Vlora e kishte shikuar me befasi. – Përse do të vinte? – Të them diçka që nuk ta kam thënë. – E çfarë është kjo? – Në ato momente u shfaq nëna e tij, me befasi po e shikonte mysafiren. – Nuk e kam ditur se ke ardhur! Vlora e kishte përqafuar. Përfundimisht kishe mundur t’i kërkonte falje kësaj gruaje për sjelljet e veta, për atë ditë kur kishte ardhur në derë për ta kërkuar Dinin.

– Më duhet t’ju falënderoj që jeni përkujdesur për mua kur isha e sëmurë. Nuk e kam bërë herën e kaluar, sepse isha e zemëruar në djalin tuaj. Por, sinqerisht ua di për nderë. – E zemëruar në djalin tim? Edhe ai ishte me ty, megjithëse nuk e kam idenë se çfarë kishte ndodhur midis jush. Vetëm e di se me zemërim nuk zgjidhen telashet. A ke ngrënë, fëmijë? Vlora buzëqeshi. – Kështu më ka pyetur edhe Dini, faleminderit. – Nënë, mos u brengos. Nuk do ta përzë nga shtëpia. – As mos guxo. Unë po shkoj në gjumë, e ju të dy, provoni ta kuptoni se ku po e godisni kokën për muri. Kur kishte dalë nëna, Dini i kishte propozuar të dalin jashtë. – Ajri është i mirë, mendoj se ajo që dëshiroj të ta them meriton atmosferë më të mirë, apo së paku ta fsheh shikimin nëse skuqem. Pranoi. Kapitulli i njëzetenëntë: Qielli ishte plot me yje, thuajse i krijuar për një shëtitje romantike. Po dëgjoheshin zëra nga natyra, por shumë mirë ishin përshtatur në qetësinë, qetësi që edhe Vlora po e ndjente në zemër. Pa marrë parasysh se çfarë kishte për t’i thënë, nuk do ta lumturonte më shumë se fakti që ajo ishte pranë saj. Tash ishte momenti i duhur, që në filmat e Hollivudit zgjidh gjithçka. Kjo ishte skena përfundimtare. – Shumicën e asaj që i kam thënë kur ke dashur të na vrasësh me veturë ishte në afekt. Edhe më tutje, vetëm ta dish, mendoj se nuk je normale që në atë mënyrë ma ke prerë rrugën. – E pranoj, kurrë nuk do ta bëja më. Që të dy filluan të qeshin, por nuk ishin shikuar në sy. Po ecnin dhe po shikonin para vetes. – Më mirë të flas unë. Këto janë disa gjëra, të cilat meshkujt ia thonë njëritjetrit për femrat. Ajo u shtang. – Unë nuk kam fjetur me atë. Ai nuk ka çfarë të kishte thënë ty. – Këtë e kam kuptuar më vonë. Ndoshta jeni grindur për diçka, e unë e kam takuar menjëherë pas atij momentit, ndërsa që a kishte thënë se nuk e kupton lidhjen pa seks. Atëherë e kisha të qartë se tipi po bën diçka që nuk dëshiron ta bësh. Këtu nuk e kisha të qartë. E më pas, pikërisht kur mendova se ke gjetur zgjidhjen, kur ta kam sjellë ushqimin kur ishe e sëmurë, pikërisht atëherë më ka thirrur Samiri dhe më ka thënë të gjitha ato që ti i kishte fshehur prej meje. Kuptoje veten Vlora, atëherë te ty kam vërejtur armikun. Edhe po argëtohesh me mashkullin që nuk e dashuron, edhe flet me mua edhe ma fsheh se nga cila familje vjen. Kam pëlcitur. Edhe, e vërteta është se nuk pëlqej politikën dhe unë iku prej saj. (vijon)

MUND TË JU PËLQEJNË