Samiti i tretë i Shengenit Ballkanik ishte parashikuar të mbahej në Durrës, por për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit ajo është zhvendosur në Tiranë.

Liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor do të vizitojnë ditën e nesërme zonat e prekura nga tërmeti në Durrës, ndërsa më pas do të mbajnë në Tiranë konferencën e përbashkët.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev janë pritur nga kryeministri Edi Rama në takimin e parë informal, ndërkohë që në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, aktivistë të Vetëvendosjes zhvilluan një protestë kundër vizitës së presidentit serb.

Ata u shtynë me policinë duke tentuar të çanin kordonin e sigurisë ndërkohë që thërrisnin fraza nacionaliste dhe mbanin në duar pankarta dhe fotot e viktimave të masakrës së Reçakut, e cilësuar nga Vuçiç si një krim i fabrikuar.

Të pranishëm përveç presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Maqedonisë nesër për herë të parë kësaj nisme do i bashkohet edhe presidenti malazez, ndërsa Kosova e refuzoi ftesën.

‘Nuk bëhemi pjesë e eksperimenteve rajonale’ deklaroi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Kryeministri Edi Rama u shpreh se mospjesëmarrja e Kosovës në këtë tryezë, e cila pranohet dhe nga SHBA dhe Europa, e nxjerr humbëse politikën e Kosovës në sytë e amerikanëve. Mbrëmjen e djeshme kreu i qeverisë tha pjesë e këtij takimi do të jenë edhe zyrtarë të DASH-it, Bankës Botërore, BERZH dhe organizatave të tjera.

“Do të vijnë të gjithë, Kosovën përsëri e kam ftuar. Do të vijnë nga SHBA, i dërguari special i SHBA-ve Palmer më ka shkruar personalisht dhe më ka kërkuar dy ftesa zyrtare, sepse do të dërgojë dy persona të posaçëm nga departamenti i Shtetit në mbështetje të këtij procesi. Do të vijnë nga Komisioni Europian por akoma nuk kemi një konfirmim, nga Banka Europiane. Do të vijnë të gjithë. Nuk ka gjë më të gabuar sesa Kosova që është fitimtare e luftës të kthehet në humbës, të izolohet e të kërkojë madje edhe nga ne që të izolohemi” tha Rama.

Takimi i radhës në Tiranë, vjen pas atij të Novi Sadit të Serbisë që ishte i pari dhe Ohrit në Maqedoni, por këtë herë risi është fakti që i është bashkuar edhe presidenti i Malit të Zi duke zgjeruar hartën e vendeve që duan të bëhen pjesë e kësaj nisme.

MUND TË JU PËLQEJNË