Në bazë të të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, numri i personave të vdekur nga koronavirusi në mbarë botën deri më tani ka shkuar në 13 mijë e 49 njerëz.

Duke u mbështetur në statistikat e këtij universiteti, mbi 307 mijë persona në botë janë të infektuar, kurse më shumë se 92 mijë e 300 prej tyre tashmë janë shëruar dhe janë liruar nga spitalet.

Cilat janë zhvillimet më të reja në botë rreth koronavirusit?

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhër që ushtria e vendit të tij të dërgojë ndihma mjekësore në Itali për të ofruar ndihmë në betejën kundër koronavirusit. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Dy persona janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur gjatë një proteste në një burg të Sri-Lankës, kur rojet e burgut i qëlluan me armë zjarri të burgosurit që po përpiqeshin të arratiseshin.

Tajlanda i ka konfirmuar 188 raste të reja të koronavirusit. Kjo është rritja më e madhe për periudhën njëditore në shtetin aziatik, ndërsa numri i përgjithshëm i personave të infektuar në këtë shtet tashmë ka shkuar në 599.

Kolombia e ka regjistruar vdekjen e parë nga koronavirusi të shtunën në mbrëmje. Viktima ishte një taksist 58-vjeçar nga qyteti bregdetar, Cartagena. Ai i kishte vozitur më parë dy turistë italianë, nga të cilët besohet se është infektuar.

India e ka futur në fuqi orën policore për ta luftuar përhapjen e shpejtë të koronavirusit. Deri më tani, në këtë shtet janë infektuar 315 persona, numër mjaft i vogël në krahasim me shtetet tjera të mëdha.

Pas tri ditëve pa raste të brendshme, në Kinë është konfirmuar një infektim i ri lokal. Ai ishte pjesë e 46 rasteve të reja dhe shifra po shkon duke u rritur për të katërtën ditë me radhë.

MUND TË JU PËLQEJNË