A janë të ndaluara për shitje mjetet e llojllojshme që marrin jetë njerëzish, të cilat sot janë bërë modë e konflikteve masive të të rinjve në shkollat tona, shkruan “Kosovarja”.

Nëse do të bënim një bilanc humbjesh të jetëve të të rinjve në Kosovë, shteti duhet të shfaqë brengosjen për praninë e mjeteve të ftohta te të rinjtë.

Rinia që përfshin dy nivelet e brezave të parë shkollor, janë të pajisur me mjete nga hekuri, të cilët në gjuhën popullore njihen me fjalën “boksa” dhe ata i bartin në shkollë për qëllime të caktuara.

E, qëllimi pse i barten me vete në shkollë, nuk do koment…

Dihet se i barten për të kërcënuar njëri-tjetrin dhe për goditur njëri-tjetrin.

Ka informacione të shumta anë e kënd Republikës së Kosovës se përdorimi i mjeteve prej hekuri po ndodhë me të madhe.

Rastet e shumta që po ndodhin evidencohen edhe nga policia, për të cilat thuajse përditë lexojmë në kronika të zeza të medieve tona.

Dukuria e përdorimit të mjeteve prej hekuri ndërmjet të rinjve, në shumicën e rasteve, ndodh shkaku i ngacmimeve seksuale dhe i nxitjes provokuese të vajzave me veshje dhe lakuriqësi, por edhe për shkak të përdorimit të substancave narkotike!

Këto fakte i dinë organet e rendit publik, por janë dy gjëra që janë për debat, e që duhet marrin trajtim nga shteti dhe ndaj të cilave duhet të merret vendim i prerë ligjor.

Ku i marrin të rinjtë gjësendet prej hekuri?
Kush i sjellë në mesin e tyre? Dhe, a ka mundësi në shkollat tona të krijohet rend dhe siguri te nxënësit?

Përgjigjet janë të thjeshta: Në tregun e veshmbathjeve, ngjitur me tregun e gjelbër në Prishtinë, i gjen të gjitha mjetet prej hekuri, e që i përdorin në rrahjet ndërmjet veti nxënësit në shkollat tona. Të gjitha shiten legalisht! Shiten, madje, edhe bokset prej hekuri!

Shtrohet pyetja: Pse inspektorati nuk i ndalon shitjet e tilla në treg?

Është punë e inspektorateve komunale dhe e shtetit që t’i specifikojnë mallrat që mundë të shiten në treg.

Shteti duhet t’i ndalojë shitjet e tilla, sepse mjetet e tilla, madje edhe të përsosura me susta automatike, mund të marrin jetë njerëzish edhe me një goditje të vetme!

Nëse ato mjete që i gjejmë në treg prodhohen në Kosovë, shteti duhet të ndalojë prodhimin e tyre. E, nëse vijnë nga jashtë, të merren masa në kufi që të mos depërtojnë në vendin tonë.

Por, edhe në shkollat tona duhet të avancohet sistemi i kontrollit të nxënësve se çka bartin ata në çantat shkollore, por edhe në xhepa.

E, faktet tregojnë se në çantat e rinisë shkollore, jo gjithnjë barten vetëm librat dhe fletoret.

Kanë me vete edhe mjete prej hekuri, e, ç’është edhe më e keqja, edhe pistoleta!

Andaj, do të ishte shumë e dobishme që kompanitë e sigurimeve apo kompanitë e autorizuara t’i kontrollojnë nxënësit në hyrje të shkollave.

Sepse, në këtë mënyrë, mund të zvogëlohen delikuencat, pasojat me fatalitetet dhe therjet me mjete prej hekuri.

Sidoqoftë, siguria e qytetarëve është ndër gjërat kryesore të shtetit, kurse haptazi shiten mjete prej hekuri, të cilat i përdorin nxënësit tanë në shkolla për qërim hesapesh!

Andaj, është e nevojshme të merren veprime urgjente, të cilat do jepnin rezultate. Pra, siguri për të gjithë. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË