Në Republikën e Kosovës më nuk flitet vetëm për gatishmërinë e të rinjve për largim jashtë vendit, në kërkim të sigurisë ekonomike dhe të një jete më të dinjitetshme! Në shtetin e Kosovës, më shumë po flitet për një përgatitje të largimit me apo pa liberalizim vizash, shkruan “Kosovarja”.

Tash, jo vetëm të rinjtë, por edhe të rejat me të madhe po largohen nga Kosova dhe për këtë ka edhe dëshmi. Nga QKUK-ja ka shumë raste të largimit të infermiereve, e, gjithashtu, edhe nga profile të ndryshme ka dëshmi të largimit të vajzave nga Kosova.

Parlamenti Evropian, të mërkurën që e lamë pas, mbajti një seancë plenare kushtuar liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës. Por, përveç fjalëve të mira, nuk ka pasur asgjë më shumë, e kosovarët janë ngopur fjalë e shpresa të kota!

Rinia shqiptare e Kosovës do liberalizim dhe vepra, kështu që më fjalët nuk shiten! Mijëra viza pune janë duke u kërkuar nga brezi i ri i disa komunave dhe ato pritje i dedikohen tregut të punës në Kroaci e Slloveni.

Petrit V. Tasholli, 29-vjeçar, nga Gadimja e Lipjanit, thotë se është në pritje të vizës.

“Edhe nja dy javë e më vjen pasaporta me vizë kroate. Por, jo vetëm mua. Jemi nja njëzet vetë nga Gadimja e Lipjanit që presim marrjen e vizës.

Por, ka edhe të tjerë që presin marrjen e vizës si nga Lipjani, e edhe nga Ferizaj e Prishtina, e që i njoh unë. Çka të bëjmë këtu?! Punë s’ka!

Siç na kanë thënë punëmarrësit, pas dy vjetësh mund të marrim edhe qëndrim në Kroaci dhe do kemi mundësi të lëvizjes në destinacione të shteteve të tjera të BE-së!

Boll na kanë mashtruar politikanët tanë gjatë fushatave zgjedhore dhe më kurrë nuk ua kemi parë sytë!

Për fëmijët e tyre janë tana të mirat, e për ne, popullin s’ka asgjë mirë!”, tha Petriti.

Alban Behluli, po nga Gadimja, thotë se me të gjithë vëllezërit po pret të ikin në Gjermani.

“Unë, për momentin, jam duke punuar në Lagjen “Veterniku” të Prishtinës. Punojmë me armaturë gjithë vëllezërit dhe bashkërisht synojmë të shkojmë në Gjermani”, thotë ai dhe shton: “Deri të liberalizohen vizat, s’ka me pasur nevojë për liberalizim, meqë rinia deri atëherë do ikë nga Kosova!”. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË