Kultura e emergjencave Koronavirusi, që shkakton sëmundjen COVID-19, ka infektuar mbi 134 mijë njerëz në gjithë botën. 

Si pasojë e tij, 4 mijë e 990 persona kanë vdekur. Rastet e para me koronavirus janë shfaqur në Kinë në muajin dhjetor, ndërsa që atëherë janë përhapur edhe në mbi 100 shtete të botës. Nga vendet më të goditura në Evropë është Italia, me mbi 12 mijë 400 raste.

Një kosovar, që jeton në Itali ka rrëfyer të jetuarit e izoluar shkaku i koronavirusit. Ai tregoi se nga e shtuna përveç evitimit të daljeve jashtë, masa kanë marrë edhe brenda familjes. “Kjo është dita e parë e të jetumnit totalisht në karantinë, pa pasë t’drejtë me dal kurrkun (përveç n’shpi dhe n’marketin e parë t’lagjes ose n’farmaci), pa shku në punë, pasi deri më 3 prill ma pezullun aktivitetin e punës. Masat edhe mrena familjes po i zbatojmë nga e shtuna, kur qyteti ynë u shpallë zonë e kuqe, pa pritur 48 orë më vonë t’shpallej krejt Italia zonë e tillë.

Të gjithë ne që punonim deri dje evitonim çdo kontakt me mbesën 3 javëshe dhe çdo afrim me të. Njisoj si e evitonim çdo afrim me familjarët me patologji. Fatmirësisht mu dhe nanës dje na i pezullun aktivitetet e punës për 3 javë, por vëllau dhe prindi po punojnë ende, sado n’kushte mizore. Brenga jonë si familje shkon për ta. Me shpresë që kjo të jetë dita e fundit e punës për të dytë.

Shumë të tjerë po refuzojnë t’dalin n’punë, edhe pse shteti s’e ka mbyllë punën n’çdo lami, ka edhe biznese që po vetmbyllen.”, u shpreh kosovari, i cili nuk dëshiroi që të publikohet identiteti i tij. Ai më tutje tregoi se dhe jeta përbrenda familjes duhet organizuar dhe se vizitat familjare i kanë ndërprerë tani e sa ditë. “Këto janë udhëzimet. N’shembullin e familjes Thaçi, vetëm unë e kam marr përsipër me dalë me ble produkte ushqimore në marketin ma t’afërt (sepse 1 km ma tutje s’ke t’drejtë, sepse sanksionohesh me ligj, me burg ose gjobë).

Jo vëllau, sepse ka foshnje t’re. Jo prindërit, sepse s’vjen n’konsideratë për arsye logjike. Organizone jetën me rrethanat e reja të krijuara. Skuadra sportive me alamet mbikëqyrje shëndetësore po organizojnë jetesë t’tillë drastike, bëjeni edhe ju. S’asht panikë. Quhet KULTURË E EMERGJENCAVE! Ndihmojeni shërbimin publik shëndetësor. Mos e vini në sprovë drejt kolapsit.”, u shpreh më tutje mërgimtari. Ai përshëndeti dhe falënderoi të gjithë shqiptarët në Itali për mobilizimin e mbrojtjes së familjes në këtë gjendje emergjente.

“Për fund i përqafoj shumë krejt shqiptarët këtu n’veri të Italisë që janë organizu MREKULLISHT, duke i parapri edhe udhëzimeve t’shtetit. I përqafoj shumë krejt ata që jetojnë në Bergamo dhe Brescia, vatrat ma t’mëdha të coronavirusit, ku ka komunitet t’madh kosovarëve, si dhe krejt ata që jetojnë në Milano, Treviso, Padova dhe krejt ata studentë dhe punëtorë restaurantesh nga Kosova që ndodhën n’Venezia.

Kurrë ma krenar nuk jam ndi sesa në këtë periudhë me shqiptarët këndej. Në mënyrë fantastike janë organizu për ta mbrojtur shëndetin e familjeve të tyre.”, shtoi më tutje kosovari që jeton në Itali.

 

MUND TË JU PËLQEJNË