Përhapja e madhe e virusit COVID19 ka shkaktuar panik tek njerëzit në të gjitha vendet e botës, përfshirë ato që nuk janë prekur nga ky virus.

E as qytetarët e Kosovës nuk kanë qëndruar imun nga frika dhe paniku i koronavirusit. Nëpër marketet e kryeqytetit janë dyfishuar e trefishuar shitjet në dy ditët e fundit, shkruan lajmi.net.

Lajmi.net ka vizituar disa nga marketet e mëdha të kryeqytetit për të biseduar për rritjen e shitjeve, furnizimit me mall dhe për kërkesat e konsumatorëve.

Në njërën nga marketet e Prishtinës për lajmi.net kanë treguar se ka pasur rritje të jashtëzakonshme të konsumatorëve dy ditët e fundit.

“Dy ditët e fundit po, ka pasur rritje siç edhe po e shihni, qytetarët më shumë se zakonisht marrin ushqime me shumicë, kryesisht gjëra ushqimore dhe produkte higjenike”, thotë B.E, menaxhere e shitjes.

Në një market tjetër të Prishtinës, për lajmi.net kanë treguar se kanë mungesë të produkteve të higjenës por gjithashtu kanë thënë se shitjet janë rritur dje e sidomos sot.

“Po dje dhe sot, por sidomos sot që nga mëngjesi ka shumë shitje. Na është dashur të thërrasim punëtorë shtesë sot për të arritur t’i përgjigjemi konsumatorëve. Kryesisht po shiten artikujt ushqimor elementar si miell, makarona, vaj, produkte të bylmetit dhe të ngjashme”, thotë menaxheri i shitjes në këtë market.

Sipas këtyre marketeve, çmimet e produkteve ushqimore dhe të tjerat ende nuk janë rritur, por kjo mund të ndodh për shkak se blerja e madhe mund të shkaktojë mungesën e tyre.

“Po rritje të shitjes ka pasur sot, dje nuk ka qenë më ndryshe, sot po, nuk e di pse ka ndodhur. Rritje të çmimeve nuk ka ende çuditërisht, por mund të ketë nëse vazhdon kjo gjendje paniku dhe këto blerje të mëdha, mund të rriten edhe çmimet”, tha një shitës tjetër.

Pavarësisht kësaj, disa markete të Prishtinës kanë filluar të zbrazen nga artikujt ushqimorë.

Në disa fotografi që lajmi.net ka siguruar nga lexuesit shihet se nëpër markete të ndryshme kanë përfunduar artikujt ushqimorë të ndryshëm.

Sipas këtyre lexuesve, produktet më të shitura janë makaronat, pashtetat, mielli, vaji dhe të ngjashme.

Përveç marketeve, qytetarët e Prishtinës kanë shprazur edhe barnatoret nga maskat, dezinfektuesit dhe anti-septikët.

Paniku nga koronavirusi në Kosovë është rritur ditëve të fundit për shkak të konfirmimit të rasteve të të prekurve nga ky virus në vendet e rajonit si Maqedoni, Shqipëri e Serbi.

Ndërkohë, vlen të theksohet se sonte në mbrëmje është kryer testimi edhe i dy të dyshuarve me koronavirus që ka rezultuar të jetë negativ sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

IKSHP dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës po kryejnë kontrolla dhe testime të vazhdueshme të qytetarëve të dyshuar me koronavirus, si nëpër pikat kufitare, aeroportin Adem Jashari ashtu edhe në qendrat mjekësore nëpër qytete të ndryshme.

Aktualisht. numri i të prekurve nga Koronavirusi është 118,002 dhe kanë ndodhur 4,264 vdekje derisa 65,103 persona janë rikuperuar nga virusi.

MUND TË JU PËLQEJNË