Emine dhe Musë Morina s’do ta harrojnë kurrë pse nuk shkuan në Gjermani, kur vajza e tyre, Elona, u zgjodh studentja më e mirë e Universitetit Teknik të Ingolstadt-it (Techniche Hochschule Ingolstadt). Shkak pse dështuan të shkonin në ceremoninë e bijës së tyre ishte mungesa e vizave.

Florentina Hoti*

“S’patëm viza dhe nuk shkuam në ceremoni. Në ngjarjen më të rëndësishme për ne”, thotë Musa, i cili e ushtron profesionin e arsimtarit të gjuhës angleze.

Kosova është i vetmi vend në Ballkan që s’ka liberalizim të vizave. Arsye pse s’lëvizin kosovarët pa viza në BE është mungesa e luftimit të korrupsionit.

Vetëm gjatë vitit akademik 2017/18, 3 mijë e 472 studentë nga Kosova kanë qenë të regjistruar në univertitete gjermane, thuhet në një hulumtim të realizuar nga faqja studying-in-Germany.org, e cila është një platformë “online” e informimit të studentëve ndërkombëtarë.

Nëna e Elonës thotë se gëzimi për vajzën e tyre u kthye në zhgënjim, kur kuptuan se nuk do të mund të merrnin pjesë në organizimin e ndarjes së çmimeve për studentët më të mirë, ku po merrnin pjesë prindërit e 2 mijë studentëve.

“Të lumtur dhe krenarë pa masë, por u ndiem edhe të zhgënjyer për arsye se nuk mundëm të jemi prezent dhe të jemi afër vajzës sonë atë mbrëmje”, thotë Eminja.

Elona Morina është përzgjedhur më e mira studente e huaj në universitetin gjerman në drejtimin teknik. Kjo ka ndodhur falë përkushtimit të madh të saj, rezultat i të cilit ishin notat e larta, dhe falë punës vullnetare që bën ajo atje, u tha në letrën me arsyet e shpërblimit, që e shkroi universiteti.

Qysh në fillim të studimeve, ajo e ka nisur punën praktike në njërën prej kompanive më të mëdha automobilistike dhe punën si tutore e matematikës.

Studentja nga Ratkoci i Rahovecit kishte pasur suksese edhe kur ishte në Kosovë, duke marrë vendet e para në garat e matematikës.

Vështirësitë financiare për shkollimin e Elonës

I ati i saj tregoi që Elona zhvilloi një vit studimi në Universitetin e Prishtinës, pastaj u transferua në Universitetin Teknik të Ingolstadt-it, në Gjermani.

Ata folën edhe për vështirësitë që kaluan Eminja dhe Musa si prindër, ku si problem më të madh cekën vështirësitë financiare.

“Pasi Elona shkoi, muajt e parë e financuam ne me ndihmat tona modeste derisa ajo e filloi punën, kurse tani ajo studion dhe punon njëkohësisht”- tha e ëma Eminja, e cila e ushtron gjithashtu profesionin e arsimtares.

Ata gjithashtu e përmendën edhe ndihmën e xhaxhait të Elonës, i cili jeton dhe vepron në Gjermani, duke treguar se si ai iu gjend afër asaj në vështirësitë në të cilat hasi në fillim.

“E falënderojmë edhe vëllanë tim, i cili e mbështeti Elonën, si në mënyrë financiare, por edhe morale”, tha i ati.

Në një intervistë dhënë për universitetin, Elona tha që pas një kohe do të donte të kthehej në vendin e saj dhe të hapte një biznes.

“Do të doja t’i kaloja pesë deri në dhjetë vjet duke punuar në Gjermani dhe duke studiuar për Master. Pas një periudhe të gjatë, do të doja të kthehesha në vendin tim dhe të filloja një biznes timin”, tha ajo.

I pyetur për këto fjalë të studentes së dalluar, i ati i Elonës tha se nëse vendi do të përmirësohej, të njëjtën gjë do ta dëshironte edhe ai për të bijën.

Gjatë intërvistës, e ëma tha se Elona është duke e shijuar suksesin dhe duke e jetuar ëndrrën e saj.

“Ajo edhe si e vogël, kur luante me fëmijët, ka pasur dëshirë që të jetë kryesuese dhe t’i udhëheqë të tjerët, prandaj besoj se e ka arritur ëndrrën fëmijërore”, shtoi ajo.

*Florentina Hoti është studente e Degës së Gazetarisë në UP.

MUND TË JU PËLQEJNË