“Qe 10 vjet kam mbetur pa asnjë zgjidhje. Nuk kam shpresë më për asgjë. Jam mbështetur vetëm te Zoti”.

Me këto fjalë 44-vjeçarja Minire Bujupi fillon rrëfimin për jetën e saj plot sakrificë, e cila pas dhunës që kishte përjetuar te burri i saj dhe pasi babai i saj e kishte përzënë prej shtëpisë kishte filluar një rrugëtim të ri e të vështirë, duke u munduar të jetë edhe nënë, edhe baba për dy fëmijët e saj.

E për hatër të tyre ajo edhe sot po mundohet t’i fshehë gjithë dhimbjet e asaj që ka përjetuar.

Pasi nuk ka gjetur një strehim në familjen e saj Minire Bujupi tashmë gati qe dy vjet është duke jetuar me qira në një kat të një shtëpie të vjetër në lagjen “Bregu i Diellit”, në Prishtinë, për të cilën çdo muaj duhet të paguajë 130 euro qiranë e më pastaj edhe shpenzimet tjera për energji elektrike. Muret e shtëpisë në të cilën ajo banon janë të vjetra, derisa në dy dhomat e vogla brenda saj ka edhe shumë myk.

Ndonëse shtëpia është e vjetër, Bujupi është e detyruar të qëndrojë aty, për shkak se me atë çmim sa ajo paguan qiranë nuk ka mundur të gjejë strehim diku tjetër në Prishtinë. Për të siguruar paratë për qiranë, edhe pse me gjendje shëndetësore jo të mirë, ajo është e detyruar të punojë çfarëdo pune. Së fundmi ka gjetur një punë në një restorant në Prishtinë, por që paga të cilën merr aty nuk i mjafton.

Me paratë që i shkojnë për qira e më pastaj edhe për energji elektrike asaj i mbetet vetëm një shumë e vogël për të blerë ushqim, i cili ndonjëherë edhe nuk është i bollshëm në tryezën e tyre.

MUND TË JU PËLQEJNË