite. Do ta mbash mend këtë ditë dhe do ta forcosh dashurinë për Shqipërinë.

Do ta ruash në zemër kujtimin e sotëm, se pas atyre kodrave është Shqipëria jonë, për të cilën duhet të vdesim të gjithë”, më tha me zë të ulët babai, duke shikuar anash në mos na dëgjonte kush.

Shqipëria na i plasi zemrat

Babai ka vdekur më 19 mars të vitit 1999. Pesë ditë më vonë do të fillonin bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe. Babai tashmë nuk është, por kodrat ndërmjet

Kosovës e Shqipërisë më nuk paraqesin problem. Dhe, kur e rikthej në mendje tregimin e babait për Shqipërinë, i them vetes se kjo nuk është Shqipëria për të cilën fliste babai. Shqipëria e vërtetë nuk është ajo të cilën e turbulloi Edi Rama. Shqipëria ishte një tokë që i tubonte të gjithë shqiptarët kudo që ishin ata.

Dikur e dinim kush e pengonte bashkimin tonë, por tash nuk dimë kush po e pengon këtë bashkim! Jemi ne shqiptarët ata që nuk e duam bashkimin dhe që e pengojmë të ndodhë ai! Dikur na pengonin të tjerët, e sot e pengojmë njëri – tjetrin! Duam të jemi shtet evropian, por Edi Rama e pengon këtë gjë!

Do ta mbajë pushtetin me forcë dhe korrupsion, për t’i mbajtur shqiptarët në tutor të vazhdueshëm, e që i përngjan një Sirie të Asadit: Le të ndodhë çka të ndodhë, pushtetin s’e jap…

Dhe, dje, edhe pse bënte ftohtë, shkova ta vizitoj varrin e babait. Dhe, fill pas, i them:

“Në Shqipërinë e ëndrrës tënde keq po shkojnë gjërat baba, prandaj t’i lë këto lule që ta sfidojnë të keqen që po ndodh atje, sepse Rama do luftë qytetare… Ti pusho në varrin tënd të përjetësisë, kurse neve na i kalli zemrat Shqipëria me sjelljen komuniste të Edi Ramës… Luftë për pushtet bëjnë atje partitë e mëdha dhe as që duan të dinë për shqiptarizëm!

Dhe, nuk kam fjalë kur shoh se çka po ndodh atje. Janë harxhuar fjalët… Nuk jetohet më me kujtime, siç jetonim dikur… Atje komunistët s’e kanë dert pse studentë mërdhijnë jashtë…

Turpërohemi me atë që bëhet atje, por turpërohemi edhe me politikanë tanë të Kosovës, të cilët, sa herë që kanë qejf krijojnë tollovi, hedhin gaz lotsjellës në Parlament, thyejnë xhama të shtrenjtë dhe nuk u intereson çmimi sa kanë kushtuar dhe kush i ka paguar xhamat…

Prandaj, andej e këndej kufirit kemi luftë politike, e që u bëmë përrallë para botës…

Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË