Këngëtari Shkelzen Jetishi është shoqëruar në stacionin e policisë në Gjakovë, pasiqë ka dalur nga shtëpia duke shkelur kështu urdhërin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Policisë së Kosovë për vetizolim.

Për këtë shkelje, policia e Gjakovës ka hapur rast ndaj këngëtarit Jetishi.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nusret Gjurkaj i cili tha se këngëtari është shoqëruar në polici, është intervistuar dhe pastaj është liruar me premtimin se do e respektojë masën e vetizolimit.

“Dje është hapë rast për këngëtarin Shkelzen Jetishi për mosrespektim të urdhëresës. Është hap rast dhe është liru në procedurë të rregullt me premtimin që ka me e respektu urdhëresën”, tha Gjurkaj.

Përveç këngëtarit, Gjurkaj njoftoi se për shkeljen e urdhrit për vetizolim, policia në Gjakovë ka shoqëruar edhe dy persona të tjerë.

Këngëtari Shkelzen Jetishi u urdhërua të vetizolohej, pasi ishte parë afër këngëtarit tjetër nga Gjakova Muhamet Sjediu, i cili rezultoi pozitiv në testin për koronavirus.

Kujtojmë se, deri tani në Kosovë janë konfirmuar 24 raste me koronavirus, derisa qindra qytetarë, kryesisht të ardhur nga jashtë, janë vetizoluar, shumica prej të cilëve po qëndrojnë në qendrën e studentëve në Prishtinë./Sinjali/

MUND TË JU PËLQEJNË