Fjala “batall” do të thotë i lënë, i braktisur… Është fjalë turke e që ne po e identifikojmë me fjalorin politik të kohëve të fundit “batall shteti”! Kosova është bërë batall, askush nuk merret me të për ta bërë shtet as për të zbatuar Kushtetutën.

Kush do të ndihej tash krenar se të parët e Ilirëve e kishin prejardhjen nga pellazgët me emrin Hyll? Çfarë rëndësie do të kishte kjo në shekullin XXI kur njerëzimi modern po kërkon jetë në planetët që ne në Kosovë nuk ua dimë as emrat!

Çfarë rëndësie do të kishte fakti se të parët e Ilirëve e kanë prejardhjen nga pellazgët me emrin Hyll derisa ne, si popull që flasim shqip, jemi të shpërndarë në disa shtete, në të cilat na rrahin popujt tjerë, që janë shumë të vonë në trojet tona…

Dhe, teksa pija kafen e mëngjesit sot në kafiterinë e vogël të lagjes “Sahat Kulla” në Prishtinë, tre vetë komentonin ngjarjen e mospranimit të Kosovës në INTERPOL. Njëri prej tyre tha:
“Më mirë që nuk e kanë pranuar Kosovën në INTERPOL! Le ta kuptojnë politikanët tanë, e sidomos ministri Pacolli se asgjë s’janë duke punuar!

Ata kanë vetëm fjalë dhe kurrgjë tjetër…”.

Tjetri e vazhdoi mendimin e të parit dhe tha:

“Tash le ta shohin se sa e angazhuar është Serbia në
arenën ndërkombëtare!”.

I treti tha:

“Çka po presim ne më shumë?! Qysh i kemi
politikanët e kemi edhe shtetin!”.

Unë nuk mund të bëhesha pjesë e muhabetit, por teksa pi makiato, mendoj shqiptarisht se po të isha unë aty, ulur me ta, do të thosha: “Kishte shkuar një burrë me trup të madh në një dyqan terzie në Vushtrri për të blerë një mitan. Burrë se jo mahi!

E kishte përshëndetur terziun dhe i kishte kërkuar një mitan. Terziu e kishte urdhëruar shegertin t’i gjente burrit të madh mitanin dhe ai i kishte ofruar të parin, por burri i madh nuk kishte mundur t’i fuste as krahët në të.
E kishte sjell mitanin e dytë dhe as i dyti nuk i binte tamam dhe kështu me radhë, nja dhjetë mitanë, i kishte provuar.

Dhe, terziu, duke parë se nuk po i bëjnë burrit të madh mitanët e qepur, i thotë shegertit: “Hy në depo dhe merr një “batall mitan!” (batall në turqisht do të thotë i lënë, i braktisur.

Diçka që nuk e merr askush). I solli shegerti burrit të madh “batall mitanin” dhe as ai nuk i bëri punë. Në fund, terziu i tha myshteriut: “Ti nuk qenke as për “batall mitan”, he burrë!”.

E dini sa e sa sheshi po ndërtohet në Mitrovicën Veriore? Sheshi “Car Llazar”. Pastaj, afër tij një shesh tjetër, “Parku i paqes”, e kushedi çka do të ndërtohet në të ardhmen! E, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, pa fije turpi flet se si do i shemb ato sheshe dhe në to do të shëtisin qytetarët shlirshëm…
E, kur do të ndodh një gjë e tillë?!

Shkurt e shqip, premtimet e tij janë vetëm fjalë, si edhe ato të Behxhet Pacollit se Kosova ka lobuar dhe do të fitojë vendin në INTERPOL… Por, votimi tregoi të kundërtën!
Pra, ky është shteti ynë që i ngjan atij burrit që kërkonte mitan, e që nuk i bëri punë as “batall mitani”.

E, ne, shqiptarët, shpesh i kalojmë gjërat duke bërë “hopa” akoma pa kërcyer, tamam sikur bëri Pacolli mbrëmë me deklaratat e tij, e që dolën krejt boshe…
Prandaj, ky është shteti i batallëve, që nuk mund të qepin mitan për vete.

Ky “batall shteti” ka lejuar që populli të bëhet i varfër deri në masën sa të mos jetë i aftë të paguajë as rrymën e shpenzuar në shtëpi.

Ky “batall shteti” ka lejuar të jemi vetëm ne, shqiptarët, populli i izoluar në Evropë, duke mos na lënë as të shkelim tokën e Evropës.

Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË