Të paktën 15 persona kanë humbur jetën, nga tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë Lindore mbrëmjen e kësaj të premteje.

Sipas Haberler.com numri i viktimave pritet të rritet pasi dyshohet se ka shumë trupa nën rrënoja. E njëjta media bën të ditur se 8 persona humbën jetën në Elazig, 6 në Malatya dhe 1 në Dijarbakir.

Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Katastrofave dhe Urgjencave në Turqi (AFAD), tërmeti ka goditur distriktin Sivrice në Elazig, rreth orës 20 e 55 minuta (17:55, sipas kohës së atjeshme), nga një thellësi prej 6.7 kilometrash.

Menjëherë pas tërmetit fillestar, provinca është shkundur përsëri, nga një varg lëkundjesh përcjellëse, prej 3.3 deri në 5.4 ballësh.

Sipas raportimeve të para, tërmeti është përjetuar deri në Adana, në jug, e në Samsun, në veri, përgjatë kufirit me Sirinë dhe Irakun.

Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu, fillimisht ka deklaruar se kanë humbur jetën katër persona nga tërmeti, por numri më pas është ngritur në katërmbëdhjetë, pas konfirmimit nga AFAD’ja.

Soylu ka bërë të ditur se nga terreni ka raportime për të lënduar, por ai nuk ka përmendur ndonjë numër. Ministri gjithashtu ka njoftuar se shumë ndërtesa janë shembur, apo kanë pësuar dëme pas tërmetit të fuqishëm.

Guvernatorët e Elazigut dhe Malatias kanë thënë se qindra persona kanë pësuar lëndime nga tërmeti. Të paktën 225 persona janë lënduar në Elazig, ka bërë të ditur guvernatori Çetin Oktay Kaldirim. Ndërkaq, në Malatian e afërt, 45 persona janë lënduar pas dridhjeve të fuqishme të tokës, ka treguar guvernatori Aydin Barus.

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, ka thënë se ushtria turke është e gatshme të veprojë, nëse i kërkohet një gjë e tillë.

Menjëherë pas tërmetit, zyrtarët kanë thënë se qindra kamionë me ndihma – përfshirë ushqim, ilaçe, mbulesa dhe tenda – janë nisur drejt Elazigut dhe provincave të afërta.

Në këtë zonë janë dërguar edhe mijëra ekipe të kërkimit dhe shpëtimit, si dhe ekipe mjekësore.

MUND TË JU PËLQEJNË