BE-ja sikur mezi ka pritur deklaratën ofenduese për mohimin e masakrës së Reçakut, pikërisht nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiçi, për t’i hapur Serbisë edhe një kapitull të ri, në kuadër të hapjes së dialogut, shkruan “Kosovarja”.

Është hapur për Serbinë edhe kapitulli i katërt, që përcakton lirinë e lëvizjes së kapitalit apo qarkullimin e mallrave në raport me BE-në.

Republika e Kosovës është e vogël për ta tronditur BE-në. Por, Prishtina zyrtare, në raport me Serbinë, duhet ta refuzojë dialogun që pritet të ndodhë me formimin e qeverisë Kurti.

Prishtina zyrtare duhet të mësojë nga Beogradi për refuzimin e dialogut, sikur që e pat refuzuar Vuçiçi, pasi u vendos taksa për mallrat e shtetit serb.

Prishtina zyrtare duhet ta refuzojë vazhdimin e dialogut me Beogradin për gjithë kohën sa qeveria dhe shteti serb i kualifikojnë krimet dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve si skenarë dhe mashtrim i shqiptarëve, të ndihmuar nga SHBA-ja.

Vuçiçi shtiret se kinse ka harruar se në krye të Misionit Vëzhgues ishte ambasadori Viliam Vokeri, njeriu që zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare, kur pa se ishin masakruar 45 pleq e fëmijë shqiptarë, që sapo ishin marrë nga shtëpitë e tyre.

Si duket, Serbinë e ka mësuar BE-ja që të mos i përfillë as kërkesat e veta! Ishte kërkesa e Serbisë që i ishte drejtuar Hagës për vlerësimin e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Dhe, kur Serbisë i doli bomerang kërkesa e vet në Hagë, Beogradi vazhdoi të mos e njohë konfirmimin e Hagës për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

E, BE-ja tash i hapi Serbisë edhe kapitullin tjetër të dialogut, përderisa është akoma shumë i nxehtë lajmi tronditës i Vuçiçit për masakrën e Reçakut.

Për fat të keq, edhe shumë shqiptarë, e që joshen nga konferencat e pakuptimta të bashkëpunimit rajonal, si ata që ulën me Marko Gjuriçin në Tiranë, e quajtën nevojë të kohës për të folur me Gjuriçin!

Fajësia që Xhelal Sveçla ia servoi organizatorit, nuk mund ta arsyetojë muhabetin në tavolinën e përbashkët, ku morën pjesë edhe Ardian Gjini i AAK-së dhe Arban Abrashi i LDK-së, sepse nuk kishte arsye që në Tiranë të shkonte Marko Gjuriçi i qeverisë së Serbisë, që mban postin e drejtorit të Zyrës për Kosovë.

Ulja në një tavolinë me Gjuriçin dhe Gjuriçët tjerë duhet të ndodhë, por jo edhe në kohën kur u mohua e u ofendua masakra e Reçakut!

Pse BE-ja është fajtore?

BE-ja, gjithsesi, është fajtorja numër një për mosndëshkimin e Vuçiçit lidhur me deklaratën ofenduese për Reçakun.

Por, kjo nuk është e para herë që BE-së nuk i ndihet zëri ndaj Serbisë!

Andaj, Beogradi nuk ka si të mos jetë krenar me veprimet e veta rreth Kosovës, sepse edhe tash, në krye të shtetit serb, janë të njëjtit që kanë kryer krime në Kosovë!

Konkretisht, masakra e Reçakut ka ndodhur nën qeverinë kur ishte ministër edhe Aleksandar Vuçiçi!

Ai, më 1998-1999, kishte urdhëruar mbylljen e gazetave në Kosovë, që sollën fotografi me të masakruarit gjatë kohës sa ata qëndronin në morgun e spitalit në Prishtinë.

Andaj, qeveria e re, nëse krijohet me në krye me Albin Kurtin, duhet t’ua kthjellojë mendjen shqiptarëve, në stilin e deklaratës së Haki Abazit, për “përfundimin e epokës së hipokrizisë institucionale”.

Por, jo për një epokë të re, që sjell hipokrizi të re, vetëm pse në krye po vjen qeveria e re!

E, nëse anëtarët e VV-së vazhdojnë të takohen nëpër forume shumë të parëndësishme me kriminelët serbë, ka gjasa të sjellin vetë një hipokrizi të re institucionale, madje edhe më të rrezikshme se ata që e humbën pushtetin.

VV-ja ta ndryshojë politikën kundrejt Serbisë

Populli është mësuar me fotot e pushtetarëve me serbë. Dhe, cilat ishin ato pamje i dimë të gjithë.

Por, populli e ka zor të mësohet edhe me të njëjtat pamje të zyrtarëve të VV-së me Serbinë! Aso që i kanë shtrënguar duart me Vuçiçin dhe që janë puthur me Mogherinin i kemi pasur, por nuk duam t’i kemi po të njëjtat pamje edhe tash, me njerëzit që na kanë prerë e grirë!

Sidoqoftë, Kosova, me vonesën e formimit të qeverisë, ka hyrë në një fazë të rrezikimit të shtetit, aq më shumë kur nga sponsoruesi i pavarësisë së saj, SHBA-ja, sot e atë ditë, qëkur ka ardhur në pushtet Trampi, ende nuk është dëgjuar asnjë fjalë se Kosova është e paprekshme, siç thoshte presidenti Klinton, e më vonë edhe Obama.

Prandaj, ofensiva e Beogradit në çnjohjet e Republikës së Kosovës, aktivizimi i Hagës për të hapur një epokë dënimi për krerët e UÇK-së dhe luftën e Kosovës, rritja e ndikimit rus në Ballkan, avancimi i Serbisë drejt BE-së, e kur heqja e vizave për shqiptarët e Kosovës nuk është proceduar as në agjendë, tregojnë se Kosova në BE, si shtet, është i padëshirueshëm! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË