Autoritetet shëndetësore të Kinës njoftuan se ka shkuar në 259 numri i viktimave nga koronavirusi. Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara morën masa për kufizimin e lëvizjes së personave që kanë qenë më herët në Kinë.

Provinca Hubei, e cila është epiqendra e epidemisë së rrezikshme, po vazhdon të mbahet në karantinë. Rrugët janë të mbyllura dhe transporti publik është ndërprerë.

Për shkak të frikës se virusi mund të përhapet edhe më tutje, Shtetet e Bashkuara vendosën masa të rrepta për hyrjne e të huajve që kanë qenë në Kinë kohëve të fundit. Për më tepër, tri kompanitë ajrore kryesore amerikane njoftuan të premten se do t’i anulojnë fluturimet drejt Kinës.

Megjithatë, Gauden Galea, përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kinë, tha se masat për kufizimin e udhëtimeve nuk kanë qenë të nevojshme, shkruan “Reuters”.

“Ne do të donim që shtetet të përqendrohen në përpjekjet për identifikimin e rasteve të mundshme dhe kundërpërgjigjen ndaj ndonjë përhapjeje brenda territoreve të tyre”, tha ai.

Sipas kompanisë për analizimin e të dhënave të udhëtimeve, Cirium, rreth 10 mijë fluturime janë anuluar prej kohës së shpërthimit të koronavirusit.

MUND TË JU PËLQEJNË