Një pjesë të jetës e kam kaluar mbi muret e oborreve të fqinjëve, duke i ndjekur trumcakët. Një pjesë më ka shkuar me lloj-lloj gjërash të çuditshme, kurse pjesa tjetër po më shkon duke i komentuar politikanët tanë, shkruan “Kosovarja”.

S’di, askujt nuk ia mendoj të keqen, por sapo zgjohem dhe mendoj të dal te dera, me bismilah në gojë, më futet në këmbë një gjilpërë dhe më shkon goja te dreqi, duke pyetur se kush dreqin e la gjilpërën në tepih…

Pas pak, vetëm diçka që më pëlqen më bie në mend: kosovarët kanë filluar t’i duan kafshët, konkretisht qentë, të cilët me bollëk sillen poshtë e lart nëpër shesh dhe çdo rrugë të Prishtinës!

Shyqyr Zotit, them, paska edhe diçka që po na pëlqyeka! E, kur njerëzit i duan kafshët, rriten të drejtat ndaj grave…

E, kur rriten të drejtat ndaj grave, po e ngrite dorën drejt tyre, atëherë prite policinë në derë të shtëpisë!

Ëndrra që më ndau nga gruaja
Para dy muajsh kam parë një ëndërr të veçantë për natyrën e gjallë. Kështu, hyra në një lum, që dikur e thërrisnim Bistrica e Rugovës. Por, nuk e kisha hetuar se një vizitor më filmonte me kamerë! Ndoshta atë incizim ka menduar ta hedhë në internet, se kinse unë jam notari më i mirë i Kosovës…

Dhe, kur u zgjova në mëngjes, desha t’ia komentoj ëndrrën gruas, se si isha bërë kampion në lumin Bistrica. Por, tamam desha ta qes fjalën, më ra ndërmend nëna, duke ia shpjeguar babait ëndrrën e natës.

“Ah, grua, edhe ëndrrat i ke të budallenjve!”, ia ktheu ai.
Dhe, nga frika se gruaja do më thotë mu atë që babai ia tha nënës, hoqa dorë nga të treguarit e ëndrrës.

Eu Sokol, i them vetes, çka do që nis të bësh, ky djalli që e ke në të majtë, ta hedh pengun para!

Nisem të shkoj në punë dhe mendoj se ku do i del tymi ëndrrës. Derisa hyj në veturë më kujtohet se e kam harruar telefonin në shtëpi. Kthehem ta marrë dhe zë në thua dhe hundë e buzë i bëra përshesh!

Pasi e marr telefonin, si e porositur më thërret një femër.
“Hej, ti, i tregova gruas tënde se ne dikur kemi qenë dashnorë!”, më thotë ajo dhe ma mbyll telefonin.

Hopa, kjo qenka porosia e ëndrrës në lumin Bistrica, them me vete. Po, kush thotë se nuk del ëndrra?! Tash do të kërcet kiameti…

Dhe, pasdite, kur kthehem në shtëpi, shoh se gruaja ime është ndërruar e rregulluar si është më së miri…

“Eh, tash, vajhalli për mua!”, them ngadalë, por ajo bëhet sikur nuk më dëgjoi.

Pas pak, sikur gjej zgjidhje. Do i them gruas se unë, Sokol Murturi, nëna e vakive, ose do të jetojmë në besim të plotë si më parë ose do të ndahemi! Dhe, kur ia them këto fjalë gruas, ajo jo që kundërshtoi, por e miratoi menjëherë ndarjen…

“Më mirë ndahemi, sesa të ladrosh poshtë e lart me dashnoret tua!”, ma ktheu me plot pezm.

Eu, Sokol burri, po bërllok e bëre, e them në vete. Asnjëherë nuk dite me dalë nga kriza, por vetëm sa u thellove në të, madje thellë e më thellë…

Dhe, kur s’më mbet më çka të flasë me gruan, më shkoi mendja te taksa e Serbisë.
E, këtu kam çka të flasë dhe me kë të flasë. I kam ata të Redaksisë që në kafene flasin vetëm për politikë… Sokol Murturi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË