Një 19-vjeçarje gjermane po përshkruhet nga mediat si “anti-Greta”.

Naomi Seibt i ka dalë hapur aktivistes së klimës, Greta Thunberg, dhe e ka tërhequr tashmë vëmendjen e partisë së ekstremit të djathtë, AfD, në Gjermani, por edhe të konservatorëve amerikanë.

Naomi pritet t`i drejtohet shumë shpejt Konferencës së Aksionit Politik Konservator në Uashington, duke iu bashkuar emrave si Donald Trump e Mike Pence, që pritet të flasin gjithashtu.

Seibt financohet nga Heartland Institute, një “think-tank” i afërt me Shtëpinë e Bardhë, që mohon të dhënat shkencore për ngrohjen globale.

19-vjeçarja gjermane, e popullarizuar në YouTube, i thotë ndjekësve të saj se Thunberg dhe aktivistë të tjerë e kanë ekzagjeruar krizën e klimës, dhe po i shtyjnë njerëzit drejt “një histerie masive të panevojshme”.

“Ky alarm i tepruar mbi ndryshimet klimatike është në zemrën e një ideologjie të urrye anti-njerëzore”, thotë ajo, ndërsa pretendon se vetë nuk ka asnjë agjendë apo ideologji.

Në muajin dhjetor, kur Thunberg i drejtohej samitit të Kombeve të Bashkuara për ngrohjen globale, Seibt mbajti një fjalim në konferencën rivale të organizuar nga Heartland Institute, vetëm pak kilometra më larg.

MUND TË JU PËLQEJNË