Kanë nisur gërmimet në kampusin e UP-së, saktësisht tek parkingu i Fakultetit të Arteve me dyshimin se mund të ketë varreza masive.

Gërmimet në këtë pjesë të kampusit të UP po bëhen pasi që një dëshmitar në Prokurori ka treguar se në kohën e luftës ka parë duke u varrosur trupa të njerëzve.

Prokurorja e Prokurorisë Speciale Drita Hajdari, ka thënë se këto gërmime po bëhen pasi kanë marrë një informacion nga një qytetarë se gjatë kohës së luftës ka parë duke varrosur trupa.

Hajdari tha se nuk munden t’i neglizhojnë informacionet të tilla dhe se detyrë e tyre është që t’i verifikojnë.

Ndërkaq mbajtësi i dosjes së personave të pagjetur në kuadër të zyrës së kryeministrit të Kosovës Jahja Lluka, ka treguar se gërmime do të bëhen në dy lokacione tek parkingu i fakultetit të Arteve.

Lluka tha se nuk mund të flasë me siguri se sa do të zgjasin gërmimet, por shpreson që të ketë rezultate pozitive.

Lluka tha se janë duke punuar vazhdimisht, ku tha se kanë gërmuar në Mitrovicë të Veriut në varrezat myslimane ku tha se aty i kanë edhe dy lokacione pa përfunduar për këtë vit. Po ashtu, ai tha se janë edhe dy lokacione në Serbi, por që tha se atje është ndërprerë puna pasi sipas tij Serbia lokacionet që i ka dhënë është e pamundur të gërmohet.

Lluka tha se Beogradi i ka informatat për të gjithë personat e zhdukur të Kosovës, por që tha se informacionet nuk i jep sepse me pranimin e saj duhet ta pranojë edhe gjenocidin që e ka bërë në Kosovë. Kujtojmë se janë në Kosovë janë më shumë se 1 mijë e 600 persona të zhdukur.

MUND TË JU PËLQEJNË