Premtimi i Kadri Veselit se do të shkarkohen nga funksionet partiakët e vet që ndodhen nën aktakuza, ndonëse mund të ndodhë dhe veç ka filluar, nuk e kryen misionin e luftimit të korrupsionit, shkruan “Kosovarja”.

Nëse i pari i PDK-së, vërtet, do ta luftojë dhe demaskojë korrupsionin, apo veprat e tjera penale të PDK-istëve të tij, ato duhet t’i nënshtrohen gjyqësorit.

Dhe, duke ditur gjendjen institucionale të sistemit të drejtësisë në Kosovë, pak besohet se figurat politike nën aktakuza do të dënohen!

Kështu, të paktën, tregon praktika e deritashme e të gjithë atyre që janë etiketuar në afera të ndryshme, e ku drejtësia institucionale nuk ka shqiptuar dënime.

Në fakt, Kadri Veseli po premton diçka që brenda asaj partie mund të quhet reformë, por i pari i PDK-së, e që ka qenë faktor dhe është faktorizuar edhe më shumë me marrjen e përgjegjësive të reja shtetërore, duhet të qartësojë edhe qëndrimin pro kufijve aktualë të Republikës së Kosovës.

Nuk ka mundësi që Kadri Veseli të propagandojë reforma në partinë e tij, kurse partia të jetë gjysma me Thaçin e gjysma kundër tij për korrigjimin eventual të kufirit me Serbinë, apo të ketë qëndrime neutrale për hatër të presidentit të shtetit!

Aktualisht, ajo që dihet është se PDK-ja nuk është ajo që ishte dikur, parti pa të cilën nuk mund të bëhej shteti!

PDK-ja, për t’u reformuar, para së gjithash, duhet të mos bëhet si LDK-ja! Në PDK nuk i kanë kapur karriget, por, sa u përket dallimeve, janë aty diku!

A do të ketë reformë në PDK, kjo do të varet nga guximi dhe sinqeriteti i Kadri Veselit. Nëse ai ka qenë pa kundër-kandidat, kjo do të thotë se ai nuk duhet të kishte rivalitet, pikërisht për ta reformuar partinë.

Rënia e PDK-së ka ndodhur dhe po ndodh shkaku i degradimit të saj. E, degradimin e kanë shkaktuar funksionarët e saj të lartë, që kanë krijuar afera interesi…

Nga Kadri Veseli do të varet nëse PDK-ja do të rritet apo do të ndodhet afër pragut në zgjedhjet e ardhshme. Ata që merren me partinë brenda saj duhet ta kuptojnë se hajgaret dhe batutat, e që mund të aludojnë për ndonjë dominim të PDK-së, kanë përfunduar.

E, bashkë me to edhe “karamelet” për shumë partiakë të lartë, që i kanë dhënë dikur frymë PDK-së, për të qenë ajo që ishte.

Kadri Veseli nuk duhet t’i shkarkojë zyrtarët e PDK-së sa për sy e faqe, sepse ata që e kanë degraduar këtë parti duhet të ikin kokulur, e jo duke qeshur!

Sidoqoftë, po bëhen gati 20 vjet qëkur PDK-ja është në skenën politike dhe me njerëz e fytyra të njëjta!

Shumë prej tyre janë edhe në moshë të shtyrë dhe pak pritet prej tyre. Megjithatë, shumica prej tyre janë pasuruar!

E, kjo parti është dobësuar duke u dobësuar në terren, atje ku anëtarësia ka dashur t’i favorizojë të përkëdhelurit e vet, që nuk i ka dashur masa ku kanë jetuar! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË