Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, tha se në këtë ditë punëtorët e Kosovës janë në gjendje të rëndë.

“Është një mal me probleme, edhe më herët e kemi thënë, sot mbi 50 për qind të punëtorëve janë pa kontrata pune”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës.

Sipas tij, edhe humbja e jetës në vendet e punës është si pasojë e mos respektimit të ligjit.

Azemi tha se ka shumë arsyeje se punëtorët po ikin prej Kosovë.

Sot, gjithashtu mbahet protestë në Prishtinë e Han të Elezit, për humbjen e jetës në vendin e punës.

Konkurse të manipuluara, procedura gjyqësore të papërfunduara që lidhen me punën, punë 24-orëshe pa ndërprerë, mospagesë të kontributeve pensionale nga punëdhënësi, mospagesë të pagave deri në 8 muaj, privim nga pushimi vjetor dhe ai mjekësor, mospagesë për punën jashtë orarit të rregullt etj., janë disa nga shumë padrejtësi dhe shkelje me të cilat përballen punëtorët në Kosovë.

Mungesa e zbatueshmërisë së ligjit të punës dhe mbrojtjes e sigurisë në punë si dhe mosrespektimi i të drejtave të punëtorëve nga biznesi, por edhe institucionet ka bërë që shkeljet të shpeshtohen madje në disa raste punëtorëve vendi i punës u ka kushtuar edhe me jetë.

Përderisa në sektorin privat ka shkelje në secilën dispozitë të Ligjit të punës siç është mungesa e kontratës, vonesat në paga, problemet me pushime etj., në sektorin publik shkeljet më të mëdha bëhen në fazën e konkurseve.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini, ka ftuar të gjithë punëtorët që sot të dalin në protestë nga ora 11:00 në sheshin ‘Nënë Tereza’ e deri të Teatri Kombëtar.

MUND TË JU PËLQEJNË